Edhe avionë zbulimi për të kërkuar nxënëset e rrëmbyera
13 Maj 2014Qeveria amerikane nuk do të heqë dorë nga kërkimi i nxënëseve të rrëmbyera në Nigeri. Më shumë se 200 nxënëse të një shkolle janë rrëmbyer nga organizata terroriste islamike Boko Haram. Në kërkim të nxënëseve të rrëmbyera janë aktivizuar edhe avionë specialë amerikanë. Ndërhyrja është bërë me pëlqimin e qeverisë nigeriane, deklaroi një zëdhënës amerikan në Uashington. Fotografitë e bëra në kërkim të nxënëseve do të vlerësohen së bashku me autoritetet e Nigerisë.
Nxënëset janë rrëmbyer para katër javësh prej ekstremistëve islamikë. Të hënën ekstremistët kanë bërë publik edhe një video, ku rreth 130 vajza shihen të veshura me veshje të zeza gjatë një ceremonie të lutjes së përbashkët. Nuk ka asnjë shkak që të besohet në vërtetësinë e këtij inçizimi, deklaroi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme amerikane Jen Psaki. Shërbimet sekrete i kanë shikuar të gjithë imtësirat dhe kanë hulumtuar vendndodhjen e mundshme të nxënëseve të rrëmbyera.
S'ka dyshim në vërtetësinë e videos
Në video thuhet se shumica e nxënësve janë konvertuar në fenë islame. Udhëheqësi i organizatës Boko-Haram, Abubakar Shekau, ka ofruar që nxënëset, që nuk e kanë marrë fenë islame, të shkëmbehen me ithtarët e tij të arrestuar. Por qeveria e Nigerisë e ka refuzuar çdo lloj tregtie, apo shkëmbimi me ekstremisët.
Prej javës së kaluar në Nigeri gjenden edhe rreth 30 ekspertë amerikanë. Aksioni i kërkimit po mbështetet edhe nga Franca dhe Britania e Madhe. Islamistët e kanë sulmuar në prill një shkollë në qytetin Chibok, në qytetin verilindor Borno edhe kanë rrëmbyer 276 nxënëse kryesisht katolike. Disa vajza kanë mundur të ikin, por edhe më tej mungojnë 223 nxënëse. Para një jave kjo organizatë ka rrëmbyer edhe 11 vajza të tjera.