Afghanistan US-Soldaten
13 Janar 2012Ishin pamjet tronditëse nga burgu irakian në Abu Ghraib, që dëmtuan përgjithnjë emrin e Amerikës në botë. Ato tregonin ushtarë amerikanë, që torturonin dhe poshtëronin të burgosur irakianë. Ato fotografi diskretituan themelin moral për luftën kundër diktatorit Sadam Husein.
Më parë fotografi poshtëruese nga kampi i të burgosurve Guantanamo kishin ngritur dyshime të përligjura për trajtimin ligjor të të burgosurve të luftës nga SHBA. Dhe tani kjo video.
Përdhosja e kufomave është krim lufte
Përdhosja demonstrative e luftëtarëve të vrarë talibanë në Afganistan është një goditje e hidhur ndaj përpjekjeve të Amerikës për të përmirësuar imazhin e saj në botë. Është një shuplakë në fytyrë për Presidentin Barack Obama, mandati i parë i të cilit u karakterizua edhe nga përpjekjet serioze për lidhjen e urave me botën islame. Dhe për fat të keq dërgon ujë në mullirin e atyre forcave, që thonë se misioni i Perëndimit në Afganistan nuk përpiqet aspak për ruajtjen e të drejtave të njeriut. Një përdhosje kufomash nuk bie ndesh vetëm me konventën e Gjenevës për luftën, ajo shkel edhe të gjitha rregullat e sjelljes civile, pavarësisht rrethit kulturor dhe fesë.
Dhuratë për propagandën e talibanëve
Akti poshtërues i ushtarëve amerikanë nuk dëmton vetëm SHBA-në. Ai është një njollë për Perëndimin, pasi me misionin në Hindukush ai donte të ndihmonte në ndërtimin e një shoqërie, në të cilën respektohet dinjiteti i individit. Aq më shumë rëndësi merr koha e publikimit të videos tani, kur negociatat me talibanët duhet të hedhin themelet për një të ardhme të sigurtë dhe paqësore në Afganistan. Në këto përpjekje diplomatike është e përfshirë edhe Gjermania.
Forcat, të cilat refuzojnë këto negociata, tani ndihen të konfirmuara në qendrimin e tyre. Pamjet poshtëruese të videos i ofrojnë këtij grupi talibanësh mundësinë më të mirë për të nxitur më tej urrejtjen ndaj Amerikës dhe për të rekrutuar forca të reja për luftën e tyre.
Video me pamjet e përdhosjes së kufomave është një dhuratë e mirëpritur për propagandën e talibanëve, pasi akte të tilla kontribuojnë që ushtarët e huaj të mos shihen si mbrojtës, por si pushtues armiq.
Goditje ndaj përpjekjeve për zgjidhje politike
Përpjekjet diskrete për arritjen e një marrëveshje politike me kryengritësit mund të mbyten kështu që në fillesë. Këtu nuk ndryshojnë asgjë as reagimet çuditërisht të moderuara të talibanëve. Pasi edhe forcat e moderuara e dinë se fuqia e pamjeve do të zhvillojë dinamikën e saj.
Fuqia e tyre shpërthyese kalon kufijtë e Afganistanit dhe godet aspektin moral të luftës kundër terrorit. Xhihadistët në të gjithë botën do të përpiqen të legjitimojnë në të ardhmen aktet e tyre terroriste edhe me pamjet e kësaj vidoeje.
Duhet treguar pendim
Këtu për fat të keq nuk ndryshon asgjë edhe dënimi i rëndë i ushtarëve tashmë të identifikuar, edhe nëse vihen para llogarisë me të gjitha mjetet e drejtësisë ushtarake. Dëmtimi i imazhit për SHBA-në është i pakthyeshëm. Abu Ghraib po përsëritet për Amerikën tani edhe në Afganistan.
Me sa duket nuk janë nxjerrë mësimet e duhura nga incidentet e ushtrisë së SHBA-së në Irak. Mungesa e disiplinës në radhët e disa ushtarëve në mision jashtë vendit ka marrë përmasa të frikshme. Këtë duhet ta kuptojë edhe Presidenti Obama. Ai duhet të jetë tërbuar nga zemërimi. Masat e marra prej tij në drejtimin e ushtrisë nuk janë të mjaftueshme. Ai duhet të kërkojë falje sa më shpejt para popullit afgan për sjelljen e turpshme të ushtarëve të tij.
Autor: Daniel Scheschkewitz
Redaktoi: Eliana Xhani