Paris: Protestë me autokolonë kundër kufizimeve të pandemisë
12 Shkurt 2022Mijëra protestues në Francë janë nisur drejt Parisit në formë autokolonash për të protestuar kundër kufizimeve të COVID-19, megjithëse kjo u ndalua nga autoritetet.
Protestuesit kanë ardhur nga i gjithë vendi me makina dhe kamionë të frymëzuar kryesisht nga autokolonat që e kanë bllokuar Otavën.
Disa nga ata që u janë bashkuar protestave po demonstrojnë kundër rritjes së çmimit të karburantit.
Mijëra policë në gatishmëri
Oficerët e policisë po kryejnë kontrolle përgjatë autostradave dhe rrugëve kryesore. Disa nga protestuesit kanë përdorur rrugë lokale për të shmangur kontrollet policore. Policia ka marrë urdhër të veprojë e "vendosur"ndaj kujtdo që bllokon rrugët.
"Nëse njerëzit duan të demonstrojnë normalisht, mund ta bëjnë këtë," tha Ministri i Brendshëm Gerald Darmanin. “Nëse duan të bllokojnë trafikun, ne do të ndërhyjmë.” Organizatorët e protestës janë kërcënuar me burgim dhe gjoba të majme, nëse tubimi del jashtë kontrollit.
Në rrjetet sociale janë postuar video makinash të blinduara të xhandarmërisë franceze të pozicionuara në rrugët e Parisit.