Rusët dhe Banka e Qipros
23 Shtator 201330 gradë dhe shumë diell ëmbëlsojnë fillimin e vjeshtës. Një shëtitore e gjatë buzë detit, restorante ekskluzive dhe hotele luksozë, palma kudo që hedh sytë. Limasol është metropoli portual në gjirin e Akrotirit dhe qyteti i dytë më i madh në Qipro, ku turizmi vlon ashtu si dhe biznesi i dyqaneve. Limasol është edhe qendra financiare e Qipros. Shumë firma nga vende të tjera i kanë qendrat atje. Administratë miqësore ndaj biznesit, taksa të ulëta dhe një klimë e mirë investimesh, tërheqin investuesit: "Qipro ka qendrim miqësor ndaj investuesve të huaj. Investues nga e gjitha bota, Evropa e Jugut apo Perëndimore, Afrika apo Azia, investojnë këtu paratë e tyre", thotë Michael Sobolev, një konsulent financiar rus nga Limasoli.
Hiperinflacioni, tatimet në rritje dhe një sistem i pasigurt ligjor në Rusinë e viteve 1990, bëri që shumë rusë të angazhoheshin në masë të madhe në Qipro. Sot ata janë ndër investuesit më të mëdhenj të ishullit. "Investuesit rusë nuk ishin kudo të mirëpritur. Në Qipro është ndryshe, këtu rusët shihen me sy të mirë." Jo vetëm mundësitë e favorshme të investimit luajnë një rol, edhe situata gjeografike duket se e shton aftësinë tërheqëse të ishullit: "Sipërmarrësit rusë e shohin Qipron si një pikë të mirë nisje për tregje të tjera, p.sh, në Afrikë, Evropë dhe Azi", thotë Sokolov.
Por për një moment u duk sikur parajsa financiare po shkërmoqej. Për një kohë të shkurtër rusëve po u rrëshqiste trualli nën këmbë.
Rruga tjetër
Në 25 qershor 2012 Qipro paraqiti një kërkesë për mbështetje financiare: që në atë moment të dy bankat më të mëdha të vendit kishin mungesë të theksuar financimi. Ndihma erdhi plot një vit më vonë. Gjithsej 10 miliardë euro iu premtuan shtetit të vogël ishull, ndihma do të jepet me këste nga 2013 deri 2016. Por në këmbim donatorët, pra BE, FMN dhe Banka Qendrore Evropiane presin krahas reformave të zakonshme si shkurtim vendesh pune, shkurtim shpenzimesh dhe rritje të taksës mbi bizneset, edhe masa të pazakonta.
Ndër to edhe pjesëmarrjen e kreditorëve në shpëtimin e Bankës së Qipros (një të ashtuquajtur 'bail-in', dhe likuidimin e Bankës Laiki, banka e dytë më e madhe e vendit. Bëhet fjalë për ato banka të cilat në 2011 kishin kaluar me sukses testin e qendrueshmërinë (stres test) nga autoriteti evropian i mbikëqyrjes.
U bë e qartë se situata në Qipro ishte e veçantë dhe kërkonte masa të jashtëzakonshme", shkruan Komisioni i BE-së duke iu përgjigjur një kërkesë të DW-së. 'Bail-in' quhet masa e jashtëzakonshme, për të cilën edhe brenda vetë BE-së nuk ekzistonte një bazë ligjore në atë moment. Aktualisht Komisioni dhe Parlament i BE-së dhe shtetet anëtare, po diskutojnë për një përdorim ligjor të bail-in në BE, që pritet të hyjë në fuqi në vitin 2018.
Gjatë zbatimit të bail-in shumë kursimtarë dhe kreditorë në Qipro, humbën një pjesë të pasurisë së tyre. Para së gjithash investuesit rusë u goditën fort nga kjo masë. "Rusia e pati ndihmuar Qipron me një kredi (në vitin 2011, sh.red.). Në sytë e shumë qipriotëve, Rusia kontribuoi kështu në stabilizimin e ekonomisë së vendit. Hapi i ndërmarrë nga Trojka dëmtoi interesat e sipërmarrësve rusë, gjë që ngjalli reagime negative", thotë Yaroslav Lissovolik nga Deutsche Bank në Moskë. Por ata që u panë si humbësit e mëdhenj, në fund mund të rezultojnë fituesit e mëdhenj, pasi ideatorët e bail-in kanë harruar apo nuk kanë dashur të shohin diçka.
Ironia e fatit
Kur u vendos që Banka e Qipros të shpëtohet përmes bail-in, ishte e qartë se njerëzit që humbën depozitat e kursimit, do të merrnin në këmbim aksione, pra tituj pronësie të bankës. "Kjo është tipike në një bail-in", thotë Sofronis Clerides, ekspert ekonomie në Universitetin e Qipros. "Vendimi për një bail-in ishte i çuditshëm, pasi arsyeja e vërtetë ishte të përfshihen depozitat e mëdha ruse në shpëtimin e bankës, dhe jo taksapaguesit. Por rezultati ishte, që të njëjtët oligarkë rusë, janë tani aksionerë të bankës. Çfarë ironie! Pyes veten nëse përkrahësit e bail-in e kishin menduar këtë që në fillim. Kjo në të vërtetë ishte e parashikueshme", thotë Clerides.
Gati 50 për qind e depozitave të investuesve të mëdhenj pranë Bankës së Qipros u kthyen në aksione, pjesa tjetër i nënshtrohet kontrolleve të tjera të kapitalit. Rreth 50 deri 60 për qind e të gjitha aksioneve të Bankës së Qipros, sipas informacioneve të medies janë në duar ruse. Gjashtë nga 16 anëtarët e bordit të ri të drejtorëve të Bankës së Qipros janë rusë, ndër ta edhe Vladimar Strzhalkovskiy, ish drejtori ekzekutiv i prodhuesit rus të nikelit 'Norilsk Nickel' dhe ish kolegu në KGB i Vladimir Putinit. "Ata (Trojka, sh.red.) deshën t'i nxirrnin jashtë rusët por në fund i dorëzuan atyre bankën tonë më të madhe", citon Nju Jork Tajms presidentin e Qipros, Nikos Anastasiades.
Qipro, një nxënëse e mirë
Me zgjedhjen e bordit të ri të drejtorëve shumë ekspertë shpresojnë një normalizimin të Bankës së Qipros dhe rikthimin tek biznesi i përditshëm, me ose pa rusët. "Kemi ende kontrolle të kapitalit, nuk është e mundur të tërheqësh depozita kursimi afatgjata. Madje edhe kush kërkon të transferojë para jashtë shtetit, ka nevojë për leje. Ose kur dikush do të rinovojë banësen, duhet të sigurojë që paratë i duhen vërtet për rinovimin dhe nuk do të transferojë para jashtë vendit", shpjegon Sofronis Clerides nga Universiteti i Qipros.
Clerides është optimist që Qipro është në rrugën e duhur: reformat po ecin përpara, masat e kursimeve po vihen në jetë. "Por të rrisësh taksat apo të ulësh të ardhurat është e lehtë. Kemi përpara sfida më të mëdha, p.sh. reformën në sektorin publik apo privatizimet. Këto do të jenë të vështira."
Megjithatë jo të pamundura pasi, të paktën siç duket, qipriotët nuk shohin rrugëdalje tjetër veç zbatimit të këtij plani. "Njerëzit këtu në Qipro kanë humbur më shumë se në Greqi, kanë humbur pasuritë, kursimet e mbledhura për vite me radhë apo kapitalin e sipërmarrjes. Por ata nuk demonstrojnë si në Greqi. Ata sillen me qetësi dhe kjo krijon kushte për reforma, të cilat janë aktualisht shumë të rëndësishme për shtetin qipriot", thotë Sofronis Clerides.