1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE dhe Hungari - një provë madhore

29 Nëntor 2022

Bashkimi Evropian është i shqetësuar për gjendjen e demokracisë, sundimin e ligjit e korrupsionin në Hungari. Ai ka kërcënuar me ndalimin e fondeve, me qëllim forcimin e reformave. Por do të bashkëpunojë qeveria Orban?

https://p.dw.com/p/4KCug
Komisionit të BE i duhet të vlerësojë nëse masat e marra nga qeveria e kryeministrit Viktor Orban janë të mjaftueshme, në mënyrë që të vijohet me lëvrimin e fondeve të BE-së për Hungarinë.
Komisionit të BE i duhet të vlerësojë nëse masat e marra nga qeveria e kryeministrit Viktor Orban janë të mjaftueshme, në mënyrë që të vijohet me lëvrimin e fondeve të BE-së për Hungarinë. Fotografi: Bart Maat/ANP/picture alliance

Edhe pse në Europë ka nisur i ftohti, marrëdhëniet mes Hungarisë dhe institucioneve të Bashkimit Europian mbeten të "zjarrta”. Gjatë mesit të muajit shtator, Komisioni Europian i la kohë Budapestit deri në 19 nëntor për të demonstruar angazhim serioz në luftën kundër korrupsionit. Tashmë, Komisionit i duhet të vlerësojë nëse masat e marra nga qeveria e kryeministrit Viktor Orban janë të mjaftueshme, në mënyrë që të vijohet me lëvrimin e fondeve të BE-së për Hungarinë.

Vlerësimi pozitiv do t'i hapte rrugë Këshillit të BE-së që të miratonte këtë lëvrim fondesh, të cilat nevojiten urgjentisht në Hungari, në kohën kur vendi po përjeton vështirësi të mëdha financiare. Që nga mesi i viteve ‘90, Hungaria nuk kishte përjetuar normë kaq të lartë inflacioni, e cila gjatë muajit tetor u regjistrua në 21%.

Nga ana tjetër, një vlerësim negativ do të çonte në marrjen e paprecedentë të masave nga ana e BE-së, për pezullimin e fondeve. Kjo do të ishte hera e parë që BE vë në funksion mekanizmin "kushtëzimi i sundimit të ligjit”.

Vendimi pritet më 6 dhjetor

Kjo është një situatë në të cilën besueshmëria e qeverisë hungareze dhe qëllimet e saj janë sfiduar hapur.Ky vendim përfundimtar, që pritet të merret më 6 dhjetor nga ana e Këshillit të BE-së, është gjithashtu një provë për institucionet dhe vlerat e Unionit.

Sidoqoftë, duke shantazhuar Bashkimin Europian për çështje kaq thelbësore, qeveria e drejtuar nga Orban kërkon ta "tërheqë litarin” nga ana e saj.

Reformat e duhura për zhbllokimin e fondeve të BE

Më 18 shtator, pas disa muajsh negociata, Komisioni Europian propozoi pezullimin e 7.5 miliardë Eurove për Hungarinë – që përbën një të tretën e fondeve të përllogaritura për këtë shtet nga buxheti i BE-së – për shkak të shqetësimeve mbi gjendjen e demokracisë, sundimin e ligjit dhe mbi të gjitha, për nivelin e lartë të korrupsionit në Hungari.

Për të mos humbur të drejtën e përdorimit të këtyre fondeve, qeveria hungareze u dakordësua të zbatojë një listë me 17 masa anti-korrupsion deri më 19 nëntor. Mes të tjerash, këto masa përfshinin zgjatjen e bashkëpunimit me Zyrën Europiane të Anti-Mashtrimit (OLAF), ndryshime në legjislacionin e prokurimit publik dhe bërjen funksionale të fondeve të menaxhimit të pasurive shtetërore, duke lehtësuar qasjen për informacion të interesit publik, dhe krijimin e një grupi pune anti-korrupsion, që të funksionojë si organ monitorues dhe këshillues.

Dhe më kryesorja, qeveria u zotua të krijojë një organ të ri anti-korrupsion, që do të quhet Autoriteti i Integritetit, i cili do të garantojë përdorimin e duhur të burimeve të BE-së.

Reforma që nuk sjellin ndryshime rrënjësore?

Edhe pse lista e masave është gjithëpërfshirëse, në realitet asnjëra prej tyre nuk do të sjellë ndryshime themelore ose nuk do t'i pavarësojë institucionet shtetërore – si gjyqësorin apo Zyrën e Prokurorit – nga kontrolli i qeverisë.

Me fjalë të tjera, edhe nëse këto masa zbatohen, thelbi i sistemit qeverisës së Fidesz, i ashtuquajturi "Sistemi i Bashkëpunimit Kombëtar”, do të mbetej i paprekur. Sipas një inspektimi nga anëtarët e Parlamentit Europian në mes të nëntorit, rezultoi se masat nuk po zbatoheshin siç duhet.

Zsuzsanna Vegh është hulumtuese në "European University Viadrina” dhe bashkëpunëtore e "German Marshall Fund” të Shteteve të Bashkuara.
Zsuzsanna Vegh është hulumtuese në "European University Viadrina” dhe bashkëpunëtore e "German Marshall Fund” të Shteteve të Bashkuara. Fotografi: Privat

Qasje me "gjysmë zemre”?

Themelimi i Autoritetit të Integriteti është tregues domethënës i qasjes me "gjysmë zemre” të qeverisë Orban për zgidhjen e mosmarrëveshjeve me Komisionin Europian.

Megjithëse ky autoritet ka fuqinë për të pezulluar proceset e prokurimit publik në rast të parregullsive, të padisë institucionet shtetërore nëse nuk përmbushin funksionet e tyre, e të informojë OLAF dhe Zyrën e Prokurorit Publik Europian (EPPO) për parregullsi serioze, ai nuk mund të sfidojë vendimet e prokurorit të shtetit, të hetojë, ose të marrë kompetenca nga institucionet e tjera edhe në rastet kur ato nuk funksionojnë siç duhet.

Përzgjedhja e ekipit drejtues të Autoritetit hapi gjithashtu debat. Synimi ishte që një komitet i pavarur do të përzgjidhte kandidatët për pozicionet e presidentit dhe dy nënkryetarëve. Të gjithë ata duhej të ishin të pavarur politikisht.

Por komiteti i përzgjedhjes u krijua nga drejtoria përgjegjëse për auditimin e fondeve të BE -së në Ministrinë e Financave, nën një procedurë të dyshimtë. Së fundi, Timea Holbusz, një nga drejtueset e kësaj drejtorie, u emërua nënkryetare e Autoritetit të ri.

Orban përpiqet të "mbajë frerët”

Qeveria preferoi të ndërtojë nga e para një institucion të ri në vend që t'i bashkohej EPPO-së, bashkim i cili do t'i mundësonte një prokurori të pavarur të BE-së që të hetonte raste kriminale të lidhura me interesat financiarë të BE-së në Hungari.

Megjithëse qeveria hungareze e ka mbrojtur këtë vendim për shkak të sovranitetit kombëtar, në praktikë është një refuzim i qartë i çdo mase mbrojtëse që qeveria nuk mund ta kontrollojë.

Negociata të vazhdueshme

Masat e mësipërme u prezantuan në kuadër të Fondit për Lehtësirat për Rimëkëmbje dhe Rezistencë gjatë pandemisë së COVID-19, fond i cili parashikonte shumën prej 5.8 miliardë eurosh për t'i ardhur në ndihmë ekonomisë hungareze.

Këto fonde u pezulluan nga Komisioni Europian pas shqetësimeve mbi sundimin e ligjit, veçanërisht në lidhje me pavarësinë e gjyqësorit. Sipas të gjitha gjasave, qeveria hungareze nuk do të ketë qasje në këto fonde pa përmbushur një listë tjetër "arritjesh" të hartuara nga Komisioni, përveç 17 masave të lartpërmendura.

Hungaria ushtron presion mbi BE

Me nevojat financiare në rritje të qeverisë dhe afrimin e afatit kohor për sigurimin e fondeve të rimëkëmbjes nga ana e Komisionit, qeveria hungareze ka nisur të ushtrojë presion gjithashtu.

Për muaj me radhë, qeveria e Orban ka mbajtur pezull miratimin për anëtarësim në NATO të Suedisë dhe Finlandës, duke u bërë kështu i vetmi shtet anëtar i NATO-s në BE me një qëndrim të tillë.

Hungaria bllokon dhënien e ndihmës për Ukrainën

Hungaria është gjithashtu i vetmi vend që kundërshton nismën e Komisionit për t'i dhënë Ukrainës 18 miliardë Euro ndihmë, e cila do të financohej me një kredi të marrë nga BE. Një vendim për këtë nismë do të merret më 6 dhjetor, në të njëjtën mbledhje të Këshillit, ku shtetet anëtare do të vendosin për fondet e BE -së së Hungarisë.

Parlamenti hungarez pritej të votonte më 7 dhjetor për pranimin në NATO të Suedisë dhe Finlandës, por për siguri edhe ky votim është shtyrë deri vitin e ardhshëm, me qëllim shamngien e shantazhit politik.

Një provë e vendosmërisë së BE-së

Nëse Komisioni i konsideron të mjaftueshme masat antikorrupsion të qeverisë hungareze dhe nëse mund të vendosen piketa të konsiderueshme për lëvrimin e fondeve të rimëkëmbjes, kjo mbetet për t'u parë.

Këto hapa do të jenë jo vetëm një provë e besueshmërisë së mekanizmit të kushtëzimit të ligjit të BE -së, por edhe të vendosmërisë së Komisionit për të hyrë më në fund në rolin e tij si kujdestar i vlerave dhe parimeve themelore të BE -së.

Nëse pezullimi i fondeve mbetet në tryezë, në fund të fundit do të jenë vendet anëtare që do të përballen me qeverinë hungareze edhe përballë shantazhit.

Para marrjes së një vendimi, Bashkimi Europian duhet të analizojë zhvillimet e 12 viteve të fundit, të cilat shërbejnë si precedent dhe si paralajmërim: pajtimet kanë shmangur "rrëshqitjen” dhe fuqizimin e mëtejshëm të qeverive autokratike në planin afatgjatë. Ky është edhe një shans për t'ia dalë mbanë!

Zsuzsanna Vegh është hulumtuese në "European University Viadrina” dhe bashkëpunëtore e "German Marshall Fund” të Shteteve të Bashkuara. Pikëpamjet dhe mendimet e shprehura në këtë artikull i përkasin autores dhe jo domosdoshmërisht përfaqësojnë pikëmpamjet e institucioneve ku ajo punon.