1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

EULEX: Padi ndaj 15 personave

Bekim Shehu8 Nëntor 2013

EULEX ka bërë publike aktakuzën e ngritur zyrtarisht ndaj 15 personave që dyshohen se kanë bërë krime lufte.

https://p.dw.com/p/1AEFg

Misioni i Bashkimit Evropian për polici dhe drejtësi në Kosovë, EULEX, bënë të ditur se prokuroria speciale e Kosovës, ka ngritur aktakuzë ndaj një grupi të madh të personave të dyshuar për krime lufte.

“Sot me 08.11 një prokuror ndërkombëtar nga Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore të Mitrovicës kundër pesëmbëdhjetë të pandehurve. Të pandehurit akuzohen për vepra penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile, përfshirë tortura, keqtrajtim të të burgosurve dhe vrasje, të cilat supozohen të jenë kryer në një qendër paraburgimi të UÇK-së në fshatin Likoc në vitin 1998”, thuhet në njoftimin për media të misionit EULEX.

Zyrtarë të misonit EULEX, nuk japin detaje të tjera, sikundër nuk publikojnë emrat e personave ndaj të cilëve është ngritur aktakuza. Mirëpo, mediat në Prishtinë tashmë shkruajnë se fjala është për “grupin e Drenicës”, ku bënë pjesë ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Sylejman Selimi, i cili gjatë luftës ishte komandant i shtabit të përgjithshëm të UÇK-së. Në mesin e të akuzuarve është dhe ish komandanti i UCK-së i zonës operative të Drenicës, Sami Lushtaku. Ky i fundit ndonëse ka pesë muaj që mbahet në paraburgim, megjithatë në zgjedhjet lokale të tre nëntorit që në rundin e parë u zgjodh kryetar komune i Skenderajt për një mandat të dytë.

Të akuzuarit janë: Sylejman Selimi, Sami Lushtaku, Agim Demaj, Bashkim Demaj, Driton Demaj, Selman Demaj, Fadil Demaku, Jahir Demaku, Nexhat Demaku, Zeqir Demaku, Sabit Geci, Ismet Haxha, Sahit Jashari, Isni Thaçi dhe Avni Zabeli.

Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit ka kompetenca ekzekutive për të trajtuar rastet e krimeve të luftës, por edhe krimin e organizuar dhe korrupsionin. EULEX u vendos në Kosovë në shkurt të vitit 2008, menjeherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Nëntë nga 15 personat ndaj të cilëve u ngrit aktakuza, kanë pesë muaj që mbahen në paraburgim. Ata u arrestuan në fund të muajit maj të këtij viti.