Ashpërsohen tonet mes Rusisë dhe NATO-s
23 Dhjetor 2021Në konferencën vjetore për mediat në Moskë të enjten (23.12.), presidenti Putin pritet të flasë edhe për konfliktin në Ukrainë. Por aktualisht nuk ka shenja të relaksimit në konfliktin e Ukrainës - përkundrazi. Ndërkohë që presidenti rus Vladimir Putin po ashpërson tonet e tij, ndaj lëvizjes së trupave ruse në kufirin me Ukrainën ka reaguar edhe NATO. Sipas një raportimi të gazetës gjermane "Welt”, gatishmëria operacionale e forcave për reagime të shpejta është rritur. Sipas kësaj, task forcat e njohura si e ashtuquajtura "Maja e shtizës së NATO-s" duhet të jenë gati brenda pesë ditësh për të shkuar në ndonjë zonë krize. Deri më tani, forca e quajtur "Very High Readiness Joint Task Force (VJTF)" duhej të ishte gati brenda shtatë ditësh.
Sipas njoftimit të gazetës, në gatishmëri të shtuar janë vënë edhe njësi të tjera, si forcat speciale apo dhe ato për logjistikë. Në rast krize, ato janë gjithashtu të gatshme të lëvizin shumë më shpejt. Përveç përshkallëzimit të konfliktit në Ukrainë, qëllimi është të përmirësohet mbrojtja e aleatëve lindorë të NATO-s. Vendet lindore ndihen gjithnjë e më të kërcënuara nga zhvillimet e fundit në kufirin ruso-ukrainas.
Një zëdhënës i NATO-s nuk deshi të komentojë hapat e fundit. Megjithatë, aleatët e kishin "bërë të qartë" se çdo agresion i mëtejshëm nga Rusia do të kishte "kosto dhe pasoja", tha ai.
Forca e NATO-s për Reagime (NRF) është një task forcë shumëkombëshe, që mund të zhvendoset shpejt dhe përbëhet nga deri në 40.000 ushtarë. VJTF është pjesë e NRF. VJTF është forca më e shpejtë e reagimit që ka aleanca NATO. VJTF aktualisht drejtohet nga Turqia. Sipas "Welt”, në këtë forcë bëjnë pjesë rreth 6400 ushtarë.
Putin ashpërson tonet
Ndërkohë, presidenti rus Vladimir Putin ka kërcënuar me një reagim "ushtarako-teknik" ndaj sjelljes së supozuar "jomiqësore" të Perëndimit. Nëse Perëndimi nuk heq dorë nga "qëndrimi i tij qartësisht agresiv, ne do të marrim masat e nevojshme ushtarako-teknike për hakmarrje", tha ai në Moskë. Rusia do të "reagojë ashpër ndaj hapave jomiqësorë", tha Putin në një fjalim para zyrtarëve të lartë të ushtrisë dhe ministrisë së Mbrojtjes.
Putin siguroi se Rusia nuk dëshiron një "konflikt të armatosur" ose "gjakderdhje", por dëshiron t'i zgjidhë çështjet "nëpërmjet kanaleve politike dhe diplomatike". Por ai përsëri u ankua për mbështetjen e Ukrainës nga SHBA-ja, e cila përfshin trajnime ushtarake dhe ndihma prej më shumë se 2.5 miliardë dollarë. Kjo po ndodh "para pragut të derës sonë", tha Putin.
Presidenti rus ka akuzuar SHBA-në dhe NATO-n për javë të tëra se ato po nxisin tensionet pranë kufirit rus. Deklaratat e Putinit shtojnë frikën se ushtria ruse mund të planifikojë një pushtim të Ukrainës. Rusia ka grumbulluar dhjetëra mijëra ushtarë në kufirin me shtetin e saj fqinj.
Shtetet e G7 dhe Bashkimi Evropian kanë kërcënuar Rusinë me "pasoja masive" në rast të një sulmi. Perëndimi ka frikë se Putini mund të nisë një sulm në shkallë të gjerë në Ukrainë me pretekstin e një provokimi të supozuar. Rusia mohon përgatitjen e një pushtimi të Ukrainës dhe akuzon qeverinë në Kiev, si dhe NATO-n, për provokime. Putini kërkoi kohët e Rusia kërkon garanci të qarta sigurie nga Perëndimifundit garanci të shkruara sigurie nga SHBA dhe aleanca perëndimore, duke u përmbajtur nga zgjerimi i mëtejshëm i NATO-s në lindje dhe ngritja e bazave ushtarake në ish-republikat sovjetike.
Sipas Kremlinit, Putin ka dhënë "informacione të detajuara" në lidhje me këto kërkesa edhe në bisedën e tij të parë telefonike me kancelarin e ri gjerman Olaf Scholz. Putin kërkoi "bisedime serioze” për garancitë e kërkuara nga pala ruse për çështjet e sigurisë. Scholz, nga ana e tij, ka shprehur "shqetësimin e tij për situatën" dhe theksoi "nevojën urgjente për de-eskalim", njoftoi zëdhënësi i qeverisë së tij.
Bulgaria kundër stacionimit të trupave të NATO-s
Brenda NATO-s ka mendime të ndryshme për situatën. Për shembull, ministri bullgar i Mbrojtjes Stefan Janev kundërshton për momentin vendosjen e trupave të NATO-s në Bullgari. Nuk ka rrethana të nevojshme që mund të justifikojnë një vendim për vendosjen e trupave të NATO-s në territorin bullgar, tha Janev. Nuk ka asnjë arsye për të parë njësitë ruse si një kërcënim të drejtpërdrejtë për Aleancën dhe zonën përkatëse të sigurisë.
Janev konfirmoi këshillimet rreth disa opcioneve brenda NATO-s, duke përfshirë një prani të Aleancës në vendet anëtare të Bullgarisë dhe Rumanisë, që kufizohen me Detin e Zi. Për arsye historike dhe kulturore, shumica e popullsisë së Bullgarisë konsiderohet të jetë miqësore me Rusinë.
bc/cwo/sti (dpa, afp, rtr)