Armët gjermane në Lindjen e Mesme
15 Shkurt 2013
Arabia Saudite është e interesuar për një marrëveshje tregtare për armë me Gjermaninë. Opozita e ka ngritur zërin, ndërkohë që kancelarja Angela Merkel po hesht. Në dhjetor u bë e ditur se Arabia Saudite është e interesuar për blerjen e automjeteve dhe tankeve të blindurara gjermane ABC, Leopard 2 dhe Boxer. Këto ditë po flitet prap për interesin e këtij vendi për prodhimet ushtarake gjermane. Arabia Saudite është e interesuar të blejë nga Gjermania anije për patrullim në vlerë prej rreth 1,5 miliardë euro. Sipas raporteve zyrtare për shitjen e armëve gjermane për vitin 2011, Arabia Saudite zë vendin e 12 me rreth 1,3 miliardë euro.
Stabiliteti dhe të drejtat e njeriut në Lindjen e Mesme
Por jo vetëm Arabia Saudite blen armë nga Gjermania. Atë e bëjnë edhe Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari, Iraku, Jordania, Algjeria dhe Izraeli. Lindja e Mesme dhe e Afërt është zona më e militarizuar në botë, sipas vlerësimeve të indeksit (GMI). "Në Lindje të Mesme duhen diferecuar gjërat me saktësi dhe duhet shikuar se kujt po i shiten armë. Një vend si Emiratet e Bashkuara Arabe llogaritet si vend stabil", thotë eksperti për çështje të armatimit Christian Mölling, nga Instituti për Shkencë dhe Politikë në Berlin.
Qeveria federale pohon se Arabia Saudite është një faktor stabiliteti në këtë rajon, por pranon se ka dallime sa i përket të drejtave të njeriut. Këtë temë jemi duke trajtuar rregullisht në kontaktet tona me Riadin, bëri të ditur ministri i Jashtëm Guido Westerwelle. "Duket sikur qeveria federale është e gatshme të shesë armë edhe në vendet me një nivel tepër të ulët të respektimit të të drejtave të njeriut", thotë Jan Grebe, ekspert nga organizata International Center for Conversion (BICC). Qeveria federale nuk ka argumentuar ende si duhet pse është e gatshme që kur bëhet fjalë për eksportet e këtilla t'i zhvendosë të drejat e njeriut në plan të dytë. Arabia Saudite ka dërguar gjatë vitit 2011 në Bahreinin fqinj tanke dhe trupa ushtarake, për të ndihmuar mbretërinë e atjeshme në luftën kundër protestuesve.
A po armatosen miqtë?
Edhe pse Arabia Saudite nuk është përfshirë nga protestat, ajo është e interesuar që të jetë e gatshme të përballet me protesta të këtilla. Ka dhe spekulime për armatosjen e këtij vendi kundër Iranit, i cili konsiderohet si armik i saj. "Shumë vende të rajonit janë të mendimit se Irani paraqet rrezik, por kjo nuk do të thotë se qeveria gjermane duhet të jetë pjesë e armatimeve të vendeve fqinje të tij", pohon Jan Grebe. Sipas tij, qeveria gjermane duhet të angazhohet më shumë për kontrollin e armatimeve dhe për çarmatimin në këtë rajon.
Irani po vazhon me programin e tij atomik dhe po provokon në këtë mënyrë një goditje të mundshme ushtarake nga Izraeli, i cili e ndjen veten të rrezikuar. Kancelarja Merkel e ka për zemër ekzistencën dhe qëndrueshmërinë e shtetit izraelit. Ajo e ka shpalluar sigurinë e Izraelit si një prej prioriteteve kryesore të politikës së jashtme gjermane. Këtë ka siguruar pala gjermane edhe me rastin e shitjes së anijeve për Egjiptin.
Mbështetje për eksportuesit?
Por është e kontestuar nëse armatimi i një vendi i shërben stabilitetit të rajonit. Një argument për këtë nuk ekziston, thotë Jan Grebe. "Armët janë një mall që mbetet për një kohë më të gjatë dhe nuk dihet se cilat regjime do të vijnë në pushtet në këto vende pas disa vitesh dhe në cilat duar do të bien këto armë", shpjegon ai.
Opozita kërkon hartimin dhe miratimin e një ligji të ri për kontrollin e armatimeve. Politikani ekologjist Jürgen Trittin, pohon se duhet miratuar një ligj i cili "ndalon eksportin e armëve në vendet të cilat cënojnë sigurinë tonë, si dhe sigurinë e vendeve dhe popujve të tjerë". Industria e armatimeve nuk është dakord me këto kërkesa. Mendimet janë të ndara, por qeveria gjermane është e interesuar që Gjermania të ketë edhe një teknologji të lartë të armatimeve.