Sytë hapur për blerjen e votave në Shqipëri
25 Maj 2019
Në një klimë të ndezur politike, në prag të protestës së 6-të kombëtare antiqeveritare të opozitës, që do zhvillohet të shtunën në mbrëmje, misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it nisi zyrtarisht punën, të premten, (24.05.2019). Misioni është ftuar nga Qeveria Rama për të vëzhguar zgjedhjet lokale, të caktuara me dekret presidencial të zhvillohen muajin e ardhshëm, më 30 qershor.
Çështja më e nxehtë për procesin zgjedhor të lokaleve 2019 është vendimi i opozitës jashtë parlamentit, e kryesur nga PD, për të mos marrë pjesë në këto zgjedhje dhe për të mos lejuar zhvillimin e tyre. Ndërkohë përgatitjet për procesin zgjedhor po ecin sipas afateve të përcaktuara nga Kodi Zgjedhor i Shqipërisë. Në këtë kontekst është edhe ardhja në Shqipëri e misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it.
Glover- Sytë hapur për blerje votash
Kryesuesja e këtij misioni, Ambasadorja Audrey Glover, në konferencën për shtyp, të premten, me rastin e fillimit zyrtar të punës së misionit, bëri me dije se ku do të përqëndrohet puna. "Këto janë zgjedhjet e 14-ta që OSBE/ODIHR vëzhgon në Shqipëri. Do të mbajmë sytë hapur për të vëzhguar fenomenin e blerjes së votës apo parregullsi të tjera,” tha ajo .
Akuza për blerje votash në zgjedhjet partlamentare 2017 nga qeveria Rama dhe lidhjet e saj me krimin janë shkaku që ka shpallur opozita për protestat e saj antiqeveritare, të nisura në mes të shkurtit të kaluar dhe i bojkoti i lokaleve 2019. Sipas opozitës, nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme më 30 qershor pa rrëzimin e qeverisë Rama, krijimin e një qeverie kalimtare që të garantojë votën e lirë.
Sa dhe si janë zbatuar rekomandimet nga misionet e kaluara të OSBE/ODIHR-it?
Vëzhguesit ndërkombëtarë do të kenë në fokus edhe të tjera ҫështje. "Administrimi i zgjedhjeve do të jetë në fokusin tonë. Do të shikojmë sa janë zbatuar rekomandimet e misioneve në zgjedhjet e kaluara. Do të shikojmë edhe pjesëmarrjen e grave dhe pakicave, regjistrimin e votuesve dhe kandidatëve, median, financimin e fushatës dhe mënyrën sesi zgjidhen ankesat dhe apelimit," tha të premten ambasadorja Glover.
Vëzhgim i procesit zgjedhor edhe pa pjesëmarrjen e opozitës.
Ambasadorja Glover bëri me dije se nuk i "ka ndodhur që të vëzhgojë zgjedhje në ndonjë vend ku opozita nuk ka marrë pjesë”, siç duket që mund të ndodhë në Shqipëri. Ajo tha se edhe në një rast të tillë misioni "do të raportojë si gjithmonë atë që do të shohë, atë që do të ndodhë gjatë procesit zgjedhor”.
"Për ne e rëndësishme është që zgjedhësit të kenë besim tek integriteti i procesit zgjedhor. Zgjedhësit duhet të jenë në gjendje të zgjedhin dhe të votojnë në mënyrë reale. Duhet të zgjedhin mes kandidatëve që duhet të bëjnë fushatë në kushte të barabarta. Zgjedhësit duhet të jenë në gjendje ta hedhin votën në mënyrë të lirë, të fshehtë dhe të jenë të sigurtë që vota e tyre do të numërohet në mënyrë korrekte. Roli ynë është të japim një vlerësim teknik të këtij procesi. Nuk jemi të interesuar për rezultatin e zgjedhjeve por për transparencën e procesit," sqaroi ambasadorja Glover.
Të premten, Presidenti i Republikës Meta, shprehu me një postim në median sociale, gadishmërinë e tij për ta „ rishikuar dekretin presidencial lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve lokale më 30 qershor 2019" , që me fjalë të tjera do të thotë mund të shikojë shtyrjen e zgjedhjeve. Por dialogu mes opozitës dhe qeverisë, rënia dakort për të shtyrë datën e zgjedhjeve duket ende larg. Lideri i opozitës Basha, ka refuzuar thirrjet publike të ditëve të fundit të kryemnistrit Rama, për t'u ulur në tryezën e bisedimeve. Ai pranon vetëm dialog pa Ramën kryemnistër. Axhenda e opozitës është vijim i protestave antiqeveritare dhe i mosbindjes civile, deri në rrëzimin e qeverisë.