1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Afrim me Izraelin: Riadi hedh poshtë akuzën për "tradhëti“

11 Shtator 2020

Javën e ardhshme do të vuloset zyrtarisht afrimi historik midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Deri tani nuk duket se edhe vendet e tjera të rajonit do të ndjekin së shpejti vendimin e tyre.

https://p.dw.com/p/3iJB2
Gaza Protest gegen Israel VAE Beziehungen
Gaza - protesta kundër marrëdhënieve mes Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara ArabeFotografi: picture-alliance/Zuma/M. Issa

Predikimi i së premtes, që Imami i xhamisë së madhe të Mekës, Abdulrahman al-Sudais, lexoi javën e kaluar, bëri bujë në disa pjesë të botës arabe dhe islamike. Predikuesi saudit foli për tolerancë ndaj jomyslimanëve dhe trajtoi pozitivisht edhe marrëdhënien e profetit Muhamed me hebrejtë.

Meqenëse vetëm disa javë më parë u njoftua për normalizimin historik të marrëdhënieve mes Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), shumë i diskutueshëm në një pjesë të vendeve arabe dhe islamike, predikimi u pa nga shumëkush si një mesazh politik.

"Tradhëti nga foltorja e shenjtë"

Në rrjetet sociale arabe kritikët u shprehën kundër, duke thënë se, edhe pse ende nuk ka një perspektivë të kënaqshme për një shtet palestinez dhe për statusin e Jeruzalemit, qytet i shenjtë edhe për myslimanët, predikuesi nga Meka me fjalë të bukura po përgatit terrenin për normalizimin e marrëdhënieve saudite me Izraelin. Ky është "normalizim dhe tradhëti nga foltorja e shenjtë", kritikoi dijetari islam nga Egjipti, Mohammed al-Sagheer, në twitter.

Por ndërkohë ndryshime të vogla mjaft specifike në marrëdhëniet izraelito-saudite kanë ndodhur prej kohësh. Kështu Riadi njoftoi në fillim të shtatorit, se do të hapë hapësirën e vet ajrore për fluturimet midis Izraelit dhe EBA. Deklarata erdhi menjëherë pas marrëveshjes midis EBA dhe Izraelit, si rezultat i së cilës për herë të parë një aeroplan izraelit u ul në Abu Dhabi. Më shumë se dy vjet më parë, në mars 2018, Riadi i kishte dhënë linjës ajrore Air India lejen për ta përdorur hapësirën ajrore saudite për fluturime të drejtpërdrejta midis Nju Delhit dhe Tel Avivit.

Por kur shikon njoftimet zyrtare nga Riadi, momentalisht ka pak prova që Arabia Saudite të mund të ndjekë së shpejti shembullin e Emirateve dhe të vendosë marrëdhënie të plota diplomatike me Izraelin. Kushti për këtë është zgjidhja e çështjes palestineze, e njohur ndërkombëtarisht, që përfshin Jeruzalemin Lindor. Kjo u tha pak a shumë qartë nga Riadi së fundmi të mërkurën (09.09.2020) në një takim të Lidhjes Arabe në Kajro.

Më parë kreu i shtetit, mbreti Salman, në një bisedë telefonike me Presidentin e SHBA Donald Trump kishte kërkuar një zgjidhje "të drejtë" për palestinezët. Ministri i Jashtëm Faisal bin Farhan nxitoi të pohonte në një deklaratë në gjuhën arabe në twitter në fillim të shtatorit: "Pozicioni i Mbretërisë në lidhje me kauzën e palestinezëve është i palëvizshëm".

Jo pa palestinezët

Me sa duket tonin në Riad e japin aktualisht forca më të kujdesshme. Ka mundësi që këto forca mendojnë, se Arabia Saudite me peshën e saj si fuqi udhëheqëse rajonale dhe mbrojtëse e vendeve të shenjta islamike, nuk mund të bëjë një marrëveshje, të cilën kritikët dhe kundërshtarët politikë ta denoncojnë si "tradhëti" ndaj palestinezëve dhe pretendimeve të muslimanëve mbi Jeruzalemin. Gazeta „Financial Times" citonte një zyrtar anonim me fjalët: "Emiratet e Bashkuara Arabe janë më të vogla dhe nuk e kanë këtë element fetar. Ajo që EBA kanë për të humbur është shumë më pak sesa ne." Në Arabinë Saudite ekziston shqetësimi se mund të kritikohen nga pjesa tjetër e botës myslimane.

Por nëse sauditët e fuqishëm hezitojnë ta ndjekin shpejt shembullin e Emirateve, edhe të tjerët duhet të rezervoheshin, thotë Hugh Lovatt, ekspert i Lindjes së Mesme në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet e Jashtme (ECFR). "Mund të thuhet se refuzimi i marrëdhënieve të drejtpërdrejta me Izraelin nga Arabia Saudite është një arsye ose të paktën një justifikim për vendet e tjera të Gjirit, si Bahreini ose Omani, për të sfumuar shpresat amerikane", tha Lovatt në një intervistë me DW.

Edhe shtetet e tjera refuzojnë aktualisht. Në Sudan qeveria e përkohshme e siguroi që në gusht Uashingtonin se nuk e ka mandatin e duhur, që të mund të vendosë mbi normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin. Një zëdhënës i qeverisë sudaneze, i cili kohët e fundit kishte shprehur publikisht kënaqësinë për marrëdhëniet e ardhshme me Izraelin, mori kritika të ashpra nga publiku dhe u shkarkua.

Kosova në vend të Bahrainit?

Presidenti i SHBA Trump, i cili me rastin e marrëveshjes midis Izraelit dhe EBA njoftoi në mënyrë euforike mundësinë e marrëveshjeve të tjera historike me vendet arabe dhe islamike, qëndron deri tani duarbosh, përsa i përket kësaj.

Përveç hapjes së hapësirës ajrore për fluturimet izraelite përmes Arabisë Saudite dhe përmes aleatit të saj Bahreinit, para nënshkrimit të marrëveshjes midis Izraelit dhe EBA me 15 shtator ai mund të njoftojë vetëm një sukses, më shumë simbolik, në Evropën e largët. Atje republika e vogël kryesisht myslimane e Kosovës në territorin e ish-Jugosllavisë ka rënë dakord për marrëdhënie zyrtare me Izraelin.

Sa i përket botës arabe, eksperti i Lindjes së Mesme Lovatt thekson, se politikat aktuale të fuqisë udhëheqëse Arabisë Saudite janë shumë kontroverse përbrenda saj. Ato mund të ndryshojnë, nëse mbreti Salman ashtu si në fusha të tjera, edhe në fushën e politikës së Izraelit dhe Palestinës, të humbiste ndikimin në favor të pasardhësit të tij të supozuar.

Njeriu i ri, që po forcohet gjithnjë e më shumë, princi i kurorës Mohammed bin Salman është shumë më kritik ndaj udhëheqjes palestineze, mendon Lovatt. Për më tepër, për arsye ekonomike dhe për të përmbajtur armikun e përbashkët rajonal Iranin, ai mund të jetë shumë i interesuar të krijojë marrëdhënie të mira me Izraelin. Lovatt: "Me Mohammed bin Salman, që mund të jetë kreu i ardhshëm i mbretërisë, marrëdhëniet midis Arabisë Saudite dhe Izraelit ndoshta mund të ndryshojnë në të ardhmen."

Poshtë pragut të marrëdhënieve zyrtare ata këtë po e bëjnë që tani. Por nga jashtë nuk duhet të duket si "tradhëti” ndaj palestinezëve.