070211 Assange Gericht
7 Shkurt 2011Për herë të tretë Julian Assange del këtë të hënë para gjyqit në Londër, por për herë të parë çështja bëhet serioze për australianin 39 vjeçar. Tani do të vendoset nëse ai do të dorëzohet në Suedi, ku ai akuzohet se ka ngacmuar seksualisht dy gra, verën e kaluar. Dëshmitaret suedeze pohojnë, se në raportin seksual të kryer në marrëveshje me to nuk ka përdorur prezervativ duke vepruar kundër dëshirës së tyre. Assange e refuzon këtë akuzë.
„Unë kam qënduar pesë javë në Suedi, pasi kundër meje ishin ngritur këto akuza. Brenda 24 orëve prokurori suedez deklaroi, se nuk ekziston as dyshimi më i vogël, se në këto akuza mund të ketë diçka të vërtetë."
Në fakt ekzistojnë paqartësi në mënyrën si janë sjellë suedezët. Fillimisht padinë nuk e patën ngritur dy gratë, por policia suedeze. Akuza u shqyrtua dhe ra, kështu që Assange mundi të largohej përsëri nga vendi pa probleme. Vetëm më vonë prokuroria e rihapi çështjen dhe nxori një urdhër arresti ndërkombëtar kundër Assange.
Për sfondin e akuzës qarkullojnë dy versione: Ose të dyja gratë, me të cilat Assange kishte fjetur brenda 24 orëve, ishin bërë xheloze dhe donin të hakmerreshin kundër australianit. Ose kanë lënë veten të përdoren si vegla për interesat amerikane. Pas fillimit të publikimeve nga WikiLeaks të depesheve sekrete të ambasadave amerikane, politikanët konservatorë në SHBA patën kërcënuar që t'ia mbyllnin gojën tradhëtarit të sekreteve qeveritare, biles u kërkua edhe vrasja e tij.
Por me sa duket situata ligjore në SHBA nuk lejon as procedurën e ekstradimit, thotë avokati i Assange Mark Stephenes. „Sikur të kishte një pikë akuze, nëqoftëse Julian Assange do ta kishte thyer ligjin, atëherë për këtë vë bast, kjo do të ishte konstatuar gjatë gjashtë muajve të kaluar. E qartë është se ai nuk ka shkelur asnjë ligj amerikan, siç pohohet aktualisht."
A është e gjithë afera seksuale në Suedi është vetëm një justifikim, për t'ia ndaluar veprimtarinë Terroristit Hightech", siç e quan atë zëvendëspresidenti Jo Biden?
Në fund të fundit Assange as nuk ka ikur dhe as nuk është fshehur, siç u tha fillimisht, por ai iu dorëzua me 8 dhjetor policisë. Pas një ndalimi të shkurtër ai u lirua përsëri me kusht kundrejt një pagese. Në mesin e përkrahësve të tij të shumtë, që në dy seancat e para gjyqësore qëndruan para ndërtesës, ishte edhe aktivistja për të drejtat e njeriut Bianca Jagger: „Ajo që ne duhet të kuptojmë është se ky nuk është thjesht çështje e Assange, ajo ka të bëjë me të gjithë ne, ajo ka lidhje me lirinë e mendimit, me lirinë e shtypit, me të drejtën e jetë private, me të drejtën tonë themelore për t'u shprehur të lirë."
Ai kurrë nuk ka nxitur njëri, per ta pajisur me material, thotë Assange. Ai nuk e konsideron veten si hajdut të të dhënave, por si sqarues: „Puna jone si WikiLeaks vazhdon me të njëjtin intensitet. Ne do të vazhdojmë t'i dërgojmë partnerëve në gazetat në mbarë botën dhe disa grupe të të drejtave të njeriut depeshet e ambasadave dhe materiale të tjera."
Ndërkohë ai është nominuar madje për çmimin Nobel të paqes. Zbulimet e WikiLeaks për pasurimin e ish diktatorit tunizian Ben Ali, thuhet në argumentim, kanë kontribuar ndjeshëm në rrëzimin e tij.
Autor: Jürgen Hanefeld/ Angelina Verbica
Redaktoi: Aida Cama