1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bankat e Greqisë e pengojnë zhvilllimin

Marianthi Milona /Selanik11 Prill 2015

Në një kohë që kryeministri grek, Aleksis Cipras lufton për të marrë injeksionet e radhës me para nga Evropa, biznesmenët dhe qytetarët grekë ndihen të lënë në baltë në vendin e tyre nga bankat greke.

https://p.dw.com/p/1F65z
Pamje simbolike - ekonomia greke 2015
Fotografi: picture-alliance/AP/Petros Giannakouris

"Në njëfarë mënyrë ai ka të njëjtin hall si ne", deklaron Jiannis Kounavis, duke hapur grilën e dyqanit të tij me vegla pune në qendër të Selanikut. Ai ka muaj që e ndjek në televizor luftën e kryeministrit të ri për të marrë para shtesë dhe e kupton si ndihet ai: kur ke nevojë para dhe nuk ke askënd që të ta japë. Si ndihesh kur të mbarojnë paratë, biznesmeni me përvojë e ka ndierë në lëkurën e vet. Pak para se të shpërthente kriza në Greqi, dyqani i tij gumëzhinte nga njerëzit. Pastaj hap pas hapi iu desh të shihte si i pakësoheshin të ardhurat. Pa kaluar shumë kohë, nuk qe në gjendje të paguante në kohë as tregtarin e shumicës, as të paguante qiranë, pa folur për sigurimin shëndetësor.

Edhe banka e tij i bën bisht

Kur në tregtinë me shumicë papritur nuk i dhanë më kredi dhe iu desh që blerjet t'i paguante me para në dorë dhe menjëherë, Jiannis vendosi të shkonte te banka e tij. Si klient serioz prej shumë vitesh, ai besonte se nuk do ta kishte problem, të merrte kredi. Qeveria greke, atëherë nën Antonis Samaras, sapo i kishte marrë kreditë e para nga Evropa, për të mbështetur ekonominë greke.

Por megjithëse të gjitha bankat në faqet e tyre zyrtare në internet kërkojnë prej qytetarëve grekë që të paraqesin lutje për kredi, realiteti është krejt tjetër. "Unë kam shkuar në të gjitha bankat e qytetit dhe kam kërkuar kredi, por asnjëra nuk më dha", thotë Jiannis Kounavis, dhe fytyra i skuqet nga zemërimi. Ai nuk është rast i veçantë. Aktualisht, katër nga pesë biznesmenë thonë se kanë përvoja të ngjashme.

Biznesmeni Kostas Laliotis është i zhgënjyer nga bankat greke
Biznesmeni Kostas Laliotis është i zhgënjyer nga bankat grekeFotografi: DW/M.i Milona

Asgjë nuk hyn në ekonomi

"Këta njerëz i kanë përdorur paratë e BE për të rregulluar hallet e tyre. Por këto shuma duhet të futeshin në ekonomi dhe në tregti, në mënyrë që tregu i brendshëm të lulëzojë sërish", përforcon edhe Kostas Laliotis, kolegu i tij në dyqanin ngjitur. Dyqani i tij i pajisjejeve elektronike ka vite që ka marrë tatëpjetën. Pa kredi nga banka, ai nuk do të jetë më në gjendje të rezistojë, thotë Laliotis.

Kredi fare të vogla do të ndihmonin

"Mos kujtoni, ju lutem, se për momentin kërkohen kredi të larta! Shumica e njerëzve duan pesë deri në dhjetë mijë euro, për ta rimëkëmbur dyqanin e tyre dhe për ta mbushur me mallra të reja, në mënyrë që të rritet sërish qarkullimi ynë." Por për këto shuma të vogla, bankat kërkojnë kaq shumë siguri, sa askush nuk i jep dot. Jiannis Kounavis e ka provuar deri tani katër herë. Pa sukses.

Jiannis Kounavis nuk e di ende në ç'gjendje do të jetë Greqia pas dy vjetësh, por për momentin ai i keqkuptuar nuk ndihet nga donatorët e BE. Ndihet i braktisur nga partnerët e tij të biznesit. "Kur nuk na mbështesin bankat tona, si mund të kërkojmë ndihmë nga partnerët tanë evropianë?"