1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Diskutimet për raportet Kosovë-Serbi vazhdojnë të premten

27 Tetor 2023

Në ditën e dytë të Samitit të Bashkimit Evropian, Kosovës dhe Serbisë do t’iu kërkohet t’i zbatojnë të gjitha detyrimet e tyre nga dialogu pa vonesa dhe pa parakushte.

https://p.dw.com/p/4Y5ju
Kurti dhe Borell shtrëngojnë duart
Kurti dhe BorellFotografi: EU-Kommission

Në ditën e dytë të Samitit të Bashkimit Evropian, Këshilli i BE diskuton sot në Bruksel për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, pas takimeve të djeshme  pa rezultate konkrete ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq me liderët e BE-së. Në një konferencë për medie pas mesnate, Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha se Këshilli nuk diskutoi dje për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Por Këshilli "e mbështet normalizimin e marrëdhënieve dhe shtensionimin e situatës ndërmjet dy vendeve”, temë kjo që diskutohet në Këshill të premten.

Gjatë ditës së dytë të takimit të së premtes, sipas burimeve diplomatike në Bruksel, liderët e BE-së pritet ta shprehin shqetësimin e tyre të thellë për situatën e sigurisë në veri të Kosovës, ta dënojnë sulmin e 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës në veri ku u vra një polic, do të kërkojnë që përgjegjësit të sillen para drejtësisë dhe që Serbia të bashkëpunojë në hetimin e kësaj ngjarje. Në një deklaratë të mëvonshme pritet që, Kosovës dhe Serbisë t'u kërkohet t'i zbatojnë të gjitha detyrimet e tyre nga dialogu pa vonesa dhe pa parakushte.

Charles Michel
Charles MichelFotografi: European Union

Edhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se Komisioni është duke e pritur rezultatin e hetimeve rreth sulmit në Banjskë të Zveçanit në veri të Kosovës. Prishtina zyrtare akuzon Serbinë për përfshirje në sulm dhe kërkon nga komuniteti ndërkombëtar që ta ndëshkoi Serbinë. "Do të jem shumë e shkurtër në përgjigje, hetimet janë duke u zhvilluar dhe kemi thënë disa herë se kur të përmbyllen hetimet, ne do të vendosim për të ndërmarrë masa dhe çfarë lloj masash”, tha Von der Leyen.

Propozimi për asociacionin

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u takuan të enjten me udhëheqësit e vendeve kryesore të Bashkimit Evropian, presidentin francez, Emannuel Macron, kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe kryeministren italiane Giorgia Meloni, një përpjekje kjo e re perëndimore për të çuar përpara zbatimin e marrëveshjes së arritur më herët gjatë këtij viti në Bruksel dhe në Ohër. Nuk pati përparim nga takimet, ku sipas shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrel, palët kishin parakushte.

Kurti dhe Scholz
Kurti dhe ScholzFotografi: Michael Kappeler/dpa/picture alliance

"Për t'i nxitur palët që të arrijnë një marrëveshje ne së bashku paraqitëm një propozim evropian serioz e të balancuar për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe ngulëm këmbë që palët të shfrytëzojnë këtë mundësi, që do të ishte një hap i madh përpara për normalizimin e marrëdhënieve dhe për të shmangur një spirale të re dhune. Për fat të keq palët nuk qenë të gatshme të pajtohen Albin Kurtipër këtë pa parakushte, që ishin të papranueshme për palën tjetër”, tha Borrel, duke nënvizuar se përpjekjet do të vazhdojnë.

Kryeministri Albin Kurti, tha se "vetëm nënshkrimi i marrëveshjeve me Serbinë,  garanton zbatimin e tyre, ndërsa presidenti serb Vuçiq këmbënguli në zbatimin e "asaj që është nënshkruar me herët”, duke aluduar në Asociacionin e komunave me shumicë serbe të nënshkruar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në vitin 2013".  Ai thotë se nuk do të nënshkruajë asnjë marrëveshje tjetër, që do të nënkuptonte njohjen e Kosovës si shtet.