Armëpushimi i dështuar
20 Gusht 2014Pas përfundimit të armëpushimit të fundit në luftën e Gazës të gjitha shenjat flasin për rindezjen e konfliktit mes palestinezëve dhe izraelitëve.
Palestinezët kanë bërë përgjegjës Izraelin për dhënien fund të armëpushimit. Kryendërmjetësuesi palestinez në Kajro, Asam-al Ahmed është shprehur se armëpushimi "ka dështuar" dhe për këtë e mban përgjegjësinë Izraeli. Manovrat e delegacionit izraelit kanë penguar çdo lloj përparimi, deklaroi al-Ahmed në Kajro. Sipas mediave palestineze të dyja palët ndodheshin pak para një armëpushimi disa javor. Nga pala izraelite nuk kishte për këtë asnjë konfirmim. Egjipti i ka bërë thirrje të dyja palëve të vazhdojnë bisedimet për armëpushim.
Një përfaqësues i lartë i Hamasit radikal islamik është shprehur se për sa koëh që nuk ka siguri për popullin palestinez, nuk do të ketë siguri as pr Izraelin. Përfaqësuesi i Hamasit Esat al-Rishk ka paralajmëruar nga një dhunë e re.
Dhunë e re
Pas dështimit të armëpushimit, nga Rripi i Gazës janë hedhur raketa kundër Izraelit, ndërkohë që ushtria izraelite është kundërpërgjigjur me sulme ajrore. Më parë qeveria izraelite kishte tërhequr nga bisedimet e Kajros delegacionin e saj. Tre palestinezë kanë humbur jetën, sipas të dhënave palestineze. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza që nga fillimi i konfliktit kanë humbur jetën më shumë se 2.000 vetë nga pala palestineze, më shumë se 10.000 të tjerë janë plagodur. Ndërsa Izraeli ka pasur 64 ushtarë të vrarë dhe 3 civilë. Qindra vetë janë plagosur.