Alternativë, provokim dhe irritim - Festivali i letërsisë në Mynih
27 Nëntor 2010180 shtëpi botuese e rreth 10.000 botime të reja në vit: Me këto shifra Mynihu është kryeqyteti i botuesve të hapësirës gjermanofone. Ajo çka i mungonte deri tani metropolit gjermanojugor, ishte një festival letërsie. Tani edhe kjo ngjarje iu shtua kryeqytetit të Bavarisë. E për ta kremtuar këtë profilizim të tij si qytet librash, Mynihu ka ftuar një sërë emrash të njohur të letërsisë botërore.
Gjithsej rreth 100 shkrimtarë ka ftuar festivali i ri letërsisë në Mynih, të prezantojnë veprat e tyre nga data 17 nëntor e deri më 5 dhjetor 2010. Një pjesë e aktivitetit ka ekzistuar edhe më parë, në kuadër të panairit të librit të Mynihut (Bücherschau). Por risia kryesore këtë vit është "Forumi i autorëve". Shkrimtarët që marrin pjesë në forumin e autorëve, i ka përzgjedhur shkrimtari bullgar Ilija Trojanov, i cili është kuratori i këtij festivali. Për t'i dhënë një specifikë të veçantë festivalit, organizatorët kanë vendosur që kuratori të ndryshojë nga viti në vit.
"Donim të kishim një program letrar me cilësi të lartë, me koncept përmbajtësor dhe që premton zbulime letrare, pra një program të shkëputur nga shpejtësia e tregut, ku libri që del në pranverë vjetërohet në vjeshtë", shpjegon Hans Georg Küppers, referent kulture i qytetit të Mynihut.
Larmi letrare
Programi i përzgjedhur nga Trojanovi, në një farë mënyre pasqyron jetëshkrimin e këtij intelektuali kozmopolit: Botuesi dhe shkrimtari 45-vjeçar ka lindur në Sofje të Bullgarisë, është rritur në Kenia, ka studiuar në Mynih, ka jetuar në Indi e Afrikë të Jugut, dhe tani banon në Vjenë. Festivalin e hapi Nuruddin Farah nga Somalia, ndërsa një maratonë leximesh njëmbëdhjetë orëshe Trojanovi e pagëzoi me emrin Wordraga, frymëzuar nga struktura e melodisë së muzikës klasike nga India.
Trojanow është përpjekur të dalë nga skema e zakonshme e leximeve solo, ose diskutimeve me disa pjesëmarrës. Autorët e përzgjedhur ai i ka ndarë dy nga dy:
"Ata kanë diçka të përbashkët, ose e njohin mirë njëri-tjetrin, ose i bashkon tematika apo një përvojë e caktuar", thotë ai për Deutsche Wellen.
Kështu për shembull, shkrimtari italian Umberto Eco (Emri i Trëndafilit) dhe skenaristi francez Jean-Claude Carrière (Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur) patën rastin të flisnin për dashurinë e tyre për librin. Nobelistja gjermano-rumune Herta Müller dhe kolegu i saj hungarezo-rumun György Dragomán, biseduan për letërsinë dhe represionin në periudhën e diktaturës, boshnajku Xhevat Karahasan dhe hebreu i lindur në Pejë, David Albahari për përvojën e tyre me luftën, shkatërrimin dhe identitetin.
Me këta dhe shumë shkrimtarë të tjerë nga të gjitha kontinentet, Trojanovi donte t'u ofronte bavarezëve një mundësi njohjeje me kulturat e ndryshme, një alternativë që shkon fare mirë në debatin aktual për integrimin e të huajve në Gjermani dhe orientimin e tij nga kultura udhëheqëse gjermane. "Ne duam ta marrim seriozisht letërsinë në rolin e saj si alternativë shoqërore dhe korigjuese e politikës, makineri për shpjegimin dhe rrënimin e botës, provokim dhe irritim", thotë Trojanov.
Autore: Anila Shuka
Redaktoi: Eliana Xhani