1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Baerbock takohet me Pelosin dhe Blinkenin në Uashington

6 Janar 2022

Në vizitën e saj të parë në Uashington, Ministrja e Jashtme gjermane Baerbock tërhoqi vëmendjen për rreziqet që kërcënojnë demokracinë.

https://p.dw.com/p/45DLm
USA Washington | Annalena Baerbock, Außenministerin & Antony Blinken, Außenminister
Fotografi: Mandel Ngan/REUTERS

Duke iu referuar përvjetorit të sulmit në Kapitolin e SHBA-së, politikania e të Gjelbërve tha se një vit më parë, gjermanët dhe evropianët e shikonin Uashingtonin me miqësi të thellë dhe të tronditur. Kuptimi se demokracia nuk bie nga qielli është një nga mësimet e 6 janarit 2021, tha Annalena Baerbock pas takimit me kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë takoi në kryeqytetin amerikan edhe homologun e saj Anthony Blinken. Situata në Ukrainë ishte në qendër të diskutimeve. Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania e kanë paralajmëruar Rusinë kundër një shkeljeje tjetër të sovranitetit të Ukrainës. Kjo do të kishte pasoja të rënda, tha Annalena Baerbock.

USA Washington | Annalena Baerbock, Außenministerin & Antony Blinken, Außenminister
Fotografi: Mandel Ngan/REUTERS

"Pozicioni i përbashkët i evropianëve dhe i qeverisë amerikane është bërë i qartë në shumë raste në mënyrë dypalëshe, por edhe në forume shumëpalëshe, dhe ne e ripërsëritëm këtë qëndrim dhe bashkërisht ritheksuam se veprimet dhe aktivitetet ruse vijnë me një çmim të qartë dhe një shkelje të përsëritur të Sovraniteti ukrainas nga Rusia do të kishte pasoja të rënda”.

Nuk duhet të ketë përshkallëzim të mëtejshëm në Ukrainë, tha ajo për ARD-në në mbrëmje. Në rast emergjence duhet të reagojmë me mjete diplomatike dhe mbi të gjitha ekonomike, shtoi ajo.

Evropa nuk do të anashkalohet

Baerbocku këmbënguli në pjesëmarrjen e Evropës në negociatat me Rusinë për zgjidhjen e krizës.

Sekretari amerikan i Shtetit Blinken theksoi se Evropa nuk do të anashkalohej.

Annalena Baerbock dhe Antony Blinken
Fotografi: Mandek Ngan/POOL/AFP/Getty Images

"Si Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara i shohin veprimet e Rusisë ndaj Ukrainës si një sfidë të menjëhershme dhe urgjente për paqen dhe stabilitetin në Evropë. Ne dënojmë ngritjen ushtarake të Rusisë në kufijtë e Ukrainës, si dhe retorikën gjithnjë e më të ashpër të Moskës."

Blinkeni e kërcënoi gjithashtu Moskën me pasoja masive.

"Nëse Rusia megjithatë zgjedh përshkallëzimin, ne do të përgjigjemi me shpejtësi. Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe aleatët dhe partnerët tanë, përfshirë NATO-n, Bashkimin Evropian, G-7, kanë qenë shumë të qartë se Rusia do të përballet me pasoja masive për përsëritjen e agresionit kundër Ukrainës."

Blinkeni kërkoi që në rast sulmi, të mos fillonte funksionimi i gazsjellësit të diskutueshëm Nord Stream 2 në Detin Baltik.

aud (dpa, ap, dw)