1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE dhe britanikët bien dakord për marrëveshjen tregtare

25 Dhjetor 2020

Nyja gordiane u pre: në minutën e fundit Londra dhe Brukseli arritën një marrëveshje për marrëdhëniet e ardhshme tregtare.

https://p.dw.com/p/3nCQu
UK Großbritannien Symbolbild Brexit
Fotografi: Luciana Guerra/empics/picture alliance

Pas negociatash maratonë për një marrëveshje tregtare pas Brexitit Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe arritën të bien më në fund dakord. Marrëveshja rregullon marrëdhëniet e ardhshme midis Londrës dhe Brukselit pasi Britania e Madhe të largohet nga BE. Ajo parashikon gjithashtu edhe tregti pa tarifa doganore dhe pa kufizime sasiore.

Shefja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, u shpreh për "bisedime shumë të vështira" dhe një "rrugë të gjatë dhe shkëmbore". Rezultati është "i drejtë dhe i ekuilibruar". BE-ja kishte një pozitë shumë të mirë negociuese dhe i mbrojti plotësisht interesat e saj.

UK Premier Boris Johnson
Boris Johnson: Ne do të vendosim standardet tonaFotografi: Pippa Fowles/Xinhua/imago images

Edhe qeveria Britanike e vlerësoi marrëveshjen. Kryeministri Boris Johnson tha se vendi i tij kishte rimarrë në dorë kontrollin mbi fatin e vet. "Ne do të vendosim standardet tona," tha konservatori.

Johnson postoi një fotografi në Twitter ku ka përveshur krahët. Britania e Madhe do të mbetet e lidhur ngushtë me Evropën kontinentale - "nga ana kulturore, emocionale, historike, strategjike dhe gjeografike", tha Kryeministri. "Ne do të jemi shoku juaj, partneri juaj, mbështetësi juaj - dhe për të mos harruar: tregun tuaj më të rëndësishëm."

Merkel: "Marrëveshje me rëndësi historike"

Kancelarja Angela Merkel e pëshëndeti marrëveshjen. Marrëveshja e negociuar është "e një rëndësie historike". Kabineti do të diskutojë për këtë gjatë një konference ditën e hënë (28.12.).

Edhe Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas u shpreh i lehtësuar për marrëveshjen, por tha se ajo nuk është nënshkruar ende. "Vendet anëtare të BE do ta analizojnë sigurisht edhe një herë nga afër projektmarrëveshjen dhe për të duhet të bien dakord të 27 vendet anëtare të BE dhe më vonë edhe Parlamenti Evropian."

Gjermania, e cila ende mban ende Presidencën e Këshillit të BE, do të bëjë gjithçka për të siguruar që marrëveshja të mund të hyjë në fuqi më 1 Janar.

Britania e Madhe u largua nga BE në janar pas 47 vjetësh anëtarësimi. Periudha kalimtare gjatë së cilës rregullat e vjetra ende zbatohen për konsumatorët dhe kompanitë përfundon më 31 dhjetor. Pa marrëveshjen tregtare mund të kishte një Brexit të vështirë  me pasoja të rënda ekonomike.