Afganistan: Dyfishohet numri i të varfërve
19 Prill 2023Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) publikoi të dhënat më të fundit për vitin 2022, sipas së cilave rreth 34 milionë afganë jetojnë nën kufirin e varfërisë. "Disa janë detyruar të shesin shtëpitë, tokat apo asetet e tyre që gjenerojnë të ardhura”, thuhet në raportin e UNDP-së. "Të tjerë kanë përdorur praktikën e dhimbshme të shndërrimit të anëtarëve të familjeve të tyre në mallra, duke shitur fëmijët si punëtorë apo martuar vajzat e mitura."
OKB: Ndalimi i punës së grave paralizon ekonominë
Drejtori rajonal i UNDP-së, Kanni Wignaraja, tha se nuk do të ketë rimëkëmbje të qëndrueshme të ekonomisë afgane pa pjesëmarrjen aktive të grave në ekonomi dhe në jetën publike. "Vetëm ruajtja e plotë e mundësisë së vajzave për t'u arsimuar dhe e mundësisë së grave për të punuar dhe mësuar mund të mbështesë shpresën për përparim të vërtetë," vazhdoi Wignaraja. Qeveria talebane i përjashton vajzat nga shkollat e mesme dhe i ndalon gratë të punojnë dhe ushtrojnë aktivitete profesionale, përfshirë edhe punën për organizatat ndërkombëtare.
Sipas OKB-së në vitin 2020 në Afganistan jetonin nën kufirin e varfërisë rreth 15 milionë vetë. Rritja ekstreme e mjerimit në vend është rrjedhimisht për shkak të marrjes së pushtetit nga talebanët, gjë që e përkeqësoi në mënyrë drastike krizën humanitare në vend. Meqënëse shumë vende refuzojnë të bashkëpunojnë me sundimtarët e rinj në Kabul, ndihmat e huaja janë ndalur në shkallë të gjerë dhe programet e ndihmës janë shkurtuar në mënyrë drastike.