1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bankat qendrore në grackë

Zhang Danhong / E. Xhani27 Shtator 2013

Prej pesë vjetësh bankat emetuese po i mbysin me para tregjet financiare. Ndërkohë po bëhen të dukshme efektet shoqëruese negative. Ka ardhur koha për t'i dhënë fund politikës monetare liberale?

https://p.dw.com/p/19pVE
Fotografi: picture-alliance/dpa

Një gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë më parë: normat orientuese të interesit në SHBA dhe Japoni prej vitesh janë afër nivelit zero. Muaj për muaj FED (Federal Reserve) dhe Banka e Japonisë japin miliarda për blerjen e obligacioneve shtetërore. Banka Qendrore Evropiane është pak më e përmbajtur. Por edhe ajo po e mban në nivel historikisht të ulët prej 0,5 për qind normën orientuese të interesit dhe ka grumbulluar tituj borxhi të vendeve në krizë. Gjithsej shumat e bilanceve të bankave emetuese në vendet e industrializuara janë trefishuar nga tre bilionë dollarë në filim të 2007 në plot dhjetë bilionë aktualisht.

"Ato donin në të vërtetë të rikthenin besimin në sistemin bankar dhe të pengonin që ai të shpërbëhej", shpjedon Martin Hüfner, kryeekonomist pranë Assenagon Investments në Mynih. Pas falimentimit të Lehman Brothers, tregtia ndërbankare u pezullua pasi bankat nuk kishin besim tek njëra-tjetra. Atëherë erdhën në ndihmë bankat emetuese, në mënyrë që kriza financiare të mos infektonte ekonominë reale. A është rikthyer ndërkohë besimi?

Banka zombi dhe tregje fantazëm

"Jo, besimi nuk është rikthyer. Veçanërisht në Evropë tregu monetar ndërevropian ende nuk funksionon", thotë Hüfner në bisedë me Deutsche Welle. Para së gjithash shumë banka jugevropiane janë të varura nga paratë e Bankës Qendrore Evropiane. Shprehur ndryshe, paratë e lira po mbajnë artificialisht në jetë institute që nuk mbijetojnë dot me forcat e veta. Por ekonomisti Hüfner nuk shqetësohet vetëm nga bankat zombi por tregje të tëra financiare të kësaj natyre: "Sot nuk kemi më tregje të arsyeshme financiare. Kemi tregje zombi ku nuk mungojnë më paratë çka është në fakt kusht për një ekonomi tregu; ku mekanizmi i çmimit nuk funksionon më, pasi interesat janë gati zero."

Martin Hüfner, kryeekonomist i Assenagon.
Ligjet e tregut janë shfuqizuar, thotë Martin HüfnerFotografi: Assenagon

Për kursimtarët kjo politikë liberale monetare është thuajse si një shpronësim, pasi interesat shumë të ulëta që marrin nga kursimet e tyre, janë edhe më të ulëta se inflacioni. Shumë prej tyre përpiqen të gjejnë shpëtim duke investuar në aksione, gjë që ka shkaktuar një fluskë në tregjet e kapitalit. Të tjerë shohin tek imobiljet një alternativë fitimprurëse investimi. Por edhe aty ka rrezik, "që të kemi përsëri një flluskë imobiljesh, e cila mund të shpërthejë dhe të shkaktojë sërish një krizë", thotë Roland Vaubel, profesor për politikë monetare në Universitetin e Mannheim-it. Për hapësirën e euros ai konstaton rritje të sasisë së parasë në qarkullim, një shenjë për inflacion.

Inflacioni është tashmë i pranishëm

"Agregati M1 i sasisë së parasë aktualisht po rritet me një normë vjetore prej 7,5 për qind", thotë Vaubel në intervistë me DW. "M1" në politikën monetare përfaqëson paratë në qarkullim dhe të gjitha depozita e klientëve në banka, të cilat mund të kthehen menjëherë në para. Në politikën e saj monetare Banka Qendrore Evropiane i kushton vëmendje kryesisht agregatit "M3", i cili përfshin edhe depozitat e kursimit dhe ato me afat. "Ky është një agregat që i shfaq me mjaft vonesë problemet", thotë eksperti nga Mannheim-i. Një studim i vetë Bankës Qendrore Evropiane ka treguar se norma e inflacionit reagon me një vonesë prej dy deri tre vjetësh ndaj politikës monetare.

Profesori i ekonomisë Roland Vaubel nga universiteti i Mannheim-it
Ka ardhur koha që politika monetare të ndryshojë, mendon Roland Vaubel.Fotografi: Uni Mannheim

Sipas mendimit të tij shefat e bankave qendrore duhet të veprojnë që këtë vit ose më e vonëta në gjysmën e parë të 2014. Por Vaubel nuk beson se bankat qendrore do t'a arrijnë këtë. Shumë janë tashmë të varura nga droga e ëmbël e parave të lira: tregjet financiare, bankat dhe shtetet me borxhe të larta. Edhe tek Banka Qendrore Evropiane (BQE) Vaubel nuk sheh shenja për ndryshim të politikës monetare, "pasi në BQE ekziston një koalicion shumice i vendeve evropianojugore, të udhëhequra nga Franca, që nuk do ta ndryshojnë shpejt drejtimin e politikës monetare. Dhe pak inflacion sipas këndvështrimit të vendeve me borxhe të larta, është madje disi tërheqës pasi kështu borxhet shtetërore mund të zhvlerësohen në terma realë."

Vaubel pret që në Evropë në gjysmën e dytë të këtij dhjetëvjeçari të ketë norma shtrenjtimi prej 5 për qind. Dhe nëse norma e inflacionit arrin këtë nivel, një spirale negative e pritjeve për inflacionin mund të shkaktonte rritje edhe më të madhe.