Ballkani në Mynih
8 Shkurt 2010Gjorgje Ivanov, i cili fliste në Konferencën e Sigurisë për herë të parë si president i Maqedonisë, në fjalën e mbajtur të shtunën paradite, shfrytëzoi rastin për të kritikuar bllokadën, që i bën fqinji jugor për integrimin e saj në NATO, duke e trajtuar e emrin "në mënyrë të pajustifikueshme dhe madje absurde si një problem sigurie", siç tha ai. Por ai shprehu edhe gatishmërinë e vendit të vet "për një zgjidhje të bazuar në ligjet dhe parimet ndërkombëtare, një zgjidhje në kuadër të rezolutave të OKB-së, një zgjidhje pa humbës dhe fitues." Greqia, e cila aktualisht është e zënë me një sërë problemesh më akute, përfaqësohej në konferencë në nivel nën-ministror.
Imami: Kontributi shqiptar në Nato i përballueshëm
Shqipëria përfaqësohej nga ministri i mbrojtjes Arben Imami, i cili merrte pjesë për herë të parë në Konferencën e Mynihut, si ministër i një vendi me të drejta të plota në NATO. Problemet kryesore të organizatës ushtarake 60-vjeçare, Afganistani dhe reformat e brendshme, u trajtuan në fundjavë edhe në takimin e ministrave në Stamboll. Krahas ndihmës shtesë, që do të japë Shqipëria në sektorin ushtarak dhe civil në kuadër të misionit të NATO-s në Afganistan, asaj i takon të paguajë edhe një kontribut financiar për reformat e nevojshme të organizatës së mbrojtjes veri-atlantike. Ministri i mbrojtjes Arben Imami e konsideron atë të përballueshëm: "Gjatë gjashtëmujorit të parë do të bëhet një vlerësim përfundimtar i nevojave dhe i mundësisë për reformë. Nga minimalja tek maksimalja, që mund të jetë, ne mund ta përballojmë pa problem", i tha ai Deutsche Welles, pa dhënë hollësi të mëtejshme për shumën.
Jeremiç takon Westerwellen
Pothuajse gjithmonë i pranishëm në Konferencën e Sigurisë është ministri i jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç, i cili në një takim me homologun e tij gjerman, Guido Westerwelle, të zhvilluar të shtunën pasdite, shfrytëzoi rastin të lobonte për antërësimin e vendit të vet në BE, dy muaj pasi Serbia parashtroi kërkesën për kandidaturë, edhe pse Marrëveshja e Stabilizim Asociimit nuk ishte ratifikuar ende. Siç bëjnë të ditur qarqet qeveritare nga Berlini, Westerwelle ka nënvizuar mbështetjen e Gjermanisë për integrimin e Serbisë në BE, por duke i bërë hapat në renditjen e duhur. Gjithashtu ministri gjerman e ka inkurajuar Serbinë që t'i qartësojë marrëdhëniet me Kosovën, bëjnë të ditur të njëjtat burime.
Autor: Anila Shuka
Redaktoi: Angjelina Verbica