1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Apartejd ushqimor" në radhët e BE-së?

15 Tetor 2017

BE-ja do të vërë në dispozicion 1 milion euro për përmirësimin e analizave për prodhimet ushqimore.

https://p.dw.com/p/2lqDZ
Symbolbild Konsum, Einkaufen, Löhne, Kaufkraft
Fotografi: picture-alliance/dpa/A. Weigel

Pas ankesave të një sërë shtetesh evropiano-lindore anëtare të BE-së për "një apartejd ushqimor" në radhët e BE-së, Bashkimi Evropian bëri disa propozime për rritjen e cilësisë së prodhimeve ushqimore në këto vende.

Në një takim të liderëve të Polonisë, Hungarisë, Republikës Çeke dhe Sllovakisë në të cilin mori pjesë edhe komisionerja e BE-së për mbrojtjen e konsumatorëve, Vera Jourova, u tha se BE-ja do të përmirësojë testet për të konstatuar nëse ka dallimeve mes produkteve që ofrohen në lindje dhe perëndim të Evropës.

Cilësi më e ulët

Shtetet e mësipërme evropiano-lindore kishin shprehur shqetësimin e tyre se në vendet e tyre konsumatorëve u ofrohen prodhime me cilësi më të ulët se në vendet perëndimore  të BE-së.

Ferrero Nutella
Fotografi: picture-alliance/dpa/M. Brandt

Në shkurt p.sh. Agjencia Hungareze për Sigurinë e Ushqimeve u ankua se Nutella që shitet në Hungari është më pak kremoze se ajo që shitet në Austri.

Edhe Agjencia Sllovake për Veterinarinë dhe Sigurinë e Ushqimeve ka konstatuar dallime në 14 prej 33 prodhimeve që importohen në Sllovaki nga Austria.

Po ashtu agjencitë që merren me mbrotjen e të drejtave të konsumatorëve në Evropën Lindore kanë konstatuar dallime edhe tek pluhurat për larjen e rrobave si dhe tek artikujt kozmetikë.

Jo konsumatorë të klasit të dytë

Komisioni Evropian tha se do të vërë në dispozicion 1 milion euro për përmirësimin e analizave për prodhimet ushqimore.

Presidenti i Komisionit Jean-Claude Juncker deklaroi se sipas ligjit nuk duhet të ketë konsumatorë të klasit të dytë.