1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Akti i fundit në Bundesligën gjermane

Thomas Klein / Bahri Cani9 Maj 2014

Në javën e fundit të ndeshjeve futbollistike do të ketë disa ndeshje vendimtare. Do të vendoset se kush bie nga kategoria e parë dhe kush shkon në Ligën e Kampionëve.

https://p.dw.com/p/1BwmB
Fotografi: imago sportfotodienst

Frika dhe shpresa janë karakteristikat kryesore që do t'i përcjellin ndeshjet e javës së fundit në Bundesligën gjermane 2013/14 në futboll. Të shtunën (10.05.2014) do të vendoset se cilat ekipe duhet të largohen nga kategoria e parë. I fundit është Eintracht Braunschweig, i 17-ti Nyrembergu ndërsa në vendin e 16 Hamburgu. Por të gjitha këto ekipe ende kanë shpresë se mund të mbeten në ligën e parë. Hamburgu është skuardra e vetme e cila deri tani nuk është larguar kurrë nga kategoria e parë. Trajneri Mirko Slomka është i bindur se kjo traditë do të vazhdojë edhe pas ndeshjes së fundit në Majnc, kundër FSV Mainz 05. Në rast fitore Hamburgu do të ndeshet në lojën e relegacionit me ekipin e tretë të Ligës së Dytë, ku do të vendosej se cila prej këtyre dy skuadrave do të vazhdojë garën në Ligën e Parë. Në lojën e fundit, Hamburgu do të ketë në dispozicion edhe sulmuesin Pierre-Michel Lasogga, i cili është kthyer në ekip, pas një dëmtimi. Por Hamburgu nuk do ta ketë fare lehtë, sepse Majnci ende shpreson kualifikimin në Ligën e Evropës.

Shpresa me emrin Josip Drmiq

Ekipi i Nyrembergut do ta ketë edhe më vështirë, sepse ai ka një pikë më pak se Hamburgu dhe do të jetë mysafir i skuadërës Shalke 04, të cilët i duhet një pikë, për kualifikim të sigurt të drejtëpërdrejtë në Ligën e Kampionëve. "Ndoshta jam i marrë por unë besoj se skuadra jonë mund të shënojë fitore", pohon trajneri Prinzen. Shpresat kryesore bazohen tek sulmuesi i ri me origjinë kroate Josip Drmic, i cili kaherë është në shënjestër të ekipeve më të mira dhe më të pasura si Bajer Leverkusen. Bayeri i duhet një fitore në ndeshjen e fundit kundër Verderit, për t'u kualifikuar në garat e Ligës së Kampionëve.

Në foto: Josip Drmic
Në foto: Josip DrmicFotografi: picture-alliance/dpa

Për Ligën e Kampionëve nga Gjermania kualifikohen në mënyrë të drejtëpërdrejtë tri ekipe, ndërsa i katërti shkon në gara shtesë për kualifikime. Vendin e tretë aktualisht e zë Shalke, por në rast humbje nga Nyrembergu dhe fitores së Bajernit, ekipi nga Leverkusen sërish do të jetë pjesëmarrës i sigurt në garën e ekipeve më të mira në Evropë. Drmiq ka pra një motiv më shumë që të shënojë dhe të fitojë kundër Shalkes, sepse ekipi i tij i ardhshëm do të kualifikohej drejtpërdrejt në Ligën e Kampionëve. Të paktën kështu shpresojnë në Nyremberg.

"Mrekullia"

Llogaria e Eintracht Braunschweig është më e thjeshta. Ai duhet të fitojë kundër TSG Hoffenheim, ndërsa Nyrembergu dhe Hamburgu të humbin pikët, për të mbetur në kategorinë e parë. Trajneri Torsten Lieberknecht shpreson se do të ndodhë "ndonjë mrekulli".

Sa i pëket titullit, gjërat janë të qarta kaherë. Bajerni i Mynihut e ka siguruar javë më parë titullin e 24 të kampionit në Gjermani. Ndërsa Borusia Dortmund zë vendin e dytë. Këto dy ekipe do të ndeshen në finalen e kupës së Gjermanisë, në Berlin me 17.05.2014.