1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Afganistani, bursa dhe rrëzimi i urës në Misisipi

2 Gusht 2007

Gjendja në Afganistan dhe marrja e pengjeve, është një prej temave më të komentuara në shtypin e sotëm gjerman.

https://p.dw.com/p/BPJT
Fotografi: picture-alliance / dpa/dpaweb

E përditshmja Shtutgarter Cajtung (Stuttgarter Zeitung) i refereohet fillimisht rezultateve të anketave të fundit.

"Dy të tretat e qytetarëve janë për një tërheqje të shpejtë të trupave nga Afganistani. Kjo është e kuptueshme sepse po shtohet bindja se gjendja në Afganistan është po aq e keqe sa edhe në Irak. Megjithatë janë të gabueshme parullat për një tërheqje të shpejtë. Gjermania i ka premtuar qeverisë së re në Kabul ndihma. Ndërkohë që Gjermania i kryen detyrimet e veta ndërkombëtare. Sjellja kokë më vete, qeverisë do t'i hakmerrej keq: brenda dhe jasht vendit. Prandaj duket se qeveria federale përkundër sondazheve të fundit për tërheqje do të detyrohet të shtojë numrin e trupave në Afganistan. Sepse është e vërtetë që qeveria e atjeshme nuk është në gjendje të kontrollojë tërë territorin e Afganistanit", sugjeron Shtutgarter Cajtung.


Lidhur me këtë temë shfletojmë edhe gazetën Rajn Nekar Cajtung (Rhein - Neckar - Zeitung), e cila botohet në Hajdelberg.
"Më e keqja është që tani dihen shumë gjëra. Njohuria për kushtet e tmerrshme në të cilën gjenden pengjet nuk ka ndryshuar asgjë. Apo ndoshta po? Strategjia e pengmarrësve është që me marrjen e njerëzve, t'i detyrojë "vendet okupatore", që t'i tërheqin trupat. Me vrasjen e inxhenierit gjerman Rydiger D, talebanët e kanë arritur një qëllim, për përhapjen e frikës dhe terrorit", konstaton Rajn Nekar Cajtung.


Një temë shumë e preferuar e gazetave të sotme janë edhe zhvillimet në bursë. Gazeta me autoritet, Frankfurter Allgemajne Cajtung (Frankfurter Allgeimeine Zeitung), shtron pyetjen: A thua kriza e tanishme në tregun financiar është vetëm një turbulencë kalimtare? Apo kriza në tregun e pasurive të patundshme në SHBA po shndërrohet në një tornado, i cili do të shkatërrojë edhe tregjet botërore financiare? Komentatori i kësaj gazete mendon se situata është "serioze" dhe analizon: "Në të kundërtën presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, Trishe, nuk do të ftonte një konferencë të jashtëzakonshme me gazetarë, për të qetësuar aksionerët dhe investitorët. Zhvillimet e fundit tërheqin vëmendje, sepse u tregua se cili është çmimi i rrezikimit. Dridhjet në tregun financiar nuk do të thotë se do të ndikojnë edhe në ekonominë botërore. Ajo edhe më tej gjendet në një gjendje jashtëzakonisht të mirë. Por shumëkush tani do t'i hapë sytë mirë, ndërsa ekonomia do të mbetet e fuqishme", mendon komentatori i Frankfurter Allgemajne Cajtung.

Kolegu i tij nga Berliner Cajtung (Berliner Zeitung) mendon pak më ndryshe:
"Pasiguria e aksionerëve është e kuptueshme. Negativisht ka ndikuar edhe ngritja e interesave dhe spekulimet e shumta të institucioneve financiare. Këtë krizë e ndjejnë edhe investitorët dhe kredidhënësit. Ndërkohë që negative është edhe rënja e vlerës së dollarit, që në veçanti ngarkon vendet eksportuese dhe ndikon në rritjen e çmimit të karburanteve. Të gjitha këto kanë bërë që të shtohen rreziqet, të cilat mund të cënojnë edhe zhvilimin ekonomik", konstaton Berliner Cajtung.


Për këtë pasqyrë shtypi lexojmë edhe disa komente lidhur me rrëzimin e urës mbi Misisipi, në SHBA.
Shtutgarter Nahrihten (Stuttgarter Nachrichten) fillimisht pyet: Çfarë po ndodh në Amerikë? - dhe sqaron se kohët e fundit kanë ndodhur gjëra të paparashikueshme. Në Nju Jork shpërthyen përçuesit nëntokësorë dhe shkaktuan gropa të mëdha në rrugë, astronautët fluturonin të dehur në gjithësi, e tani u rrëzua edhe ura mbi Misisipi, që i ngjante një filmi katastrofash të Hollivudit. Në SHBA, ku zgjedhësve sërish u flitet për vendin më të mrekullueshëm në botë, nuk është ar çdo gjë që shkëlqen. Vendi ka një burokraci tepër të madhe dhe shumë mangësi në organizim. Mirëpo nuk duhet tepruar me argumente të këtilla, sepse edhe në vendet me një infrastrukturë më të mirë, si në Gjermani, ndodhin gjëra të ngjashme. Më tragjikja është që këto gjëra nuk janë nën kotrollin e njeriut", mendon komentatori i Shtutgarter Cajtung.


Ndërsa Rajn Cajtung (Rhein Zeitung), pohon se ata që ngasin vetura do të kenë një ndjenjë të keqe, sa herë që kalojnë mbi ndonjë urë. Gazeta sugjeron se në veçanti duhet të mendohen ata të cilat në urat ku lëvizja kufizohet në 80 kilometra në orë, kalojnë me një shpejtësi prej 140.