1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Alt: Shqipëria të mos dalë para Maqedonisë së Veriut

10 Maj 2021

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian takohen të hënën në Bruksel, ku një ndër temat e bisedimeve është edhe Ballkani Perëndimor. Deputetja liberale gjermane, Renata Alt ka një porosi për ministrat e Jashtëm të BE.

https://p.dw.com/p/3tCOL
Europäisches Treffen für Auswärtige Angelegenheiten | Josep Borrell, Heiko Maas und Jean Asselborn
Pamje ilustruese nga takimet e ministrave të JashtëmFotografi: picture-alliance/AP Photo/F. Seco

Në takimin e tyre në Bruksel (10.05) ministrat e Jashtëm të BE konsultohen për marrëdhënien e tensionuar me Rusinë, për gjendjen në Bjellorusi, Afganistan dhe Liban. Por edhe për Ballkanin dhe gjendjen në rajon do të flitet në kuadër të takimit, sidomos kur aktualisht qarkullojnë në media njoftimet për një "nonpaper" për ndarjen në paqe të Bosnjes, gjë që është kundërshtuar ndërkohë. Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas i quan zëra të tillë për rindarjen kufijsh të rrezikshëm, ato i përkasin historisë. Ministrat e Jashtëm në Bruksel do të diskutojnë edhe për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Një temë tjetër e hapur e BE është edhe ngecja aktuale e negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Megjithëse ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Heiko Maas nuk është për ndarjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut në procesin e anëtarësimit në BE, u dëgjuan tone të tjera gjatë vizitës së fundit pak ditë më parë, në Shkup nga komisioneri i BE, Oliver Várhelyi. Komisioneri i Be u shpreh, se nëse nuk nuk zgjidhen mosmarrëveshjet mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut , nuk përjashtohet mundësia që Konferenca e parë Ndër-Ministrore e BE të zhvillohet edhe vetëm për Shqipërinë.

Bundestag Renata Alt FDP
Renata AltFotografi: picture-alliance/dpa/G. Fischer

Alt: Të mos ndëshkohet nxënësja shembullore Maqedonia e Veriut

Lidhur me këtë deputetja gjermane liberale (FDP), Renata Alt, e cila është edhe raportuese për Europën Qendrore dhe Lindore në partinë liberale ka reagur para takimit në Bruksel të hënën. Alt është shprehur se në lidhje me çeljen e negociatave të anëtarësimit nuk duhet ndëshkuar Maqedonia e Veriut, që ka qenë një nxënëse shembullore. Në një deklaratë për Deutsche Wellen të hënën, Alt thekson se "ministrat e Jashtëm do duhet ta përdorin takimin për Ballkanin Perëndimor për të tematizuar bllokimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut për shkak të Bullgarisë. Opinioni i shprehur nga komisioneri i BE, Olivér Várhelyi, që të dalë Shqipëria para Maqedonisë së Veriut, është absolutisht i pakuptueshëm dhe duhet të refuzohet qartë nga Këshilli", thotë Renata Alt.

Sipas deputetes gjermane në vend që të ndëshkohet nxënësja shembullore mes aspirantëve në BE, Maqedonia e Veriut, duhet që vendet anëtare të rrisin presionin mbi Bullgarinë. "Edhe qeveria gjermane ka përgjegjësinë, që të koordinohet ngushtë me vende si Austria për të mbështetur Maqedoninë e Veriut. Që Shkupi nuk lejohet të negociojë është një sinjal katastrofik në drejtim të Ballkanit. Pikërisht në kohët, kur qarkullojnë "nonpaper" për ndryshime kufijsh, duhet që BE të ketë qëndrim të qartë. Për këtë është rasti sot."

 

Lindita Arapi, me xhaketë rozë dhe bluzë të zezë
Lindita Arapi Gazetare, moderatore, autore, shkrimtare