Baerbock premton mbështetje më të madhe për Shtetet Baltike
20 Prill 2022"Ne jemi gati të angazhohemi edhe më shumë për sigurinë e partnerëve tanë," tha ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock përpara se të nisej për një vizitë treditore në shtetet baltike të Letonisë, Estonisë dhe Lituanisë.
Baerbock-u nuk dha detaje, por theksoi se "ne do të mbrojmë çdo centimetër katror të territorit të aleancës sonë të përbashkët kur të jetë e nevojshme." Në këtë kuadër, ushtria gjermane Bundeswehr-i ka rol komandues në praninë e NATO-s në Lituani.
Politikania e të Gjelbërve tha se Gjermania po jep kontributin e saj në riorientimin e sigurisë në Evropë. Qeveria gjermane mbështet Ukrainën në luftën e saj për mbijetesë - me armë, para dhe sanksione kundër Rusisë.
Gjatë vizitës së saj në shtetet baltike, Baerbock-u ritheksoi qëndrimin e qeverisë federale për të mos e furnizuar vetë me armë të rënda Ukrainën. Sipas forcave të armatosura gjermane, Bundeswehr-it, rezervat e Bundeswehrit janë shteruar. Megjithatë, është e mundur të vihen në dispozicion para, të trajnohen forcat e armatosura ose të dërgohen armë si një lloj shkëmbimi nëpërmjet vendeve partnere, tha Baerbock-u. Furnizmi me automjete të blinduara "nuk është tabu", por "Gjermania nuk ka asgjë për të ofruar në afat të shkurtër*. Kjo është arsyeja pse ne kemi rënë dakord me partnerët evropianë për një "shkëmbim". Këto shtete do të jepnin tanke ruse të disponueshme, më pas Gjermania do t'i zëvendësonte ato.
Ajo i siguroi shtetet baltike për mbështetje të plotë: Estonia, Letonia dhe Lituania mund të mbështeten 100 për qind te Gjermania. Siguria e Evropës është e lidhur pazgjidhshmërisht me sigurinë e shteteve baltike, theksoi politikania e Të Gjelbërve.
Baerbock ka takuar në Riga, kryeqyteti i Letonisë homologun e saj Edgars Rinkevics. Gjithashtu në plan është një takim me kryeministrin Krisjanis Karins. Pasdite, ministri do të marrë pjesë në konsultimet ndërmjet tre ministrave të Jashtëm të Baltikut, Rinkevics, Eva-Maria Liimets (Estoni) dhe Gabrielius Landsbergis (Lituani).
Vendet baltike janë të shqetësuara prej vitesh
Gjatë udhëtimit të saj, ajo donte të bënte të qartë se "Gjermania merr parasysh realitetet e reja, me gjithë ashpërsinë e nevojshme".
Gjermania ka shumë për të mësuar nga Letonia, Estonia dhe Lituania kur bëhet fjalë për mbrojtjen, vazhdoi ministrja. Për vite me radhë, Shtetet Baltike kanë investuar në sigurinë e furnizimit me energji, në infrastrukturën e TI, në qëndrueshmërinë e peizazhit mediatik dhe në aftësitë mbrojtëse. Në vendet baltike, njerëzit e kanë parë Rusinë me shqetësim për vite me radhë. "Dua të dëgjoj me vëmendje përvojat dhe pikëpamjet tuaja”, tha ajo.
Baerbocku në të njëjtën kohë kritikoi Putinin për shpërfilljen ndaj jetës njerëzore dhe të së drejtës ndërkombëtare, edhe ndaj shanseve të jetës dhe zhvillimit të popullit të tij. "Duke bërë këtë, ai gjithashtu shkatërroi pjesë të mëdha të arkitekturës evropiane të sigurisë, në të cilën ne jemi mbështetur gjatë dekadave të fundit dhe që ishte gjithashtu një garanci e sigurisë, veçanërisht për miqtë tanë në Evropën Lindore."
dw (dpa, br, rtr)