1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëria si destinacion turistik gjithëvjetor

Ani Ruci7 Gusht 2014

Strategjia turistike synon të zhvillojë: turizmin e rërës dhe diellit, atë kulturor dhe atë të natyrës.

https://p.dw.com/p/1Cqnu
Fotografi: DW/A. Ruci

Znj. Ministre, jemi në gusht, në kulmin e sezonit turistik të kësaj vere. Çfarë po bëni që ambicia e qeverisë Rama për shdrrimin e Shqipërisë në një destinacion të qëndrueshëm turistik europian dhe ndërkombëtar të ketë tregues se do të realizohet?

Eglantina Gjermeni: Vendosja e Shqipërisë në hartën e tregjeve ndërkombëtare, si një destinacion turistik është një prej ambicieve kryesore të qeverisë Rama i dhe një prej premtimeve të mia. Për sezonin e tanishëm turistik është ngritur një Task Force ndër - institucionale që ndryshimi të fillojë: kemi plazhe më të pastra, pushime të sigurta, shërbime publike më cilësore. Po kryhen inspektime të vazhdueshme në terren nga stafi i Ministrisë, Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Drejtorisë së Tatimeve, pushteti lokal në zonat turistike, për t'iu qëndruar më pranë pushuesve, ofruar shërbime dhe garantuar ndihmën e parë shëndetësore.Kemi vendosur Kulla Vrojtimi dhe trajnuar ekipe të rinjsh sipas standardeve evropiane që janë roje bregdetare për të ndërhyrë sa herë paraqitet nevoja edhe si një mundësi punësimi për rininë. Kemi ofruar një aplikacion në celular,“Explore Albania”, për të gjithë pushuesit që po vizitojnë Shqipërinë gjatë kësaj vere. Është siguruar shërbimi wi-fi falas në plazhet e Shqipërisë. Kemi një angazhim maksimal për t'u ofruar pushuesve, sa më shumë shërbime publike duke nisur nga transporti publik, siguria, shërbimet shëndetësore, ruajtja e mjedisit, aktivitete kulturore, promovimi dhe ruajtja e trashëgimisë kulturore. Kemi intensifikuar marrëdheniet me vendet e rajonit, për Paketa të Përbashkëta Turistike Shqipëri-Kosovë-Maqedoni-Mal i Zi, për të siguruar jo vetëm ardhjen e turistëve nga vende të largëta si Rusia, Kina, Japonia etj por për ta ofruar rajonin si një produkt të vetëm. Me bindje them që në këtë sezon turistik shihet qartë ndryshimi dhe që turizmi ka hyrë në rrugën pa kthim për t'u shndrruar në një sektor kyç të rritjes ekonomie të Shqipërisë.

Që kjo të ndodhë duhen përdorur maksimalisht avantazhet e Shqipërisë. Për çfarë "të veçantash"ia vlen të kalosh pushimet apo ta vizitosh?

Eglantina Gjermeni
Eglantina GjermeniFotografi: DW/A. Ruci

Eglantina Gjermeni: Vërtet jemi një vend i vogël, por kemi vlera që pa diskutim janë konkuruese dhe mund ta bëjnë Shqipërinë një destinacion tërheqës turistik. Kemi 300 ditë me diell, mund të ofrojmë paketa turistike për grupmosha të ndryshme, ngjarje kulturore interesante. Turistët mund të gjejnë këtu, detin edhe malin dhe një trashëgimi historike dhe kulturore autentike. Mund të vizitojnë Beratin, Gjirokastrën, Butrintin, pjesë e trashëgimisë botërore, nën Mbrojtjen e UNESCO-s, mikpritjen e rrallë dhe kulinarinë karakteristike të çdo zone, produkte autoktone artizanale, si vlerë e shtuar për produktin turistik.

Cilat janë drejtimet kryesore të zhvillimit të turizmit në strategjinë Kombëtare 2014-2020?

Eglantina Gjermeni: Strategjia e Zhvillimit të Turizmit 2014-2020 paraqet platformën e menaxhimit të qëndrueshëm të sektorit të Turizmit. Objektivi i saj kryesor është krijimi i një modeli për turizmin gjithëvjetor të integruar, duke zhvilluar produkte turistike konkuruese dhe nxitur investime të qëndrueshme. Tri janë llojet e turizimit që kjo strategji synon të zhvillojë: turizmi i rërës dhe diellit, turizmin kulturor dhe atë të natyrës. Zbatimi i kësaj strategjie pritet të sjellë rritjen e numrit të të punësuarve, të vizitorëve që vijnë në Shqipëri, zgjatjen e sezonit turistik përgjatë gjithë vitit dhe si rrjedhim të të ardhurave në ekonomi. Ambicia jonë është që kjo strategji të jetë e realizueshme në praktikë, me tregues të matshëm, me afate kohore të përcaktuara. Suksesi i saj varet nga bashkëpunimi me të gjithë aktorët, në mënyrë të vecantë nga cilësia e partneritetit me sektorin privat.

Një nga të metat kryesore, në sezonet e kaluara turistike ka qënë mungesa e kulturë së shërbimit. Cilido turist, vendas apo i huaj pret një shërbim cilësor, të kulturuar, të ndihet i respektuar dhe që i kushtohet vëmendje si individ. Çfarë po bëni në këtë drejtim?

Eglantina Gjermeni: Synojmë një imazh real, të një Shqipërie turistike me shërbim të kulturuar. Mungesa dhe ofrimi i shërbimeve sipas standardeve europiane mbetet problem dhe jemi angazhuar për ta ndryshuar situatën. Ligji i ri për Turizmin, që pritet të miratohet në shtator, parashikon ngritjen e një sistemi bashkëkohor standardesh në fushën e turizmit, me përfshirjen e të gjitha llojeve të sipërmarrjeve turistike, duke nisur nga strukturat pritëse, operatorët dhe udhërrëfyesit turistikë dhe deri tek veprimtaritë e turizmit alternativ apo të interesit të veçantë. Ditët e fundit kryem çertifikimin e 14 udhërrëfyesve të parë turistikë, ose siç kam dëshirë t'i quaj “ambasadorët” e vlerave kulturore dhe historike të vendit - pasqyra e imazhit të Shqipërisë. Po punojmë me Ministrinë e Mirëqënies Sociale për përmirësimin e kurrikulave në shkollën e Hoteleri-Turizmit dhe shkollat profesionale, ku vendosen bazat e standardeve bashkëkohore në profesionin e kuzhinierit, kamarierit, recepsionistëve dhe menaxherëve të restoranteve apo njësive akomoduese.

Znj. Ministre, ndotja e mjedisit dhe ajo akustike janë ndër shkaqet kryesore që largonjë turistet e huaj dhe vendas nga Shqipëria, për t' i çuar në vendeë fqinje Itali apo Greqi, ku ka rregulla loje të përcaktuara qartë në këtë drejtim dhe ligje që zbatohen. Si po perballeni me këto dy sfida?

Eglantina Gjermeni: E drejtë. Puna për pastrimin e mjedisit, ku u angazhuan Forcat e Armatosura në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit, po vazhdon gjatë gjithë brezit bregdetar, gjatë gjithë sezonit. Ekipet tona janë në terren dhe monitorojnë situatën në plazhe. Rregulla të qarta kemi edhe ne, problemi qëndron tek moszbatimi i tyre nga subjektet private. Përpjekjet tona kanë edhe një qëllim tjetër: ndryshimin e mendësisë, detyrimin për të respektuar ligjin që nga qytetarët deri tek pushteti vendor. Është një sfidë me të cilën po përballemi dhe jemi tërësisht të angazhuar ta ndryshojmë situtatën në shërbim të qytetarëve.

Çfarë do të vlerësoni si arritje te deritanishme, që ju bën optimiste se ndryshimi do të jetë i qëndrueshëm dhe do t' ia dilni mbanë të keni që mbanë?

Eglantina Gjermeni: Ky sezon veror në të vertetë është ndryshe dhe ne do të bëjmë maksimumin deri në përfundim të tij. Mendoj se nuk është arritur pak gjatë këtij sezoni: u pastrua territori nga ndërtimet e paligjshme që kishin zaptuar bregdetin dhe hapsirat për pushuesit, u krijuan hapsirat publike në plazhe krahas atyre private, u vendosën tabelat me rregullat të qarta, u ngritën kullat e para të vrojtimit, për tu ardhur në mbrojtje qytetarëve, u përcaktua kufiri në det për lëvizjen e mjeteve motorrike, u krye disinsektimi nga mushkonjat, shërbimi shëndetësor është me përparësi në zonat turistike etj. Ky sezon veror është ndryshe edhe falë bashkëpunimit me Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Shëndetësise, Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Mjedisit, Ministrinë e Transporteve dhe Infrastrukturës dhe atë të Energjisë.