1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE forcon kufijtë e jashtëm dhe përshpejton dëbimet

10 Shkurt 2023

Si pjesë e debatit për politikën e përbashkët të migrimit, krerët e shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian kanë rënë dakord për rritjen e mbrojtjes së kufijve të jashtëm të BE.

https://p.dw.com/p/4NLaG
Belgien Brüssel | EU-Gipfel
Fotografi: John Thys/AFP/Getty Images

Krerët e shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian kanë rënë dakord për rritjen e mbrojtjes së kufijve të jashtëm të BE. Gjithashtu, shtetet duan të dëbojnë më shumë njerëz. Presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen tha në Bruksel: "Ne do të forcojmë kufijtë tanë të jashtëm dhe kështu do të parandalojmë migrimin e parregullt".

Vendimi i Këshillit Evropian parashikon dy projekte pilot në kufijtë e jashtëm të BE. Në të parin, BE do të zhvillojë infrastrukturën e mbikqyrjes. Sipas Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, do të ndërtohen kulla vrojtimi dhe do të instalohen kamera dhe sisteme të tjera elektronike vëzhgimi. Financimi do të vijë nga buxheti i BE dhe buxhetet kombëtare. Një projekt i dytë pilot fokusohet në përshtatjen e procedurave të azilit në kufijtë e jashtëm të BE.

Mosmarrëveshje për financimin

Në samitin e BE pati mosmarrëveshje për financimin e objekteve dhe gardheve të sigurisë kufitare. Komisioni Evropian dhe Gjermania i refuzuan gardhet kufitare. Vendet e tjera anëtare, si Austria dhe Greqia, megjithatë i kërkuan ato.

Olaf Scholz
Fotografi: Yves Herman/REUTERS

Pas samitit, kancelari gjerman Olaf Scholz vuri në dukje se fjala "gardhe" nuk figuronte në vendim, ndërsa deklaroi se tashmë "duhej miratimi i masave të sigurisë në disa kufij". Kancelari austriak Karl Nehammer shprehu kënaqësinë e tij. BE-ja e ka bërë të qartë se jo vetëm Bullgaria dhe Rumania, por edhe të gjitha vendet me kufij të jashtëm, do të kenë vëmendje të veçantë nga Komisioni Evropian kur bëhet fjalë për mbrojtjen e kufijve. Kjo deklaratë nuk ishte bërë kurrë më parë me një qartësi të tillë në një Këshill, shpjegoi Nehammer.

BE gjithashtu do të rrisë numrin e dëbimeve. Për ta bërë këtë, vendet anëtare duan të njohin reciprokisht kërkesat e refuzuara për azil. Kështu, aplikimet nuk do të rishqyrtohen më kur azilkërkuesit lëvizin brenda BE, shpjegoi von der Leyen. Për më tepër, duhet shtuar presioni ndaj vendeve të origjinës për të rikthyer shtetasit e tyre.

 Emmanuel Macron
Fotografi: Virginia Mayo/AP Photo/picture alliance

Kritika në Gjermani

Planet e BE po sjellin kritika në Gjermani. Zëdhënësja e partisë E Majta në Bundestag për politikën e azilit, Bünger, tha se ajo që u vendos në samitin e BE për arratinë dhe emigracionin përbën një deklaratë falimentimi humanitar. Izolimi i detyruar, procedurat e shpejta dhe dëbimet janë e kundërta e një politike azili të bazuar në të drejtat e njeriut.

Politikani i të Gjelbërve, Marcel Emmerich kujtoi në radion kombëtare gjermane Deutschlandfunk se ngritja e gardheve nuk korrespondon me BE. Nënkryetari i grupit parlamentar të partive unioniste, Andrea Lindholz, tha se ishte e zhgënjyer me rezultatet. Duke pasur parasysh situatën në Gjermani, kancelari Scholz duhet të kishte këmbëngulur shumë më tepër për rezultate konkrete si një shpërndarje më e barabartë e refugjatëve ukrainas në BE, tha ajo për agjencinë gjermane të shtypit dpa.

aud (dpa, dlf)