Pa Mullah Mansurin situata vetëm do të përkeqësohet
23 Maj 2016Nëse do të kishte nevojë për një konfirmim, se me talibanët nuk mund të flitet për paqen - SHBA sapo e ofruan atë. Natën duke gdhirë e diela ata u përpoqën me një avion pa pilot që ta vrasin udhëheqësin e talibanëve Mullah Achtar Mansur. Sipas raporteve të qeverisë së Kabulit me sa duket me sukses. Ky sulm merr kuptim vetëm po të përjashtohet çdo gatishmëri për bisedime me talibanët dhe nëse Uashingtoni shpreson për një pasardhës më të hapur. Që prej muajsh zhvillohen bisedimet e paqes, në të cilat janë ulur në një tryezë grupi i katërshes - SHBA, Kina, Pakistani dhe Afganistani. Por karrigia e caktuar për talibanët mbeti gjithmonë bosh, megjithë përpjekjet për t'i marrë me të mirë dhe presionit të shërbimeve të fshehta në sfond.
Talibanët në avancim
Mullah Mansuri me siguri pagoi çmimin, që për mendimin e talibanëve ai ishte shumë i suksesshëm dhe qe në gjendje që t'i refuzonte pa asnjë problem bisedimet. Që para se t'i merrte zyrtarisht në dorë fijet e drejtimit në verë 2015, ai vepronte në prapaskenë. Parardhësi i tij, famëkeqi Mullah Omar kishte gati dy vjet që kishte vdekur. Por vdekjen e tij e mbajtën të fshehtë, deri sa Mullah Mansuri arriti të siguronte pozicionin e tij mes talibanëve.
Sapo u bë udhëheqës zyrtar, ai e nisi postin me bujë të madhe: në vjeshtën e vitit të kaluar talibanët arritën që ta pushtojnë për disa ditë ish-bazën e ushtrisë gjermane në Afghanistan, Kundus - rreth dy vjet pas tërheqjes së trupave gjermane. Vetëm me mundim dhe me mbështetjen e njësive speciale dhe të aviacionit amerikan qe në gjendje ushtria afganase ta rimerrte nën kontroll vendin me rëndësi simbolike
Sulmi me dronë - një akt dëshpërimi
Edhe në vende të tjera në Afganistan, talibanët po avancojnë. Ata vetë thonë se janë aktivë në 70 përqind të vendit. Kjo me siguri është propagandë e pasigurtë, por ndoshta është më afër së vërtetës se sa raportet e zbukuruara të qeverisë së Kabulit. Fakt është se NATO-ja është e detyruar të angazhohet gjithnjë e më shpesh në luftime dhe se mandati do të zgjatet me siguri edhe përtej vitit 2017.
Me siguri që diplomatët dhe shërbimet e fshehta do të përpiqen që të kenë një partner më të balancuar përballë vetes. Kjo është para së gjithash kërkesë për Pakistanin, i cili besohet prej kohësh se ka afëri të madhe me Talibanët.
Por kjo llogari me shumë gjasa nuk do të ecë. Në luftë për t'u bërë pasardhës, kandidatët e mundshëm do të përpiqen të tregojnë aftësitë para mbështetësve. Dhe kjo është e mundur të bëhet me atentate spektakulare terroriste ose me pushtime. Shkëlqimi i epokës së Mullah Mansurit është objektivi që duhet të tejkalohet. Talibanët mund të zgjedhin një udhëheqës edhe më të pakompromis, ata e shohin veten në rrugën e fitores.