1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Austria barrikadohet

Michael Braun
4 Korrik 2018

Policia dhe ushtria austriake stërviten si mund të ndalohen grupet e refugjatëve. Por, meqë aktualisht nga Sllovenia nuk po vijnë më refugjatë, shumë vetë pyesin se përse nevojiten stërvitje të tilla.

https://p.dw.com/p/30m3P
Österreich Grenze - Grenzschutzübung Proborders
Fotografi: picture-alliance/dpa/R. Schlager

Asaj nuk i ka shkuar kurrë mendja të dorëzohet. Gitta Rupp nga qyteti kufitar austriak Spielfeld luftoi me vite që të ndërtohej kjo rrugë për marshime turistike. Ajo kalon përgjatë kufirit midis Austrisë dhe Sllovenisë. Por para 3 vjetesh aty është ngritur një gardh kundër refugjatëve. "Kjo rrugë ka qenë gjithmonë e hapur! Gjithmonë! Asnjëherë nuk ka pasur ndonjë gardh kufitar, as kullë vrojtimi apo ndonjë gjë tjetër. As në kohën e Jugosllavisë, as më vonë në të Sllovenisë. Kurse sot gardhi i pengon njerëzit të lëvizin lirisht, si nga pala sllovene dhe austriake. Shihni se si po zihet rruga  nga ferrat." - thotë Gitta.

Österreich Grenze - Grenzschutzübung Proborders
Fotografi: picture-alliance/AP/R. Zak

Me këtë gardh, qeveria austriake donte të ndalte në vjeshtën e vitit 2015 dyndjen e refugjatëve. Dhjetëra mijëra vetë hynë asokohe përmes kufirit në Austri. Në të njëjtën kohë, qeveria kishte premtuar se do ta çmontonte gardhin sa më parë të ishte e mundur. Por patrullimet e rregullta ushtarake ende vazhdojnë. Qeveria e re e konservatorëve dhe populistëve të djathtë dëshiron t'i pengojë refugjatët. Dhe ministri i Brendshëm i Austrisë Herbert Kickl jo vetëm që ka ngritur një forcë të re policore kufitare të quajtur "Puma", por angazhon edhe ushtrinë me helikopterë dhe pajisje të rënda.

Pro kufirit

Frikësimit i shërben edhe një stërvitje kufitare në shkallë të gjerë. Nuk është rastësi që stërvitja quhet Pro-Kufirit do të thotë: për kufijtë. Ekstremistët e djathtë në Austri duartrokasin publikisht. Qeveria e djathtë në Austri nuk e mban sekret se është kundër një Evrope pa kufij. Gjithashtu nuk është rastësi që figurantët sillen gjatë lojës stërvitore të ministrit si huliganë. Tre vjet më parë, këtu prisnin njerëz të rraskapitur që kishin bërë qindra kilometra më këmbë nëpër gjithë Ballkanin.

Österreich Grenze - Grenzschutzübung Proborders
Pamje nga stërvitja Pro-KufiritFotografi: picture-alliance/dpa/R. Schlager

Jo integrim

Edhe Yumarkhani erdhi në Austri në atë kohë, me gruan shtatzënë dhe një djalë të vogël. Ai i ndihmon Gittas për vreshtin, ajo i jep mësime për gjermanishten. Afgani ka lindur në Iran. Atje ku prindërit e tij kishin ikur nga lufta dhe talebanët. Afganët në Iran janë pa të drejta, pa dokumente, nuk kanë të drejtë të shkojnë në shkollë. Kur policia e rrahu atë një herë pas asnjë arsye dhe i theu hundën, ai dhe familja e tij u nisën për Evropë. Yumarkani ka punuar këtu si ndihmës tek disa vreshtarë. Dikush donte edhe ta punësonte. Kjo nuk është e mundur, për aq kohë sa ai nuk ka azil, i cili në shkallën e parë, i është refuzuar.

Österreich Grenze - Grenzschutzübung Proborders
Ministri i Brendshëm Herbert Kickl dhe ai i Mbrojtjes i Austrisë, Mario Kunasel (majtas)Fotografi: picture-alliance/dpa/R. Schlager

Ai dëshiron të qëndrojë në Austri dhe bën gjithçka për t'u integruar. Edhe intervistën Yumarkhani dëshiron ta japë vetëm në gjermanisht. E megjithatë shoqëruesja e tij e vazhdueshme është frika: Unë nuk mund të fle mirë natën. (..) Gjithmonë më shkon në mendje: çfarë është, çfarë është, pse? Dhe pastaj duhet të presë deri në  instancën e dytë. Dhe edhe nga e dyta, mund të vijë sërish përgjigje negative. Çfarë mund të bëj pastaj?

Masa frikësuese

Qeveria austriake i ka anuluar fondet për kurset e gjermanishtes. Sipas programit të qeverisë prej programeve të integrimit duhet të përfitojnë vetëm ata që kanë statusin e azilit ose mbrojtje plotësuese. Por deri sa të sqarohet kjo mund të  kalojnë dy vjet e gjysmë apo tre. (...) Frika që shkaktohet  është shumë e dukshme! - thotë Gitta. Pikërisht në këtë kufi, që dikur nuk ishte, sepse të dy shtetet janë zotuar për të hapur kufijtë sipas Marrëveshjes së Shengenit. Një kufi që është gjithashtu i sigurt, sepse pothuajse asnjë refugjat nuk ka ardhur këtu prej vitesh. Në tre muajt e fundit ka pasur vetëm një që ka tentuar të kalojë kufirin. Megjithatë, ata vazhdojnë të patrullojnë këtu, përgjatë gardhit që ndan Austrinë dhe e zemëron Gitta Rupin: Tani kemi aty këtë gjë të tmerrshme dhe të padobishme dhe papritmas ndërpritet sërish ngjizja e sllovenëve dhe e austriakëve në këtë rajon. Kjo është e turpshme!

Por gardhit duket se përshtatet me kohën kur Evropa po kthehet gjithnjë e më shumë në një kështjellë.