020909 Afghanistan Drogen
4 Shtator 2009Një nga problemet më të mëdha në ndërtimin e Afganistanit është kultivimi i opiumit. Opiumi është burimi më fitimprurës i të ardhurave për bujqit dhe një nga burimet më të rëndësishme të financimit të talibanëve.
Por tani shifrat e Agjencisë së OKB-së për Drogën dhe Kriminalitetin japin shkas, të paktën në vështrim të parë, për shpresë: sipas tyre, prodhimi i opiumit në Hindukush është ulur sërish në mënyrë të dukshme. Në krahasim me vitin e kaluar u kultivuan 22 përqind më pak hashash, kjo raportohet në një raport të UNODC, i cili është paraqitur tani në Kabul. Hashashi është bima, prej së cilës fitohet opiumi. Opiumi është lënda e parë për produkte si heroina.
Kultivuesit e drogave po përdorin metoda më efikase pune
Gjenerali Khodaidad, përgjegjës për luftimin e drogës në kabinetin afganas tërhoqi vëmendjen në faktin se në rreth dy të tretat e provincave të vendit tashmë nuk mbillet më hashash: "Vitin e fundit ishin 18 provinca ku nuk mbillej më hashash, këtë vit janë 20 provinca"
Ministri i Antidrogës e lidh këtë zhvillim me luftimin në shkallë të gjerë të drogave nga organizatat e huaja dhe nga qeveria afgane. Por po t'i shikosh me vëmendje statistikat, megjithatë të bie në sy se prodhimi i opiumit nuk ka rënë në të njëjtën masë si mbjellja e hashashit. Kemi një rënie vetëm prej 10%, e cila ka të bëjë me metoda më efikase pune. Fshatarët e hashashit kanë arritur të fitojnë më shumë lëndë të parë për bimë.
Opiumi prodhohet në pesë provinca në Afganistanin Jugor
Kështu që Afganistani mbetet prodhuesi më i madh i opiumit në botë: rreth 7000 tonë në vit nevojiten për ta përmbushur nevojën. Megjithë superprodhimin, çmimet kanë mbetur relativisht stabile. Sipas vlerësimit të UNODC-së, një sasi e madhe e drogës mbahet stok.
Agjencia e Kombeve të Bashkuara e llogarit vlerën e opiumit të prodhuar në Afganistan në rreth 440 milionë dollarë, kjo është e barabartë me rreth katër përqind të produktit të brendshëm bruto të Afganistanit. Vitin e kaluar kishim rreth shtatë përqind. Të ardhurat nga kultivimi dhe tregtia e drogës financojnë në një pjesë të konsiderueshme kryengritjen në Afganistan.
ISAF: Luftimi i drogës nuk është pjesë e detyrës sonë
Në jug të vendit, në kështjellat e talibanëve ndodhen edhe zonat më të mëdha të kultivimit të hashashit, tha në Kabul shefi i UNODC-së, Antonio Maria Costa: "Opiumi prodhohet më të vërtetë në pesë provinca në Afganistanin Jugor: Farah, Helmand, Kandahar, Uruzgan. Këto janë provinca me një numër të madh kryengritësish."
Vërtet që në të gjitha këto provinca janë stacionuar ushtarë të trupës ndërkombëtare të paqes, por në pranverë ata patrullonin përbri fushave me hashash.
Në lidhje me këtë duke sqaruar statusin juridik të ISAF-it gjenerali Midendorf, deri në gusht komandant i kontigjentit holandez në Uruzgan, tha: "Luftimi i drogës nuk është pjesë e detyrës sonë. Ne nuk jemi autoritete të ndjekjes penale, por jemi këtu për t'u përkujdesur për sigurinë."
Siguri, e cila rrezikohet drejtpërdrejt prej të ardhurave nga kultivimi i drogës.
Autor: Sabina Mataj/Auron Dodi
Redaktor: Pandeli Pani