Amazon mësyn tregun smartphone
19 Qershor 2014Amazon po guxon hyrjen në tregun me konkurrencë të fortë të telefonëve inteligjentë. Në një shfaqje madhështore shefi i koncernit Jeff Bezos prezantoi në Seattle celularin e ri multimedia "Fire Phone". Ai ka një ekran 4,7 pol dhe një kamera 14 megapixel. Ai gjithashtu mund të bëjë diçka më shumë nga konkurrentët: smartphone i Amazon ka një ekran i cili mund të paraqesë pamje në 3-D.
Përcjellje në dyqanin online
Kompania e tregtisë në internet ka edhe argumente të tjerë, me të cilët kërkon të bindë klientelën për "Fire Phone": përdoruesve do t'u vihet në dispozicion një volum i pakufizuar për ruajtjen e fotografive dhe qasje falas në ofertën e videove të Amazon dhe në shërbimin e ri të muzikës.
Një funksion kyç i "Fire Phone" quhet "Firefly" dhe funksionion si një lloj makinerie kërkimi për botën reale. Kështu p.sh. funksioni njeh veprat e artit që përdoruesi i celularit fotografon apo edhe emisione në televizion.
Por Amazon mendon edhe për modelin e saj klasik të biznesit, foto të objekteve e përcjellin përdoruesin e celularit tek produkti përkatës në ofertën e Amazon.
Treg me konkurrencë të fortë
Me celularin e saj të ri Amazon po hyn në një konkurrencë të ashpër me rivalë të konsoliduar. Thuajse gjysma e tregut është tashmë në duart e dy ofruesve të mëdhenj: Samsung dhe Apple. Kështu Samsung shet rreth një të tretën e gjithë celularëve inteligjentë në botë. Ndërsa iPhone i Apple ka një kuotë tregu prej rreth 15 për qind. Për pjesën tjetër luftojnë një numër prodhuesish telefonësh celularë.
"Fire Phone" do të hidhet në treg fillimisht në SHBA. Atje me kontratë të ofruesit të telefonisë AT§T ai do të kushtojë 199 dollarë amerikanë dhe pra afërsisht sa celularët e tjerë të nivelit premium.
Smartphone i ri plotëson një boshllëk në ofertën e Amazon. Koncerni ka tashmë në treg tabletat Kindle Fire dhe televizorët Fire TV. Përmes një sinkronizimi në cloud të gjithë aparatet mund të ndërveprojnë me njëri-tjetrin.