1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Azili nuk jepet për arsye ekonomike- Belgjika përballet me valë refugjatësh nga Maqedonia

1 Mars 2010

Për më pak se nje muaj pas liberalizimit të vizave, 380 qytetarë nga Maqedonia kanë kërkuar azil në Belgjikë. Vendi po përballet me një valë të njerëzve që vijnë nga Maqedonia, të cilët paraqiten si refugjatë.

https://p.dw.com/p/MEl2
Azilkërkues në Belgjikë.
Azilkërkues në Belgjikë.Fotografi: Picture-Alliance /dpa

Komisioneri i Përgjithshëm për refugjatë dhe njerëzit pa shtetësi në Ministrinë belge për Punë të Brendshme Dirk Van den Bulk, në një intervistë dhënë Dojçe Velles, shpjegon se këto kërkesa do të refuzohen për arsye se azil mund të marrin vetëm ata që janë të përndjekur nga shteti për shkaqe politike ose të tjera. Viktimat e diskriminimit ose të kushteve të dobëta sociale dhe ekonomike nuk mund të sigurojnë statusin e refugjatit në gati asnjë vend evropian.

"Statusi i refugjatit apo azilit mund të jepet vetëm në raste të persekutimit për arsye politike apo etnike, por diskriminim nuk e vlerësojmë si persekutim. Ne nuk do të pranojmë të japim dikujt statusin e refugjatit ose azilit, për shkak të kushteve të këqija sociale-ekonomike", thotë Van den Bulk.

Refugjatët" janë kryesisht shqiptarë

Sipas informacioneve të autoriteteve belge, këto udhëtime organizohen nga disa agjenci të udhëtimit në Maqedoni, ndërsa refugjatët i takojnë kryesisht entitetit shqiptar.

Vanden Bulk, thotë se të gjitha kërkesat e paraqitura nga Maqedonia do të refuzohen pa përjashtim, ndërsa Belgjika i këshillon autoritetet maqedonase, që të ndërmarrin diçka për të ndaluar këtë fenomen dhe të kryejnë hetime ndaj agjencive të dyshimta, që u premtojnë klientëve të tyre të pamundërën.

"Autoritetet maqedonase apo organizatat e tjera duhet t'i informojnë njerëzit, se në Belgjikë nuk mund të merret aq lehtë leje qëndrimi apo azili. Njerëzit me një përfytyrim të këtillë nisen për në Belgjikë dhe me siguri kanë investuar shumë për të ardhur këtu. Ata humbasin paratë për këtë projekt, i cili nuk mund të realizohet".

Të dhënat e autoriteteve belge tregojnë se shumica e azilkërkuesve vijnë nga Maqedonia, ndërsa në vendin e dytë dhe të tretë janë Serbia dhe Kosova.

E hëna është ditë "vizite" në byronë për të huajt

Shumica e njerëzve arrijnë ditën e hënë, që do të thotë se këto agjenci nisen nga Maqedonia ditën e shtunë. Natën kalojnë nëpër Austri dhe ditën e hënën mbërrijnë në Belgjikë. Emigrantët zbarkohen para byrosë për të huajt, ku edhe paraqesin kërkesën e tyre për azil. Sa për ilustrim, të hënën e kaluar 90 persona nga Maqedonia kanë paraqitur kërkesa për azil, ndërsa të martën numri i tyre ka rënë në 30.

Belgjika, si vendi më liberal evropian në politikën ndaj emigracionit është edhe destionacioni më i shpeshtë i emigrantëve. Nga ministria e Puneve të Brendshme belge tani për tani nuk mund të thonë nëse ky fenomen i ri mund të çojë në anulimin e liberalizimit të vizave për Maqedoninë, por është e qartë se do të ketë pasoja serioze për imazhin e vendit në sytë e BE-së.

Autor: Tanja Milevska / Qeriman Bekteshi

Redaktoi: Aida Cama