Albin Kurti dhe Aleksancar Vuçiq takohen për herë të dytë
19 Korrik 2021Tema kryesore e raundit të dytë të bisedimeve mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentin të Serbisë Aleksandar Vuçiq është shqyrëtimi i përparimit në çështjet për të cilat janë nënshkruar më parë marrëveshje, si dhe hapat e mëtejmë të bisedimeve. Autoritetet evropiane thonë se pikërisht ky dialog është një prej elementeve më vendimtare në procesin e afrimit të Kosovës dhe Serbisë me Bashkimin Evropian.
Autoritetet e BE bëjnë të ditur se ndërmjetësuesit evropianë së pari do të takohen ndaras me delegacionet dhe më pas të gjithë së bashku, me shpresë se do të ketë lëvizje përpara. Takimi i parë Kurti-Vuçiq, i mbajtur me 15 qershor në Bruksel, ka kaluar me grindje dhe mosmarrëveshje të mëdha, madje edhe me ngritje tonesh. Një prej temave më të përfolura nga pala serbe është krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Kurti ka deklaruar se "nuk do të ketë asociacion njëetnik” dhe nuk do të lejojë "përsëritjen e skenarit të Bosnjë- Hercegovinës”. Në vend të asociacionit, ai ka propozuar në takimin e kaluar krijimin e Këshillit Kombëtar për serbët e Kosovës, ngjashëm siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi.
Në takimin e 15 qershorit, Kurti ka paraqitur katër propozime, por pala serbe nuk e ka pranuar asnjë prej tyre. Një prej propozimeve ishte edhe nënshkrimi i marrëveshjes paqësore mes këtyre dy vendeve, që të mos sulmojnë njëra-tjetrën.
Në takimin e parë Kurti ka kërkuar po ashtu nga pala serbe që të deklarohet se kur do të njohë pavarësinë e Kosovës. Vuçiq më pas, para gazetarëve tha se Serbia "nuk do ta njohë kurrë Kosovën”. Më pas është mbajtur edhe një takim mes udhëhehqësve të delegacioneve për dialog – Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviq, por as ky takim nuk ka shënuar ndonjë lëvizje serioze përpara. Në këtë atmosferë, pritet sot që të lëvizet një hap më përpara në vlerësimin e marrëveshjeve të kaluara dhe përcaktimin e hapave të mëtejmë. Pas takimit pritet që palët të deklarohen para gazetarëve. E pritet edhe prononcimi i ndërmjetësve evropianë.