1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ballkani Perëndimor nuk do të shndërrohet në Hotspot

Zoran Arbutina5 Mars 2016

Vendet në itinerarin ballkanik deri tani i kanë lejuar refugjatët të kalojnë tranzit. Por tani frikësohen, se shumë refugjatë mund të mbeten në këto vende - dhe shpresojnë, që Gjermania të gjejë një zgjidhje për krizën.

https://p.dw.com/p/1I7X3
Griechenland Flüchtlinge an der Grenze zu Mazedonien bei Idomeni
Fotografi: Reuters/M. Djurica

Kur të hënën (07.03) kryetarët e qeverive dhe të shteteve të BE-së dhe Turqisë do të konsultohen lidhur me zgjidhjet për krizën e refugjatëve, kjo do të ndiqet me shumë vëmendje prej të ftuarve nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Dy vende të rëndësishme përgjatë itinerarit ballkanik - Maqedonia dhe Serbia - ndonëse nuk do të jenë të pranishëm në tryezën e bisedimeve, do të ndjekin me vëmendje atë që do të diksutohet në Bruksel. Sepse jo vetëm ajo për çfarë do të bihet dakord atje, por edhe shumë çështje vetëm të menduara i kanë pasojat thuajse të drejtpërdrejta përgjatë itinerarit ballkanik.

Në intervistë për DW lidhur me ashpërsimin e politikës së mbrojtjes së kufirit të vendit të tij, komisari serb për refugjatët Vladimir Cucic e shmangu të gjithë përgjegjësinë nga vetja: "Unë ju siguroj, që vendime të tilla varen nga vendet e destinacionit të refugjatëve - Gjermania, Austria apo Suedia." Ndërsa presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov bën të qartë: "Sapo një vend në veri të kufijve tanë i mbyll kufijtë, edhe ne do të bëjmë të njëjtën gjë."

Një sinjal nga Perëndimi

Ky qëndrim i vendeve të Ballkanit nuk është i ri. Kështu ndodhi edhe pas samitit BE-Ballkan në tetor 2015 në Bruksel. Në këtë takim u fol për masat kundër kaosit në itinerarin ballkanik. Ende pa ardhur pjesëmarrësit sërish në shtëpi, erdhën e-maila nga Sllovenia përmes Kroacisë në Serbi e më në fund edhe në Maqedoni. Pasoja: ndnonëse në dokumentat zyrtarë ende nuk ishte përcaktuar, menjëherë u lejuan të kalojnë nga Greqia drejt veriut vetëm refugjatët nga Siria, Iraku dhe Afganistani, shpjegon Ksenija Milenkovic, drejtore e Zyrës serbe të Integrimit Europian, SEIO, në Beograd. Të gjithë të tjerëve iu ndalua udhëtimi i mëtejshëm. Pra mesazhi u kuptua qartë, thekson Milenkovic.

Griechenland Flüchtlinge an der Grenze zu Mazedonien bei Idomeni
Refugjatë në kufirin me MaqedoninëFotografi: Reuters/M. Djurica

Kur Gjermania nisi diskutimin, nëse refugjatët nga Afganistani janë vërtetë refugjatë lufte, vendet e itinerarit ballkanik nuk ngurruan aspak, por menjëherë i shpallën afganët si refugjatë ekonomikë dhe i penguan të vazhdojnë udhëtimin. "Ne jemi të gatshëm t'u ndihmojmë të gjithë njerëzve gjatë tranzitit, nëse vendet ku ata synojnë të shkojnë janë të gatshëm t'i pranojnë", thotë komisari serb për refugjatët Cucic - dhe heq çdo përgjegjësi nga vetja: "Prej kohësh flitet, që afganët të mos lejohen më të udhëtojnë më tej. Ky nuk ishte vendimi ynë."

Harmoni e pazakontë

Rrallëherë vendet e Ballkanit kanë qenë kaq në unanimitet dhe rrallëherë ka pasur kaq shumë harmoni mes elitave politike dhe popujve përgjatë itinerarit ballkanik, sa aktualisht lidhur me temën e refugjatëve. Pothuajse njëzëri përsërisin Greqia, Maqedonia, Serbia, Kroacia dhe Sllovenia, se ne nuk jemi destinacioni. Refugjatët vetëm duan të vazhdojnë udhëtimin dhe ne vetëm ofrojmë ndihmë logjistike. Në harmoni të pazakontë Shkupi, Beogradi dhe Zagrebi theksojnë vazhdimisht: "ne me siguri që nuk do të shndërrohemi në Hotspot."

"Thuhet se ne jemi vetëmnjë vend tranziti, refugjatët duan te vazhdojnë udhëtimin për në Gjermani, ai është për ta vendi i ëndërruar, ne s'kemi të bëjmë me këtë." Kështu e shpjegon qendrimin e vendeve të rajonit Andjelko Milardovic nga instituti për migracionin në Zagreb. Edhe shifrat e konfirmojnë këtë: vitin e kaluar sipas vlerësimeve të vendeve ballkanike kanë kaluar përmes këtij itinerari mbi 800.000 refugjatë, por në Maqedoni janë parashtruar vetëm 1578 kërkesa për azil, në Serbi tetë dhe në Kroaci, një vend anëtar i BE-së vetëm 211.

Për muaj me radhë qindra mijëra refugjatë janë përcjellë në kufijtë e tjerë deri në "vendet pritëse", siç i quajnë në itinerarin Ballkanik Austrinë, Gjermaninë apo Suedinë.

Tani mbizotëron frika

Ndërkohë situata ka ndryshuar: qëkurse Austria në fillim të shkurtit deklaroi, se do të pranojë çdo ditë vetëm 80 kërkesa për azil dhe ka përcaktuar një kuotë maksimale vjetore prej 37.500, vendet e tranzitit janë alarmuar. Askush nuk do, që refugjatët të mbeten në vendin e vet. Në Maqedoni kufiri me Greqinë po bllokohet, ndërsa Kroacia po mendon të dërgojë ushtrinë për mbrojtjen e kufijve. E madje edhe vendet, që deri tani kanë qenë të paprekur nga vala e refugjatëve, po shqetësohen nga mundësia e gjetjes së rrugëve alternativë. Ministrja shqiptare e Integrimit Klajda Gjosha tërheq vëmendjen, për një "numër të madh" refugjatësh, që presin të lejohen të kalojnë në Shqipëri, ndërsa kryeministri bullgar Boiko Borissow ka udhëzuar stërvitje të përbashkëta të policisë dhe ushtrisë në rajonet kufitare me Greqinë dhe Maqedoninë.

Tani qeveritë e vendeve përgjatë itinerarit ballkanik presin me interes rezultatet e samitit BE - Turqi. Të gjithë e kanë përqendruar vëmendjen tek Gjermania. "Gjermania është shteti më me influencë në BE dhe destinacioni i shumicës së refugjatëve. Në vend që të llogarisë me kuota dhe të përpiqet t'i bllokojë refugjatët, Gjermania ka tani shansin, të gjejë një zgjidhje parimore dhe gjithëpërfshirëse për krizën e refugjatëve", thekson sociologu beogradas dhe blogger-i Dario Hajric duke përmbledhur kështu pritshmëritë e Serbisë. Nëse nuk arrihet, kjo, do të vazhdojë izolimi i Europës, thotë Hajric. Ai paralajmëron: "Nëse Europa vendos të ndjekë Hungarinë dhe të vazhdojë të ndërtojë mure, atëherë do të mbetet një shoqëri e shëmtuar: vetëm me ksenofobinë e saj."