Afganistani - mollë sherri për Naton, por dështimi është i papranueshëm
8 Shkurt 2008Loja përsëritet: gati para secilit takim të rëndësishëm të Natos amerikanët kërkojnë prej vendeve të tjera dërgimin e më shumë trupave në zonat e luftimeve në Afganistan. Ndërsa Gjermania vazhdimisht i refuzon këto kërkesa. Dallgët para takimeve janë të larta, ndërsa gjatë takimeve dëshmohet se nuk janë edhe aq të rrezikshme. Kështu edhe kësaj radhe në Vilna.
Gjatë takimit në Vilna ishin të gjithë të një mendimi se NATO-ja duhet të bëjë më shumë dhe ndarja e barrës në Afganistan duhet të jetë më e drejtë. Ministri amerikan i mbrojtjes, Gejts (Robert Gates) tha se mediat dashakeqe e kanë teprurar. Ai i ka dërguar një letër homogëve të tij, pra edhe ministrit gjerman. Shefi i Pentagonit tani thoshte se ka mirëkuptim për vështirësitë mes konservatorëve dhe socialdemokratëve në koalicionin qeveritar në Berlin.
Problemi i përforcimeve - i pazgjidhur
Ndonëse atmosfera duket më e relaksuar, problemi mbetet. NATO-ja ende nuk i ka trupat që i kërkojnë komandantët në Afganistan. Prandaj kërkesat për dërgimin e tyre do të vazhdojnë .
Pjesëmarrësit u habitën me pohimet e ministrit gjerman, Jung ( Franz Josef Jung) se zbrazëtirën në numrin e ushtarëve do ta plotësojë Franca, Polonia dhe Rumania. Jung ishte i vetmi që kishte dëgjuar për këtë, një një gabim trashanik i ministrit. Takimi i Vilnës dëshmoi edhe një herë se problemet mund të zgjidhen, nëse ekziston vullneti i mirë. Mekanizmat ekzistojnë, por vullneti ende mungon.
Pse vetëm ne dhe ju jo?
Gjermania ka nevojë për një debat lidhur me dërgimin e ushtarëve në zonat e luftimeve, sepse qeveria nuk do të mund të shpjegojë edhe shumë kohë pse ushtarët e saj nuk janë të gatshëm të futen në zonat e rrezikshme. Ngjashëm veprojnë edhe Italia dhe Spanja, por edhe ato janë në shënjestrën e kritikave. Holandezët dhe kanadezët me të drejtë pyesin pse vetëm ne dhe ju jo.
Megjithatë NATO-a nuk është në prag të përçarjeve, sepse një është e qartë: dështimi në Afganistan është i paparamendueshëm. Një dështim tjetër i bashkësisë ndërkombëtare nuk mund të lejohet, sepse talebanët, Al Kaida dhe shokët e tyre këtë presin.