1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Avionë luftarakë rusë depërtojnë në hapësirën e NATO-s

Auron Dodi (spi/welt)24 Prill 2014

Dy avionë bombardues rusë kanë vënë në alarm mbrojtjen kundërajrore të disa shteteve të NATO-s. NATO mendon se Moska po e teston për shkak të Ukrainës.

https://p.dw.com/p/1BnoE
Tupolev TU-160 und TU-95
Fotografi: picture-alliance /dpa

Dy avionë bombardues rusë vunë në gjendje alarmi avionët gjuajtës të NATO-s. Avionët e tipit Tupolev Tu-95 iu afruan mbi Detin e Veriut hapësirave ajrore të Hollandës dhe Britanisë së Madhe.

Sipas të dhënave të majorit hollandez Wilko Ter Horst, avionët luftarakë depërtuan të mërkurën, në orën 15.50 një gjysmë miljeje në hapësirën ajrore të Hollandës. Pas kësaj, dy avionë të tipit F-16 u ngritën nga baza ajrore e Volkelit dhe i shoqëruan avionët rusë deri në kthimin e tyre në hapësirën ajrore ruse. "Për t'u siguruar se do të largohen nga hapësira jonë ajrore", u shpreh Ter Horst. Stacionit televiziv CNN, zëdhënësi i ushtrisë hollandeze Herst i tha se në mision qenë përfshirë edhe avionë gjuajtës danezë dhe britanikë të NATO-s.

Edhe para bregdetit të Skocisë të mërkurën ndodhi një incident i ngjashëm. Dy avionë rusë Tu-95 iu afruan hapësirës ajrore britanike. Pas kësaj qenë ngritur dy avionë të tipit "Typhoon" nga baza ushtarake Leuchars. "Avionët rusë qendruan gjithë kohën në hapësirën ajrore ndërkombëtare, siç kanë të drejtë", bëri të ditur një zëdhënës i ministrisë së mbrojtjes në Londër.

Qeveria hollandeze dhe ajo britanike bënë të ditur se incidente të ngjashme kanë ndodhur shumë herë vitet e kaluara. Ekspertët ushtarakë besojnë se me këto manovra ushtria ruse teston kohën e reagimit dhe aftësitë e mbrojtjes ajrore të NATO-s. Komandantë të lartë të ushtrisë britanike, sipas gazetës "Telegraph", besojnë se incidente të tilla do të shtohen, nëse zgjat kriza e Ukrainës.