Annegret Kramp-Karrenbauer-CDU ka në krye sërsish një grua
8 Dhjetor 2018Kongresi i partisë e zgjodhi 56-vjeçaren Annegret Kramp-Karrenbauer (AKK) nga landi i Zarës (Saarland) në raundin e dytë si pasardhëse të 63-vjeçares Angela Merkel. Kramp-Karrenbaue sfidoi kështu Friedrich Merz, rivalin e saj kryesor, dhe Jens Spahn. Më parë ajo kishte mbajtur një fjalim emocional, që sipas përshtypjes së përgjithshme ndër delegatë, kishte qenë më i forti. AKK, siç e quan ajo veten herë pas here, ndër të tjera edhe në twitter, apeloi që CDU-ja të mbetej parti popullore.
"Fabrika e natyrshme e mendimit politik duhet të jetë partia popullore", tha ajo. "Ajo mbrojti idenë e një Europe të fortë, të hapur nga brenda dhe të sigurtë nga jashtë", me Këshill Sigurimi Evropian dhe Ushtri Evropiane. Kramp-Karrenbauer, e mësuar me fushata, kaloi shpejt e shpejt edhe temat: digjitalizimi, shteti i fortë, siguria e punëtorëve. Dhe tha se pret: "një CDU të fortë dhe jo dosido."
E lidhur me Landin e Zarës
Ajo është afër bazës dhe një njeri që i ruan lidhjet me vendin e vet. Në landin e saj, Zarë, ashtu e njohin. E shohin herë në motor, pas të shoqit, Helmutin, me të cilin është e martuar prej 34 vjetësh dhe ka tre fëmijë që sot janë të rritur. Nganjëherë e shohin në Mannheim duke parë futboll ose hokej në akull. I shoqi është një inxhinier minierash, por e la punën për t'u kujdesur për fëmijët dhe për ta mbështetur të shoqen, kur kjo u bë kryeministre e landit. Në Hamburg, në kongresin e partisë, Helmut Karrenbauer ishte në pjesën e mysafirëve.
Deri tani sekretare e përgjithshme e partisë, pas lajmërimit të Merkel-it se do të tërhiqej nga posti i kryetares së CDU-së, AKK ishte e para që paraqiti interes për ta pasuar. Kundrejt dy konkurruesve që prezantoheshin si më konservatorë, Friedrich Merz dhe Jens Spahn, ajo do të vinte në dukje sidomos aspektet sociale dhe vlerat themelore të partisë që përfaqësoheshin nga shkronja C (krishtërimi)
Dhe AKK do të këmbëngulte vazhdimisht se demokristianët, si partia e fundit popullore duhet ta kishin themelin në qendër të shoqërisë dhe gjithmonë e ka refuzuar zhvendosjen e partisë nga e djathta.
Kramp-Karrenbauer konsiderohet e besuara e kancelares. Por para së gjithash ajo ka përvojë në të gjitha nivelet e punës politike. Ajo ka qenë për dymbëdhjetë vjet me radhë ministre në disa dikastere të politikës së landiit, një përvojë që e kujton shpesh edhe në fjalimet e sotme. Politikë e brendshme, familia dhe gratë, arsimi dhe çështjet sociale, kultura, drejtësia. Në vitin 2011 ajo u bë kryeministre e landit të Zarës, dhe në vitin 2017, nëntë muaj para se të bëheshin zgjedhjet federale, dhe kur CDU ishte me shpatulla pas muri, për shkak të rivalit socialdemokrat të Angela Merkel-it, Martin Schulz, ajo arriti të fitonte me 40,7 për qind. Një arritje sensacionale, CDU-së së saj iu shtuan edhe pesë pikë më shumë.
"Mundem, dua, do të jem!"
Në shkurt 2018, Kramp-Karrenbauer erdhi në Berlin për t'u bërë sekretare e përgjithshme e CDU-së. "Mundem, dua dhe do të jem. Prandaj unë me kënaqësi vihem në shërbim të partisë", i tha ajo kongresit të partisë në Berlin. Ajo u bë një ndërmjetësuese shumë e mirë ndërmjet kampeve rivalizuese dhe interesave në CDU.
Projekti më i rëndësishëm i saj ishte përpilimi i një programi parimor. Qëllimi i saj ishte që të vinte në dukje thelbin konservator karakteristik për CDU-në, pasi nën qeverisjen e kancelares Merkel, para së gjithash te grupet e zgjedhësve konservatorë dhe liberalë ajo kishte humbur shumë pikë. Për këtë projekt, ajo bëri një "turne dëgjimi" nëpër Gjermani dhe u takua në 50 qytete me shoqata lokale, për të këmbyer mendime. Gjatë fushatës për shefe të CDU-së ajo i përmendte vazhdimisht bisedat e bëra gjatë turit.
Kramp Karrenbauer ka thënë se CDU-ja duhet të karakterizohet sërish nga poshtë lartë. Dhe këtu mund të lindin konfliktet me kancelaren Merkel, konkretisht për tema të tilla, si Europa, arsimi ose ndërtimi i banesave të raja. Të shohim.