1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE-ja dërgon shumë para, por nuk ka ndonjë rol të rëndësishëm në takimin e Lindjes së Mesme

2 Shtator 2010

Sot, më 2 shtator rifilluan bisedimet për Lindjen e Mesme. Është hera e parë që udhëheqësit e dy vendeve takohen që prej vitit 2008. Në çështjet kontroverse pozicionet janë shumë të ndryshme.

https://p.dw.com/p/P23z
Präsidenti i SHBA-së Obama me kryeministrin izraelit Netanjahu dhe presidentin palestinez AbbasFotografi: picture-alliance/dpa

Vetë presidenti SHBA-së Barack Obama ka punuar në përgatitjen e takimit të kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu dhe presidentit palestinez Mahmud Abbas. Në të gjitha çështjet kontroverse pozicionet janë shumë të ndryshme dhe një mirëkuptim i shpejtë nuk mund të pritet. Brukseli dërgon shumë para në këtë rajon, por nuk konsiderohet aktor i rëndësishëm.

EU Außenminister Treffen 10.05.2010 Catherine Ashton
E ngarkuara e BE për politikën e Jashtme Catherine Margaret AshtonFotografi: Picture alliance/dpa

E ngarkuara e BE-së, Catherine Ashton, e ka përkufizuar kështu synimin e politikës evropiane për Lindjen e Mesme: „Ne mendojmë se bisedimet brenda dy vjetësh do të sjellin zgjidhjen, që çon në shtetin e pavarur, demokratik të Palestinës, që ekziston në paqe dhe siguri me Izraelin dhe fqinjët e tjerë."

Shpresa të pakëta

Por ky synim sot duket më i largët se kurrë dhe evropianët kanë pak shpresa tek bisedimet e Uashingtonit. Shkak për këtë në palën palestineze është p.sh. fakti, që Hamasi radikal islamist e ka vendosur nën pushtetin e tij Rripin e Gazës dhe administrata zyrtare palestineze qeveris faktikisht vetëm në Bregun Perëndimor. Hamasi deri tani ka refuzuar ta njohë Izraelin, apo të distancohet nga dhuna. Dhe në anën izraelite BE e shqetëson vazhdimi i ndërtimeve në Bregun Perëndimor të Jordanit dhe rrethimi i Rripit të Gazës.

Kur marina izraelite në fund të majit sulmoi fregatën ndërkombëtare me ndihma për Rripin e Gazës në Mesdhe dhe vrau edhe qytetarë të BE, në Bruksel pati breshëri kritikash. Deputetja socialiste belge në Parlamentin Evropian, Véronique de Keyzer: „Kjo është një tragjedi edhe për Izraelin, sepse këtu ka humbur logjika e shëndoshë dhe kuptimi për të drejtën ndërkombëtare."

Gaza Zerstörung Häuser durch Israel Militär
Shtëpi të shkatërruara në Gaza nga ushtria izraeliteFotografi: AP

BE bën më shumë nga ç'duket

Të dy palët, palestinezët dhe izraelitët, ia bëjnë të vështirë BE, që të bëjë një politikë efektive. BE është donatori më i madh për autoritetet autonome palestineze me afro një miliardë euro në muaj. Pa paratë nga Brukseli nuk mund të mbaheshin dot një pjesë e mirë e shërbimeve publike në territoret palestineze. Por për BE është problem, që shumë gjëra, që ai bën, janë të vogla dhe nuk vihen re në opinionin botëror. Colin Smith, ish instruktor i BE për policinë, ka informuar një herë në Bruksel në lidhje me punën e tij të vështirë.

„Ne kemi mbajtur një konferencë për policinë izraelite dhe palestineze për çështjet e transportit. Zgjodhëm temën e transportit, sepse kam menduar, se nuk është e ngarkuar politikisht. Megjithatë kanë qenë orët më të vështira të jetës sime, që të ndërmjetësoja ndërmjet dy palëve. Por përmirësimi i këmbimit të informacioniit ka ndryshuar diçka. Më parë në Izrael vidheshin shumë makina dhe që kur policia palestineze ka qasje në bankën e të dhënave izraelite, dëgjoj që numri i vjedhjeve të makinave ka rënë. Në këtë rrafsh shoh se ka ndodhur diçka."

Mahmoud Abbas mit Bernard Kouchner in Ramallah
Presidenti palestinez Abaz me ministrin e Jashtëm francez Bernard Kouchner, në RamallahFotografi: AP

Problemi kryesor i BE në Lindjen e Mesme është disproporcioni ekstrem ndërmjet një angazhimi shumë të madh financiar dhe diplomatik dhe ndikimit shumë të vogël. Për këtë ai është edhe vetë fajtor. Përfaqësuesja e politikës së Jashtme, Catherine Ashton, ishte ftuar për darkë para fillimit të bisedimeve në Uashington, por shkoi për një vizitë të planifikuar prej kohësh në Kinë. Një zëdhënës i Komisionit tha se negociatat zhvillohen në mënyrë strikte ndërmjet dy aktorëve kryesorë dhe Ashton nuk do të kishte "ndikim të konsiderueshëm" në bisedime. Shumë kritikë e konsiderojnë mungesën e Ashtonit gabim simptomatik. Pikërisht tërheqja ka bërë që BE në skenën e politikës botërore të mbetet nën mundësitë e tij.

Autor: Christoph Hasselbach/Angjelina Verbica

Redaktoi: Bahri Cani