Armëpushimi në Siri hyn në fuqi
9 Korrik 2017Armëpushimi i pjesshëm, që nisi sot (09.07.2016) vlen për provincat siriane Daraa, Sweida dhe Quneitra, në juglindje të Sirisë. Ndërprerja e zjarrit lidhet me "marrëveshjen e çshkallëzimit", për të cilën ranë dakord Presidenti i SHBA, Donald Trump dhe Presidenti rus, Vladimir Putin para dy ditësh në takimin e nivelit të lartë të G20-ës në Hamburg.
Rusia do të stacionojë policinë e saj ushtarake për të mbikqyrur armëpushimin përgjatë kufirit jordanez, duke i koordinuar hapat e saj me qeverinë në Aman dhe SHBA.
Trump: Sanksione Rusisë deri në zgjidhje në Siri e Ukrainë
Presidenti i SHBA, Donald Trump e përshëndeti të dielën (09.07.) marrëveshjen për fillimin e armëpushimit në Siri. Në një seri twitterash ai shtoi se është shumë herët diskutimi për lehtësimin e sanksioneve Rusisë. "Asgjë nuk do të bëhet deri sa të jenë "zgjidhur problemet e Ukrainës dhe të Sirisë", shkroi Trump.
SHBA janë të "inkurajuara nga përparimi i bërë për të arritur" armëpushimin më të fundit, tha këshilltari i sigurisë i Trumpit, H. R. McMaster. SHBA mbeten të angazhuara që ta mundin ISIS, që të ndihmojnë për t'i dhënë fund konfliktit në Siri, për të kufizuar vuajtjet dhe për t'u mundësuar njerëzve kthimin në shtëpitë e tyre", tha ai. "Ky dakordim është një hap i rëndësishëm drejt këtyre objektivave të përbashkëta."
Bisedime të reja për paqen në horizont
Marrëveshje të ngjashme për paqen janë arritur në të shkuarën disa herë nga liderë ndërkombëtarë, por asnjëra prej tyre nuk ka mundur të ndalojë në mënyrë të qendrueshme luftimet në Lindjen e Mesme. Palët pjesëmarrëse në luftën në Siri do të takohen të hënën në Gjenevë për të ndërmarrë një përpjekje tjetër për t'i dhënë fund luftës civile gjashtëvjeçare.
I dërguari special i OKB-së për Sirinë, Ramzy Ezzeldin Ramzy, e vlerësoi armëpushimin si një "hap në drejtimin e duhur", i cili mund të mbështesë përpjekjet diplomatike.
"Ky zhvillim ndihmon krijimin e një klime të përshtatshme për bisedime", shtoi ai, dhe shprehu shpresën se do të bihet dakord për armëpushim edhe në pjesët e tjera të vendit.
McMaster tha se Presidenti i SHBA e "diskutoi marrëveshjen me shumë udhëheqës botërorë në takimin e nivelit të lartë të G20-ës", duke përfshirë Presidentin e Turqisë, Rexhep Tayyip Erdogan, kryeministren britanike, Theresa May dhe Kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel.
Qendra sirianë për të drejtat e njeriut me qendër në Londër, Syrian Human Rights Observatory raportoi për situatë të qetë në orët e para të armëpushimit. Një natë më parë, helikopterë të regjimit patën bombarduar pozicione të kryengritësve në qytetin jugor të Daraa-s, por nuk ka të dhëna për dëme në njerëz.