1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Armenia shpall armëpushimin me Azerbajxhanin

15 Shtator 2022

Armëpushimi mes Armenisë dhe Azerbajxhanit i arritur një ditë më parë u respektua në orët e para. Por vazhdojnë akuzat mes palëve.

https://p.dw.com/p/4Gsxr
Armenien | Konflikt mit Aserbaidschan
Fotografi: Alexander Patrin/Tass/dpa/picture alliance

Pas luftimeve të ashpra midis ish-republikave sovjetike të Azerbajxhanit dhe Armenisë, të dy vendet ranë dakord për një armëpushim. Armëpushimi është futur në fuqi para disa orësh, tha Sekretari i Këshillit të Sigurimit armen, Armen Grigoryan, në televizionin publik: "Falë angazhimit të komunitetit ndërkombëtar, u arrit një marrëveshje për një armëpushim". Fillimisht nuk pati asnjë konfirmim nga kryeqyteti i Azerbajxhanit, Baku.

Por të dyja palët fajësojnë njëra-tjetrën për konfliktet. Dhuna shpërtheu përgjatë kufirit të përbashkët të martën. Azerbajxhani akuzoi Armeninë për granatimet e njësive të ushtrisë së saj me mortaja dhe artileri. Nga ana tjetër, kryeministri armen Nikol Pashinyan akuzoi vendin fqinj se ka nisur luftimet duke bombarduar vende në zemër të Armenisë. Ai tha se vendi fqinj ka pushtuar disa zona.

Më shumë se 150 të vdekur brenda dy ditësh

Armenien | Konflikt mit Aserbaidschan
Fotografi: Alexander Patrin/TASS/dpa/picture alliance

Sipas Pashinyan, më shumë se 100 armenë janë vrarë në luftimet që nga mbrëma e së martës. 50 kilometra katrorë të territorit armen janë në duart e armikut, tha ai në parlament. Pala azerbajxhane foli për 54 të vdekur në forcat e tyre të armatosura.

Thelbi i konfliktit - pretendimet territoriale

Ndryshe nga konfrontimet e mëparshme midis dy republikave të Kaukazit Jugor, këtë herë rajoni i Nagorno-Karabah, i cili është i banuar kryesisht nga armenë, por është në territorin e Azerbajxhanit, nuk është në qendër të konfliktit. Kjo është lufta më e rëndë midis republikave ndërluftuese të Kaukazit që nga lufta e Nagorno-Karabahut në vitin 2020, e cila përfundoi me një marrëveshje armëpushimi të ndërmjetësuar nga Rusia. Armenia duhej të hiqte dorë nga zona të mëdha. Armenia dhe Azerbajxhani kanë qenë në luftë që nga vitet 1990.

Aserbaidschan | Konflikt mit Armenien
Fotografi: AP/dpa/picture alliance

Pavarësisht armëpushimit të arritur, udhëheqja armene gjendet nën presion për shkak të sulmeve të Azerbajxhanit. Në kryeqytetin Jerevan, mijëra demonstrues kërkuan dorëheqjen e Pashinyan të mërkurën në mbrëmje. Ata e akuzuan presidentin se u dorëzua në konflikt me vendin fqinj.

Armenia ka kërkuar mbështetjen e koalicionit CSTO të udhëhequr nga Rusia, ku bëjnë pjesë Rusia, Armenia, Bjellorusia, Kazakistani, Kirgistani dhe Taxhikistani. Deri më tani, aleanca e ish-republikave sovjetike ka vendosur vetëm të dërgojë një mision vëzhgimi në zonën e konfliktit. Misioni duhet të arrijë këtë të enjte.

Ekspertët e Kaukazit thonë se Azerbajxhani sheh një mundësi të artë për të bindur Armeninë që të bëjë lëshime të mëtejshme territoriale, pasi aleati i madh, Rusia, është e përfshirë aktualisht në luftë me Ukrainën.

Schwere Kämpfe zwischen Aserbaidschan und Armenien
Fotografi: Armenian Defense Ministry/AP/dpa/picture alliance

Shumë vende u bënë thirrje të dyja qeverive që të ndalojnë luftën. Kancelari Olaf Scholz bëri thirrje që konflikti të zgjidhet përmes negociatave dhe të shmangen luftimet e mëtejshme. Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme Federale tha se Gjermania mbështet ofertën e ndërmjetësimit të BE-së. Zëdhënësi i ministrisë nuk deshi të komentojë se kush ishte përgjegjës për përshkallëzimin dhe iu referua mungesës së vëzhguesve ndërkombëtarë.

bc/qu/as (rtr, dpa)