Bashkimi i Gjermanisë në dritë europiane
Me një instalacion gjigant dritash përfaqësia gjermane në BE feston 25 vjetorin e bashkimit në Bruksel. Qytetarët e Brukselit janë ftuar në "Jubelpark" në kuartierin e Europës për ta përjetuar atë krejt ndryshe.
E zezë, e kuqe, e artë
Harku i triumfit në Bruksel është dekoruar për festën e 25 vjetorit të ribashkimit të Gjermanisë me flamuj e drita. Vizitorëve belgë kjo u pëlqen, sepse tre ngjyrat e flamurit gjerman përkojnë edhe me ato të flamurit belg.
Porta e zhveshur
Gjatë ditës harku i trefishtë i triumfit dëshmon themelimin e Belgjikës në vitin 1830. Ndërtesa 50 metra e lartë është ndërtuar në vitin 1905. Qyteti i Brukselit ia ka lënë atë në dispozicion Ambasadës Gjermane në BE për dekorimin me artin e dritave me rastin e festës së bashkimit. Në flandrisht ky territor quhet "Jubelpark" (parku i brohoritjes). Kjo i shkon për shtat edhe festës.
Drita e artistë të videos
Menaxheri holandez i eventeve Martijn Adema nga agjencia "Vision Impossible" ka prodhuar videon tetë minutëshe, që projektohet në harkun e triumfit. "Sfida më e madhe ishte sipërfaqja e madhe e projektimit." Për këtë agjencia e tij ka sjellë këtu Beamer-in më të fuqishëm të Europës.
Lufta si shkak i ndarjes
Projektimi i Hitlerit dhe i mizorisë së Luftës së Dytë Botërore në fasadën e një ndërtese në Belgjikë është nismë me risk, por e nevojshme. Kështu mendon drejtuesi artistik i projektit Matthias Zeckert. Spektakli hapet me luftën si zanafilla e ndarjes gjermane.
Bluja kundër së kuqes
Perdja e hekurt mes Perëndimit (blu) dhe Lindjes së kuqe ndau Europën deri më 1989. Në një retrospektivë të shpejtë historike mbi harkun e triumfit shfaqen Churchill, Kennedy dhe Gorbaçovi që dëshmojnë për një epokë intensive në një botë të ndarë.
Muri bie
Harku i triumfit shndërrohet në Mur të Berlinit me kulla vrojtimi. Por muri izolues çnjerëzor nuk mban. Njerëz që çajnë murin, vetura trabant e njerëz të gëzuar kalojnë në anën tjetër. Edhe fjalimi i anëtarit të byrosë politike në RDGJ, Günter Schabowski me lapsusin historik jehojnë në parkun e brohoritjes "Jubelpark" në Bruksel: "Sipas dijenisë sime (liria e lëvizjes) hyn në fuqi menjëherë."
Europa rezaton
Pas Gjermanisë edhe Europa hedh hapa të mëtejshëm drejt bashkimit. Ish-shtetet lindore, dikur komuniste, si dhe Malta e Qiproja antarësohen në BE. Një shtëpi, një familje duhet të zhvillohen. Vendosen liria e lëvizjes dhe monedha e përbashkët.
Jo vetëm brohoritje
Spektakli me drita nuk lë në hije as temën e krizës. Europa po goditet prej krizës së Euros dhe krizës ekonomike pas vitit 2008. Me shumë vështirësi Gjermania dhe Europa po ia dalin. Presidenti i Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi, do të bëjë ç'është e mundur, për ta shpëtuar Euron.
Sfidë e re
Spektakli i bashkimit trajton edhe temën aktuale të refugjatëve në Europë. Shumica duan të vijnë në Gjermaninë e bashkuar. Kjo krizë është një sfidë për Europën e bashkuar dhe të hapur, në të cilën tani përkohësisht po mbyllen kufijtë.
Të tregosh kontekstin
"Ne nuk donim t'i heshtnim krizat", thekson ambasadori gjereman në BE, Reinhard Silberberg duke shpjeguar konceptin e spektaklit. Qëllimi është të tregojmë kapërcimin e ndarjes gjermane dhe zhvillimin e Europës. "Festa është edhe në shenjë falenderimi ndaj qytetarëve të Brukselit, sepse ne jemi këtu vazhdimisht mysafirë."
Tinguj bashkimi
Nuk ka vetëm video-instalacione, por rreth 20.000 vizitorëve në Jubelpark u ofrohen edhe evente muzikore nga DJ ndërkomëbtarë. Tingujt dëgjohen shumë larg edhe përtej kuartierit të Europës.
Berlini në Bruksel
Me drita në projektim tredimensional në harkun e triumfit në Bruksel shfaqet edhe Porta e Brandenburgut në Berlin, ndonëse këtu me dy kolona më pak. Për një ditë në "Jubelpark" do të brohoritet për themelimin e shtetit gjerman e jo të atij belg. Spektatorët belg e pranojnë të çlirët këtë.