1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Arnold: Nuk duhet t'i mbyllim sytë para problemeve të Bundeswehrit

Friedel Taube29 Shtator 2014

Ushtria gjermane (Bundeswehr) ka probleme të mëdha, të cilat kërkojnë zgjidhje. Rainer Arnold (SPD) pohon se reformat e ish-ministrit të Mbrojtjes kanë dështuar. Ndërsa tani duhet të fillojë zgjidhja e problemeve.

https://p.dw.com/p/1DMYd
Rainer Arnold
Fotografi: picture-alliance/dpa

Deutsche Welle: Bundeswehri është ndërkohë kaq keq i pajisur sa që Gjermania nuk mund t'i kryejë obligimet e veta në NATO. A jeni të befasuar me përmasat e mangësive në Bundeswehr?

Rainer Arnold: Jo, tek disa aftësi kjo nuk më befason fare. Nuk është e vërtetë që Bundeswehri nuk mund t'i kryejë të gjitha obligimet e veta. Por ka mangësi. Parimisht mund të thuhet: shumë problematike janë të gjitha gjërat, që fluturojnë dhe obligimet, që kemi marrë ndaj NATO-s në këtë drejtim, nuk jemi në gjendje t'i plotësojmë.

DW: Nëse sulmohet për shembull një vend në Baltik dhe NATO është e detyruar të mbrohet, Gjermania nuk është në gjendje të ndihmojë apo jo?

Rainer Arnold: Ne nuk do të kishim të gjitha aftësitë në dispozicion. Por nëse do të krijohej një aleancë sipas artikullit pesë të Marrëveshjes së NATO-s, atëherë do të kishim rregulla të tjera të lojës. Në atë rast, disa gjëra të cilat aktualisht për shkaqe sigurie shikohen shumë ngushtë, mbase nuk do të interpretoheshin kështu. Por ky është një debat abstrakt, sepse ne nuk nisemi nga mundësia që NATO do të futet në ndonjë luftë. Pyetja është nëse ne mund t'i kryejmë obligimet tona në kuadër të tejkalimit të ndonjë lufte. Dhe këtu shohim se ka disa probleme.

DW: Ju me siguri që keni qenë të befasuar me raportin e Bundeswehrit të paraqitur në Komisinin parlamentar për Mbrojtje...

Rainer Arnold: Jo vetëm që kemi qenë të befasuar, por edhe të zemëruar, sepse sërish ishte e domosdoshme që Parlamenti t'i detyrojë Qeverinë dhe forcat e armatosura që t'i hedhin faktet mbi tavolinë. Kur shikon të gjitha të dhënat, që janë paraqitur para nesh dhe i mbledh ato, situata me siguri që paraqitet problematike. Por ne jemi zemëruar edhe për faktin që sërish ka pasur përpjekje për zbukurimin e gjendjes. Vlerësimi i përgjithshëm ishte: "I aftë për ndërhyrje". Ndërsa kur e shikon me vëmendje, gjendja është shumë më e diferencuar. Ka pajisje, me të cilat mund të stërvitesh, por të cilave u mungojnë pjesët rezervë apo armët, të cilat mund të fluturojnë, por nuk janë të afta për ndërhyrje. Këto gjëra nuk janë thënë që në fillim, por kemi mundur t'i zbulojmë vetëm pas pyetjeve të shumta.

DW: A do të thotë kjo se Bundeswehri e ka mashtruar Parlamentin?

Rainer Arnold: Kaq larg nuk do të shkoja, sepse ne nuk lejojmë të mashtrohemi. Kaherë jemi në gjendje t'i shtrojmë pyetjet e duhura. Ky nuk është problemi.

DW: Kush është fajtor sipas mendimit tuaj për gjendjen?

Rainer Arnold: Tek forcat e armatosura nuk është marrë asnjë vendim në dy vitet e fundit. Ministri ynë Thomas de Maizière e ka humbur një vit. Shkaku kryesor është reforma e tij e dështuar. Reforma e Bundeswehrit me synim: "gjërësia para thellësisë", ka bërë që ne i kemi mbajtur të gjitha, por vetëm me një aftësi mesatare apo dhe të dobët. Kjo nuk është ndonjë strukturë e mençur - as në raport me partnerët tanë evropianë. Ne duhet t'i forcojmë aftësitë e nevojshme për aleancën, në vend se të gjitha t'i mbajmë në një nivel mesatar. Zonja von der Leyen tani duhet të thotë: "Në këtë reforma janë bërë gabime, të cilat tani do t'i korrigjoj unë."

DW: Ursula von der Leyen ka bërë të ditur edhe në shkurt të vitit 2014 se do të bëjë ndryshime në sektorin e armatimeve. A ka ndryshuar diçka prej asaj kohe?

Rainer Arnold: Një ekip ekspertësh e ka shikuar gjendjen dhe rezultatet do të bëhen publike në fillim të tetorit. Nga ky raport ministrja duhet të nxjerrrë mësime dhe të bëhen ndryshime në strukturat dhe proceset e forcave të armatosura, si dhe në sektorin e gatishmërisë dhe pjesëve rezervë. Duhet të merren vendime, të cilat mundësojnë që planet e kahershme për armatime të fillojnë të realizohen.

DW: Ndoshta as Komisioni për Mbrojtje nuk është interesuar sa duhet për zhvillimet në Bundeswehr?

Rainer Arnold: Ne tërë kohën kemi kërkuar. Grupi im i punës ka paraqitur në pranverë një dokument ku nënvizohen gabimet. Politikanët për mbrojtje ishin ata të cilët e kanë detyruar zotin de Maizière që të përpunojë dramën me Eurohawk dhe të krijohet një komision për hetime. Pyetjet nuk mungojnë, por neve shpesh na thuhet se cilat gjëra nuk janë të mundura. Tani presim që për çdo problem të paraqitet një propozim për zgjidhje.

DW: Çfarë duhet të ndodhë tani?

Rainer Arnold: Ka një listë të gjatë që duhet të përpunohet. Më e rëndësishmja është për fillim që realiteti të pranohet dhe të mos zbukurohet. Këtë ua kam thënë edhe kolegëve të mi nga partitë e Unionit - sepse nuk duhet t'i mbyllim sytë para problemeve. Ne nuk guxojmë të jemi mesatar gjithandej, por duhet vënë pikërëndesat. Nuk duhet ta forcojmë vetëm sektorin për mirëmbajtje. Duhet të bëjmë edhe riorganizimin e Zyrës Federale për Teknikë Ushtarake dhe Furnizim në Koblenc. Nuk duhet që si në të kaluarën të nxjerrim nga përdorimi apo t'i shesim lirë pajisjet që janë në gjendje të mirë funksionale.

De Maizières kishte për qëllim që të mbetet vetëm 80 % e pajisjeve, që nuk ishte vendim i mirë. Ne kemi nevojë për 100%. Nëse një pajisje e vjetër është pjesësisht në funksion, duhet të rregullohet dhe të përdoret në tërësi. Në shtigje afatshkurtëra duhet të rriten mjetet për mirëmbajtje. Ndërsa në shtigje afatgjata duhet të rritet buxheti për sektorin e mbrojtjes. Dhe në fund: edhe industria e ka përgjegjësinë e vet. Ajo nuk i ka mbajtur premtimet. Ministria e Mbrojtjes duhet t'i realizojë kërkesat tona. Këto gjëra me siguri që nuk mund të bëhen deri nesër, por tani duhet të fillojmë. Ndryshe vit për viti do të kemi të njëjtat probleme.

Rainer Arnold (SPD), është prej vitit 2002 zëdhënës për çështjet e mbrojtjes në grupin parlamentar të SPD në Bundestag.