1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BQE ka blerë me miliarda euro obligacione të shteteve jugore

4 Gusht 2022

Miliardat janë përdorur për të blerë kryesisht obligacione të Italisë, por edhe të Spanjës, Portugalisë e Greqisë. Ekspertët konstatojnë edhe pakësim të fondeve të Gjermanisë e të shteteve të tjera, shkruan Auron Dodi.

https://p.dw.com/p/4F57E
Christine Lagarde, 15.06.2022
Christine LagardeFotografi: Peter Nicholls/REUTERS

Banka Qendrore Evropiane ka shpenzuar së fundi miliarda euro për të blerë obligacione të Italisë, Greqisë, Spanjës dhe Portugalisë bëjnë të ditur agjencia e lajmeve Bloomberg dhe Tagesschau, shërbimi i lajmeve i televizionit publik gjerman ARD.Blerjet neto të obligacioneve nga Italia, Spanja, Portugalia dhe Greqia kapin shumën 17,3 miliardë euro, bëhet e ditur.

Vetëm për të blerë obligacionet e Italisë, Banka Qendrore Evropiane ka shpenzuar 9,8 miliardë euro.

Pakësim i obligacioneve të Gjermanisë dhe shteteve të tjera

Analistë të bankës gjermane Commerzbank i thanë tagesschau se ky hap ka synuar t'u sinjalizojë tregjeve se Banka Qendrore Evropiane (BQE) është e gatshme të ndërhyjë, kur është e nevojshme. Një rrethanë e tillë është p.sh. rritja në treg e primit të riskut për obligacionet e Italisë, krahasuar me ato të Gjermanisë. Rritja e madhe e dallimit midis primeve të obligacioneve të këtyre dy vendeve është njëri nga kriteret e aktivizimit të BQE.

Belgien Brüssel | EU Treffen - Christine Lagard und Valdis Dombrovskis
Fotografi: Olivier Matthys/AP/picture alliance

Fakti që dallimi në primin për riskun për obligacionet e Italisë dhe Gjermanisë ra javët e fundit në 2,1 përqind nga 2,5 përqind sa ishte, u sugjeron analistëve se BQE ka ndërhyrë në treg. Këtë e sugjeron sipas Bloomberg-ut edhe pakësimi në korrik, me 18,9 miliardë euro i fondeve të maturuara të programit të pandemisë, nga obligacionet në euro në banka të Gjermanisë, Francës dhe Holandës. Bloombergu u referohet statiskave të dy muajve të fundit të publikuara nga Banka Qendrore Evropiane.

Shtete donatore dhe shtete marrëse

Me ngritjen e programit të pandemisë, për ta organizuar blerjen e obligacioneve, sipas Bloomberg-ut eurozona u nda në tre kategori: në donatorë, ku përfshihet Gjermania, Franca dhe Holanda; në marrës, që janë Italia, Greqia, Spanja dhe Portugalia dhe në të ashtuquajturit neutralë.

Christine Lagarde
Fotografi: Zheng Huansong/XinHua/dpa/picture alliance

Për ta mbajtur monedhën e euros stabile, Banka Qendrore Evropiane ka ndërtuar vija mbrojtjeje. Vija e parë e mbrojtjes është PEPP (Pandemic Emergency Purchase Programme), programi i blerjeve emergjente për shkak të pandemisë. Ky instrument mendohet se është përdorur edhe në këtë rast.

Në qershor, Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde thirri një mbledhje urgjente, pas rritjes së dallimit në riskun për obligacionet midis Italisë dhe Gjermanisë.

BQE, Frankfurt
Fotografi: Daniel Roland/AFP

Në mbledhje Lagarde paraqiti edhe një instrument të ri kundër fragmentimit në eurozonë: TPI, Transmission Protection Instrument. Me këtë instrument mund të bëhen blerje të qëllimshme dhe pa kufi të obligacioneve të vendeve të zhytura në borxhe, gjë që i ul shpenzimet për financimin e borxheve nga këto shtete. "TPI ofron mundësi për ta qetësuar tregun, që edhe vendet e zhytura në borxhe t'i përballojnë normat e larta referuese të interesit", i tha tagesschau-t Antje Praefcke nga Commerzbank.

Qëndrime "tolerante" nga Këshilli i Bankës Qendrore Evropiane

Që një vend të ketë të drejtë të shfrytëzojë këtë instrument krize, ai duhet të ndjekë një politikë në parim solide financiare buxhetore si dhe një politikë makroekonomike të qëndrueshme. Ekspertë gjermanë kritikojnë se këto kritere janë shumë të përgjithshme.

Meqenëse Këshilli i Bankës Qendrore Evropiane aktualisht dominohet nga "pëllumbat" (= mbështetës të politikës jo të rreptë financiare, në dallim nga "skifterët"), ndër ta përfaqësues të vendeve të zhytura në borxhe, pritet një qëndrim tolerant ndaj një kërkese nga një shtet për ta shfrytëzuar këtë instrument krize. Vende si Italiamund ta shfrytëzojnë shpejt këtë instrument, pasi dorëheqja e kryeministrit Mario Draghi i ka turbulluar tregjet e bondeve.