Barra e së shkuarës: Padia e Serbisë e Kroacisë për gjenocid
2 Shkurt 2015Në paditë për gjenocid të ngritura përkatësisht nga Kroacia kundër Serbisë dhe nga Serbia kundër Kroacisë pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për Krimet e Luftës bëhet fjalë për klasifikimin juridik të krimeve të panumërta serbe dhe kroate gjatë luftës mes viteve 1991- 1995, që asokohe coptoi Jugosllavinë. Vetëm në Kroaci gjetën vdekjen atëherë mbi 13.000 vetë. Konkretisht padia kroate i referohet bombardimit të qytetit Vukovar nga ushtria e kontrolluar prej Beogradit, si dhe masakrës ndaj civilëve, që kanë kryer forcat paraushtarake serbe në lindje të Kroaicsë. Kundërakuza serbe bën fjalë për krime lufte të Ushtrisë Kroate aty nga fundi i luftës. Asokohe gjatë aksionit "Oluja" ("Stuhija") u vranë qindra civilë dhe deri në 200.000 serbë u detyruan të arratisen prej Kroaicsë, prej nga pjesë të tëra të vendit "u spastruan etnikisht".
Moszbardhja e krimeve
Deri tani në proceset për luftrat në Jugosllavi ka pasur një qendrim disi të rezervuar sa i përket akuzave për gjenocid. Tribunali i Hagës për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi deri tani ka klasifikuar si gjenocid vetëm vrasjet masive në Srebrenicë. Në këtë rast nuk u shpall Serbia fajtore si shtet, por Ushtria e Serbëve të Bosnjes si dhe njësi të ndryshme praushtarake. Zijah Beqiroviç nga Instituti rajonal për Studime Ballkanike në Ljubjanë nuk parashikon që nga vendimi aktual do të ndryshojë diçka në praktikën e deritanishme. Kjo edhe për arsyen, se vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare shpesh - sipas tij - janë një lloj kompromisi mes fuqive të mëdha, të cilat nuk kanë interes, që njërën palë ta paraqesin fituese dhe tjetrën humbëse. "Këtu ka edhe një absurditet juridik: apelimi nuk lejohet dhe revizioni është pothuajse i përjashtuar", i thotë Beqiroviç DW.
Megjithatë gjykimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës nuk do të jetë fjala e fundit në luftën e vazhdueshme që zgjat prej vitesh mes dy vendeve fqinjë lidhur me luftën. Kroacia e dorëzoi padinë në vitin 1999, kur qeverisnin Franjo Tuxhmani në Zagreb dhe Sllobodan Milosheviçi në Beograd. Tani që të dy kanë vdekur prej kohësh, por as udhëheqjet e mëvonshme shtetërore deri më sot nuk e kanë marrë guximin, që t'i tërheqin paditë, ndërkohë që Serbia e ka dorëzuar kundërakuzën e saj në vitin 2008. "Çdo garniturë pushtetmbajtëse në Kroaci e Serbi ka qenë nën darën e politikës së vet, e cila karakterizohet prej të ashtuquajturve projekte kombëtare. Tërheqja e kundërakuzës për gjenocid sipas kësaj logjike do të nënkuptonte detyrimisht dështim në politikën e brendshme", thotë politologu kroat Jaroslav Peqnik. Sipas tij, në këtë sfond paditë nuk duhen marrë seriozisht, sepse politikanët e të dy vendeve nuk kanë në qendër të vëmendjes viktimat dhe drejtësinë - i thotë Peqnik DW-së - ata duan thjeshtë që të demonstrojnë pushtetin politik."
E keqja e madhe është, se edhe forcat e quajtura socialdemokrate në të dyja vendet e kanë nxitur dhe shfrytëzuar frymën nacionaliste, mendon Aleksandar Popov, drejtues i Qendrës për Rajonalizim në Serbi. "Politikanët i shmangen trajtimit me ndershmëri të së shkuarës, sepse këtu duhet të përfshihen edhe krimet vetiake. Por pa një përballje me të shkuarën krimet vazhdimisht do të fshihen", komenton Popov. Zijah Beqiroviç përmend edhe një arsye tjetër për zbardhjen e çalë të së kaluarës: ai vlerëson se rreth 500.000 njerëz në ish-Jugosllavi kanë qenë aktiv në luftra - mijëra prej tyre kanë qenë të përfshirë direkt ose indirekt në krime të ndryshme. Për gjykatat ndërkombëtare kjo është shumë. "Nëse gjykatat vendase vazhdojnë t'i mbulojnë krimet e kryera brenda korpusit të tyre, atëherë nuk do të ketë përparime", thotë eksperti.
Marrëdhëniet mbeten të ftohta
Raportet mes dy vendeve ballkanike Serbisë dhe Kroacisë ndodhen gjithsesi në "gjendje qetësie" qëkurse Serbia ka një udhëheqje konservatore, thotë Aleksandar Popov. Presidenti Tomislav Nikoliq dhe kryeministri Aleksandar Vuçiç – që sot tregohen si përkrahës të BE-së – janë nxënësit e ultranacionalistit Vojislav Sheshelj, i cili ndërkohë pret në Beograd gjykimin e Tribunalit të Hagës. Kroatët nuk mund ta harrojnë rolin e kësaj trioje, që në vitet 90-të të luftës organizonin çetnikët serbë dhe i dërgonin në front. "Nga ana tjetër, edhe kroatët aktualisht kanë zgjedhur presidenten konservatore Kolinda Grabar-Kitaroviç, e cila shpesh jep deklarata problematike për Serbinë. Vendimi ndaj akuzave për gjenocid mund ta nxisë edhe më shumë këtë", thotë Popov.
Nga ana tjetër nuk mungojnë as çështje të tjera me potencial grindjeje. Si p.sh. çështja e hapur e të zhdukurve gjatë luftës si dhe grindja e vazhdueshme mbi të drejtat e pakicave përkatëse në secilin vend. Gjithashtu kufijtë mes dy vendeve përgjatë lumit Danub janë në disa pika të diskutueshme. Ndonëse këto dy vende kanë mënyra të njëjta të të menduarit të klasave politike, siç pohojnë ekspertët në bisedë për DW, ato kanë pozicione të ndryshme. Si anëtare e BE-së Kroacia përjetoi politikën e kërbaçit dhe kulaçit, thotë Pecnik, ndërsa kandidatja për në BE, Serbia, është e varur tani edhe nga qendrimi i Zagrebit. „Kroacia do ta përdorë këtë kartë derisa dikur Angela Merkel – ose një tjetër Angela Merkel – të vijë e t'i thotë, që tani loja ka marrë fund.“ Por kjo mund të zgjasë. Serbia në rastin më të mirë vetëm pas shtatë vjetësh do të mund të jetë pjekur për antarsimin në BE.