Asambleja Parlamentare e KE-së pro anëtarësimit të Kosovës
16 Prill 2024Me votimin e sotëm në Strasburg në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, që u cilësua si hapi i parafundit, tani çështja kalon në duart e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, të cilët duhet të vendosin përfundimisht, nëse Kosova do të bëhet anëtarja më e re e organizatës evropiane për të drejtat e njeriut.
Diskutimi në Asamble zgjati disa orë dhe një numër i madh deputetësh të KE-së e mbështetën anëtarësimin e Kosovës në Këshill. Raportuesja për Kosovën, Dora Bakoyannis, e cila hartoi raportin për Kosovën, tha se "gjatë punës së saj, nuk ka lënë gur pa lëvizur në përgatitjen e raportit”, duke shtuar se me miratimin e raportit të saj, "pavarësisht disa mangësive, Kosova është demokraci funksionale”, dhe në këtë kuadër i bëri thirrje Këshillit të Ministrave që ta ftojnë Kosovën të bëhet anëtare me të drejta të plota e Këshillit të Evropës.
Dora Bakoyannis, tha se "raporti i saj, nuk prek çështjen e njohjes apo mosnjohjes së Kosovës dhe se kjo çështje duhet të mbetet kompetencë e shteteve”. Pesë shtete të Bashkimit Evropian akoma nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Serbia kundër anëtarësimit të Kosovës
Depuetja serbe në Këshill, Biljana Pantiq Pila, duke iu drejtuar deputetëve tha se "çështja e themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe të Kosovës nuk mund të anashkalohet”, dhe sipas saj Kosova nuk mund të jetë anëtare.
"Ju keni vendosur të shkelni ligjin ndërkombëtar. Nëse lejoni të ashtuquajturën Kosovë të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, pa themelimin e Asociacionit, atëherë Asociacioni nuk do të themelohet asnjëherë”, tha Pantiq.
Moment historik për Kosovën
Njëri nga folësit në Asamblenë e Këshillit të Evropës, ishte deputeti gjerman Frank Schwabe, i cili pas miratimit të raportit "përgëzoi Kosovën dhe bëri thirrje për anëtarësim e saj të plotë në Këshill”.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmanidhe kryeministri Albin Kurti e cilësuan mbështetjen e Asamblesë së Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës si një "moment historik në rrugëtimin e saj evropian”.
"Votimi i sotëm në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës është një dëshmi e përkushtimit tonë për drejtësi, barazi dhe për parimet themelore të demokracisë. Falënderim nga zemra të gjithë atyre që nëpërmjet votës pro mbështetën të gjithë qytetarët e Kosovës dhe kauzën tonë për të drejta të njeriut”, shkroi Presidentja Osmani. Kryeministri Albin Kurti shpreson që gjatë muajit maj edhe Këshillit të Ministrave do ta ftojë përfundimisht Kosovën që të bëhet anëtare e KE-së.
"Asambleja Parlamentare i thotë PO Kosovës. Jemi edhe një hap më afër dhe vetëm një hap larg anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Faza e radhës dhe e fundit që na pret është ministeriali në muajin maj. Meqenëse që nga viti 1951 Komiteti i Ministrave nuk ka marrë vendim ndryshe nga opinioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, besojmë që edhe faza e ardhshme do të përmbyllet me sukses. Megjithatë, puna jonë do të vazhdojë”, shkroi kryeministri Kurti.
Sipas tij "prej anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës fiton demokracia, sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut. E me Kosovën aty, Këshilli i Evropës fiton një demokraci të re e të gjallë, ku sundon ligji dhe respektohen të drejtat e njeriut”.
Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës e mbështeti me shumicë votash anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. 171 deputetë votuan pro, dhe vetëm 29 deputetë ishin kundër. Serbia kishte paraqitur disa amandamente që e kundërshtonin mbështetjen për Kosovën, por të gjitha amandamentet e saj u hodhën poshtë.