Atraksionet e Hamburgut
Hamburgu konsiderohet në Gjermani si porta drejt botës. Por padyshim që porti dhe qyteti i Lidhjes së Hanzës janë shumë më tepër se sa vetëm një stacion tranziti. Atraksionet e qytetit anës Elbës – Imazhe nga Hamburgu.
Një argëtim i rrallë në akull
Dimri është periudha më e zymtë në Hamburg. Qielli vazhdimisht është gri dhe bie një shi i imët që s'ka të pushuar. Por ka edhe përjashtime: ditë me qiell të kaltër e të ftohtë me ngrica. Në ditë të tilla hamburgasit shpresojnë të mund ta përshkojnë në këmbë liqenin e ngrirë Alster. Kjo ndodh shumë rrallë dhe vetëm me lejen e autoriteteve, kur shtresa e akullit është rezistente, si në vitin 2010.
Arkada mondane
Arkadat elegante sjellin pak atmosferë mesdhetare në qytetin hanzeatik. Arkadat përgjatë brigjeve të Alsterit janë motiv i preferuar fotografimi. Ndërtesat klasike u konceptuan dikur në rrethana emergjence: Pas zjarrit shkatërrimtar më 1842 zona e tregut përpara bashkisë duhej të rikonceptohej - Arkitekti Alexis de Chateauneuf duke përfituar nga ky shans, u përpoq ta bëjë qytetin të pavdekshëm.
Përgjatë brigjeve të Alsterit
Në verë turet e kanotazhit përgjatë brigjeve me kilometra të gjata të liqenit Alster janë pjesë e pandashme e programit të aktiviteteve të preferuara të hamburgasve. Çdo ditë mijëra turistë i fotografojnë vilat luksoze të qytetit hanzeatik nga uji. Në dimër kjo gjallëri humbet papritur – e megjithatë edhe vetmia e rrallë dhe qetësia kanë magjinë e tyre tërheqëse.
Në udhëkryq
Fleetschlösschen, kështjella buzë kanalit në urën St.-Annen, në fotografi majtas, kufizohet me kompleksin historik të hambarëve dhe qytetit modern në sfond. Në zonën moderne janë përdorur elementë arkitektonikë nga kompleksi historik i depove. Disa e konsiderojnë këtë si gjetje të arritur, disa të tjerë si pompoze – urbanistët shpresojnë që me këtë të vendosin një pikë të re referimi anës Elbës.
Dritare në të shkuarën
Në Mesjetë këtu rrihte pulsi i qytetit – në kanalin Nicolaifleet në shekullin e 12-të u krijua një port tregtie – Fleet ishte një pikë zbarkimi për shkëmbimin e mallrave nga e mbarë bota. Sot një vështrim i fasadave të atyre pak shtëpive karakterisitke me trarë që kanë mbetur të mundëson një përfytyrim për Hamburgun në të shkuarën. Sot kanë mbetur fare pak shtëpi të tilla karakterisitike.
Pallati i parë i qelqtë i Hamburgut
Para zbatimit të projektit për ndërtimin e Filarmonisë së Elbës në Hamburg projekti më ekstravagant arkitektonik i vitit 1995 ishte Dockland, godinë zyrash në formë paralelogrami. Ndërtesa me xhama si një target luksoz, po bie në hije prej Filarmonisë, në dërtim e sipër. Kompleksi Dockland nga disa vlerësohet për imazhin panoramik, ndërsa të tjerë e konsiderojnë atë si të ftohtë dhe abstrakt.
Një simbol monstruoz
Bunkeri i lartë nga Lufta e II Botërore është godina që tërheq menjëherë vëmendjen pranë stadiumit të klubit të futbollit FC St. Pauli. Propaganda naziste e cilësonte kullën e mbrojtjes kundërajrore të pathyeshme. Në një farë mënyre kjo u vërtetua, kur lindi nevoja në 1947 të ndërtohen shtëpi banimi, hedhja në erë e tij u anullua. Sot bunkeri është qendër mediatike dhe seli e klubeve të njohura.
Zemra e majtë e qytetit
Në kuartierin Schanzenviertel gjendet godina, që është në fokus të medias më shumë se Filarmonia e Elbës e shumë debatuar. Fjala është për selinë e grupeve autonome "Rote Flora". Godina, dikur teatër, mbahet e zaptuar nga autonomët që nga 1989. "Rote Flora" është kthyer në simbol të festave të larmishme kulturore, por edhe të protestës sociale e të konfrontimeve të dhunshme me policinë.
Qytetarë krenarë
Me 112 metra kulla e bashkisë së Hamburgut është maja më e lartë në pjesën historike të qytetit, madje kulla do ta ruajë rekordin me 2 metra kundrejt lartësisë së Filarmonisë moderne të Elbës, që ndodhet aty pranë - ndoshta kjo një fitore simbolike e klasikes ndaj modernes. Bashkia u ndërtua në shek.e 19-të në stilin e neorilindjes. Popullsia mblidhet e debaton edhe sot në këtë ndërtesë historike.
Klasikja
Si asnjë godinë tjetër e karakterizon qytetin silueta e kishës së St. Michel-it. Kjo godinë e bukur e stilit barok, duket nga të gjitha drejtimet. Në kohën përpara navigimit me GPS kambanorja e kësaj kishe shërbente si pikë orientuese për lundërtarët; sot kambanorja 132 metra e lartë më shumë u shërben si pikë orieuese turistëve të dehur të St. Paulit.
Në një nivel me gjigantët
Në kohën e lirë mbrëmjeve shumë hamburgas preferojnë të shkojnë në platformat panoramike të Elbës për të vështruar një ndër atraksionet e qytetit: vinçat gjigantë të portit, avulloret me ngarkesa të rënda - panorama është një romantikë e pastër industriale. Veçanërisht të bukura janë ekskursione të tilla kur Elba ngrin, gjë që ndodh shumë rrallë, si në vitin 2010 kur është marrë kjo fotografi.
Porta më e pazakontë e një lokali në Hamburg
Në një rrugicë qorre që vjen erë urinë mezi gjendet lokali legjendar "Ritze" në Reeperbahn. Qilari i tij një ring boksi, ku kërcasin grushtat, kur sipër klientët pinë - koncepti është rentabël. Kliçkot janë stërvitur këtu, e artistë të njohur si Udo Lindenberg e kanë frekuentuar atë. Dramat s'kanë munguar: Një tutor u vra këtu dhe një tjetër vari veten. "Ritze" është sinteza e Reeperbahn-it.