1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Anti-semitizmi në Gjermani 'po rritet ndjeshëm'

9 Tetor 2020

Kreu i shërbimit të fshehtë të Gjermanisë ka paralajmëruar se hebrenjtë në Gjermani po përballen me rritje të antisemitizmit. Paralajmërimi vjen një vit pasi një person i armatosur sulmoi një sinagogë në Yom Kippur.

https://p.dw.com/p/3jguX
Symbolbild - Antisemitismus - Polizei vor Synagoge
Fotografi: Getty Images/AFP/M. Tantussi

Një vit pas një sulmi ndaj një sinagoge në qytetin lindor të Gjermanisë, Halle, kreu i shërbimit të fshehtë të brendshëm të Gjermanisë, i Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës (BfV), ka paralajmëruar se Gjermania po përjeton një "rritje të shpejtë" të antisemitizmit.

"Dy vitet e fundit, veprat penale, përfshirë aktet e dhunës kundër hebrenjve dhe institucioneve hebraike në Gjermani janë rritur ndjeshëm," tha shefi i BfV, Thomas Haldenwang në një intervistë të premten për gazetën Tagesspiegel.

Sulmi një vit më parë dështoi

Më 9 tetor 2019, një 27-vjeçar i armatosur u përpoq të hapte me zjarr hyrjen për në një sinagogë të mbushur plot, në ditën e Yom Kippurit, dita më e shenjtë e vitit në Judaizëm. Dera e siguruar mirë e pengoi atë të hyjë brenda për të kryer sulmin. Burri pastaj vrau dy kalimtarë para se të arratisej dhe më vonë të merrej në hetuesi. Javën e kaluar, një burrë sulmoi një hebre jashtë një sinagoge në Hamburg.

Haldenwang tha të premten se sulmet kundër sinagogave janë veçanërisht shqetësuese për shkak të së kaluarës së errët të Gjermanisë me nazizmin.

Përkujtim i viktimave të atentatit në Halle
Përkujtim i viktimave të atentatit në HalleFotografi: Hendrik Schmidt/dpa-Zentralbild/picture-alliance

"Gjermania ka një përgjegjësi të veçantë për jetën hebreje," tha ai, duke shtuar se hebrenjtë në Gjermani kanë arsye të shqetësohen për t'u përballur me dhunë dhe armiqësi kur ndodhen në publik.

Rreziku vjen veçanërisht nga sulmet prej "ujqve të vetmuar" të radikalizuar, ​​tha Haldenwang.

"Shërbimet e sigurisë duhet të jenë veçanërisht vigjilente për këtë," tha Haldenwang. "Mbi të gjitha, shoqëria duhet të ndërgjegjësohet se duhet të punojmë së bashku në luftën kundër antisemitizmit."

Nga vijnë ekstremistët?

Haldenwangu tha se radikalizimi ndjek një model të ngjashëm te ekstremistët e djathtë, islamistët dhe grupe të tjera, të cilët fajësojnë të tjerët për problemet dhe mangësitë e tyre personale.

"Kemi të bëjmë shpesh me marrëdhënie të vështira personale, dështime në shkollë dhe në punë," tha ai. "Këta njerëz fajësojnë grupet e minoriteteve për situatën e tyre të dëshpëruar në jetë dhe më pas rrëshqasin drejt ekstremizmit."

aud/wmr,sms (dpa,AFP)