BE ndëshkon shkeljet e të drejtave të njeriut kudo në botë
8 Dhjetor 2020Bashkimi Europian do të lehtësojë mekanizmin e sanksioneve, kur shkelen të drejtat e njeriut. Ministrat e Jashtëm të BE, vendosën njëzëri të hënën në Bruksel në një takim me prezencë, për një "regjim të të drejtave të njeriut", me të cilin do të ndiqen shkeljet e të drejtave të njeriut ndaj gjithkujt që i bën ato e kudo në botë. Kush është përgjegjës për tortura, trafikimin me njerëz apo për mosndjekjen ligjore të shkeljes së të drejtave të njeriut, "ai nuk do të vijë për shoping i pashqetësuar në Europë", u shpreh ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, (SPD) që aktualisht drejton këshillin ministerial të BE. Deri më tani sanksionet e BE vendoseshin për raste konkrete krizash dhe shtetesh si në rastin e Rusisë apo Bjellorusisë. Në të ardhmen masat ndëshkuese si ngrirja e xhirollogarive apo ndalimet e udhëtimit kundër personave të caktuar, firmave apo organizatave do të mund të pasojnë pavarësisht vendndodhjes.
Më shpejt dhe më me efekt
I ngarkuari i BE për politikën e jashtme, Joseph Borrell premtoi vendosjen më të shpejtë të sanksioneve dhe më shumë fleksibilitet. Ky është një "hap i rëndësishëm" në luftë kundër shkeljes së të drejtave të njeriut, dhe që përmbledh më qartë kompetencat e institucioneve të veçanta të BE. Sipas vlerësimit të zëvendëspresidentit të Komisionit Europian, Valdis Dombrovskis, BE ka tani më shumë mundësi për të reaguar kundër shkeljes së të drejtave të njeriut dhe të ndjekë një politikë të tolerancës zero kundër këtyre shkeljeve.
Por goditja nuk është aq e fortë, sa e kishte dëshiruar Parlamenti Europian në dy rezoluta. Edhe më tej të 27 vendet anëtare duhet të vendosin unanimisht për sanksionet. Disa shtete anëtare nuk donin të jepnin miratimin e tyre për kërkesën e Parlamentit dhe Komisionit Europian për marrjen e vendimeve në bazë të një shumice në BE. Grupi më i madh parlamentar, ai i konservatorëve nën drejtimin e Martin Weberit, kritikoi faktin që në listë për sanksionim nuk u fut korrupsioni. Në këto kohë të vështira është e rëndësishme që BE të mbetet një fortesë në mbrojtjen e demokracisë dhe lirisë, tha eurodeputetja Sandra Kalniete. "Prandaj është vendimtare që të kemi instrumente vepruese, për të sanksionuar ata që shkelin të drejtat e njeriut. Ne e kemi dëgjuar qartë dhe fuqishëm nga miqtë tanë në Rusi apo Bjellorusi, që për t'i vënë para përgjegjësisë autorët, duhen masa ndëshkuese individuale dhe të shënjestruara mirë.", thotë Kalniete.
Turqia në fokus
Nuk dihet, nëse pas vendimit të së mërkurës do të ketë rritje të menjëhershme të sanksioneve në të gjithë botën. Diplomatët e BE janë të mendimit, që në tremujorin e parë të vititi 2021 do të jepen vendimet e para. Dy nisma dihen që tani: Ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn propozoi që të vendosen sanksione ndaj personave nga drejtësia turke, sepse ata japin vendime arbitrare për aktivistë të të drejtave të njeriut. Eurodeputeti i Të Gjelbërve, Reinhard Bütikofer dëshiron të veprojë me instrumentet e sanksioneve kundër Chen Quango, kreut të partisë komuniste në provincën Ksinjang në Kinë. Ai është përgjegjës për shtypjen e pakicës uigure në këtë provincë. "Një instrument ka aq vlerë, sa ka gatishmëri për ta përdorur atë. Kur do të vihet realisht në funksionim instrumenti i ri i të drejtave të njeriut? Përgjigja duhet të jetë, më së miri menjëherë", tha Bütikofer në Bruksel.
Modeli Magnitzky
Si model për rregulloret e reja të BE shërben "Akti Magnitzky" nga SHBA, që u miratua në vitin 2012 për përgjegjësit e vrasësit të informantit rus, Sergey Magnitzky, që në vitin 2009 zbuloi afera të mëdha korruptive në Rusi. Në vitin 2016 ligji u zgjerua në "Magnitzkyn global", dhe që atëherë mund të përdoret kundër shkeljes së të drejtave të njeriut, vrasjeve politike, skllavërisë dhe delikteve të tjera në të gjithë botën. Kanadaja, Britania e Madhe dhe tre shtete balltike kanë miratuar ligjet e tyre "Magnitzky". BE-së i është dashur një rrugë më e gjatë për këtë. Procedura e re e sanksioneve do të jetë në fuqi fillimisht për tre vjet dhe më pas duhet të zgjatet edhe njëherë.