Maskat kundër COVID-19 me cilësi të dyshimtë
11 Korrik 2024Bëhet fjalë për dyshime serioze: Në fillim të vitit 2021, virusi korona "u fut" në një institucion përkujdesjeje për të moshuarit pranë Neumünster në landin Schleswig-Holstein. Pesë banorë vdiqën atje. Qeveriafederale i kishte dhuruar këtij institucioni maska për mbrojtje nga virusi (PfH). Fjala ishte për modelin KN95 nga Kina. Ndonëse këto maska ishin "kontrolluar”, disa prej tyre u konstatuan se kishin mangësi të theksuara në cilësi.
Zyra e Prokurorit Publik në Kiel ka nisur një hetim për shkak të dyshimeve për shkelje të dispozitave të Aktit të Produkteve Mjekësore. Por nuk arriti të zbulonte pa dyshim nëse këto maska të dëmtuara, të blera nga Ministria Federale e Shëndetësisë (BMG), ishin me të vërtetë shkaku i përhapjes së infeksionit. Prandaj procedura hetimore u pezullua.
Ministria e Shëndetësisë e landit Schleswig-Holstein në Kiel po ashtu kishte dyshime të caktuara për maskat. Në shkurt 2021 publikoi një paralajmërim për atë model në faqen e saj të internetit: mos përdorni! Nuk mund të përjashtohet që maskat të mos përmbushin funksionin e tyre, pra të ndikojnë në transmetimin e infeksionit, thuhet në paralajmërim.
Ministri i atëhershëm i Shëndetësisë i Schleswig-Holstein, Heiner Garg, kujton se si në fillim të pandemisë ishin kohëra kaotike, nuk kishte maska të mjaftueshme për banorët në objektet e kujdesit për të moshuarit dhe për në spitale, thotë ai. Ato kërkonin dëshpërimisht nga autoritetet ndihmë: "Sigurisht që ne kërkuam ndihma nga niveli federal”, tha politikani i FDP-së për ARD-Hauptstadtstudio.
Mesazhi për ministrin e atëhershëm federal të Shëndetësisë, Jens Spahn, thuhej: "Na merrni çfarë të merrni". Duhet thënë se ashtu ishte. Por, sapo të zgjidhet situata në të cilën kishte mungesë maskash, njerëzve sigurisht duhet t'u jepet material i mirë."
Kush mban përgjegjësi?
Në institucionin pranë Neumünster, rasti nuk ishte i qartë. Një rast tragjik, i cili minoi besimin tek maskat e "kontrolluara" nga qeveria federale. Para së gjithash, sepse Ministria e Shëndetësisë uli kriteret për kontrollin e cilësisë së maskave mbrojtëse të importuara, të cilat, për shembull, lidheshin edhe me efektivitetin e filtrave në maska.
Një raport i pabotuar deri më tani i Zyrës Federale të Auditimit, në të cilin redaksia e ARD-Hauptstadtstudio kishte akses, përshkruan proceset që ndodhën në atë kohë në Ministrinë Federale të Shëndetësisë. Nisur nga këto deklarata, në prill të vitit 2021, Ministria vendosi të shkurtojë procesin e kontrollit të cilësisë së maskave të importuara për të përshpejtuar të gjithë procesin, pra për të kursyer kohë.
Kjo procedurë u justifikua që në fillim të pandemisë, sipas Zyrës Federale të Auditimit, nga frika se popullata nuk do të furnizohej me një sasi të mjaftueshme maskash kundër virusit korona. Megjithatë auditorët gjermanë theksojnë se Ministria duhet ta kishte ndërprerë këtë praktikë, që nga qershori i vitit 2020.
Raporti thotë: "Është e pakuptueshme dhe e papërshtatshme për Zyrën Federale të Auditimit që Ministria e Shëndetësisë vazhdoi të praktikonte procesin e shkurtuar të rishikimit të kualitetit edhe pasi ishte siguruar furnizimi me maska, në verën e vitit 2020." Që nga korriku 2020, Ministria ka filluar planifikimin e furnizimit me maska mbrojtëse për më shumë se 30.000 institucione të kujdesit njerëzor, dorëzimi i maskave ishte planifikuar për dimrin 2020/2021. Për çdo rast, Ministria e Shëndetësisë hoqi nga vetja çdo formë përgjegjësie për maskat e dorëzuara.
Një humbje e madhe besimi
Politikania e të Gjelbërve Paula Piechotta nuk mund ta kuptojë këtë. Gjatë pandemisë së virusit korona, ajo punoi si mjeke në Klinikën Universitare në Leipzig. Ajo i tha ARD-Hauptstadtstudio "se kjo rezultoi kryesisht në një humbje të madhe besimi midis qytetarëve, që ishte një nga arsyet pse disa miliardë maska mbetën të papërdorura dhe se tani ato duhet të digjen, që janë kosto shumë të mëdha".
E të njëjtit mendim është edhe politikanja e FDP-së, Kristine Lütke. Familja e saj drejton një qendër kujdesi për të moshuar pranë Nurembergut. Fillimi i pandemisë ishte një situatë e jashtëzakonshme për politikën dhe shoqërinë në të cilën vendimet duhej të merreshin shpejt, thotë ajo. Dhe shton: "Ministria Federale e Shëndetësisë më së voni nga qershori i vitit 2020 duhet t'i kthehej procedurës së rregullt të kontrollit të maskave”.
Gjatë dimrit të vitit 2020, Ministria kishte qartë dyshime nëse maskat e kontrolluara sipas kësaj procedure të shkurtuar mund të përdoren. Ndryshimi retrospektiv i rregullimit ligjor duhet t'i kishte ndryshuar.
Pyetjes së ARD-së në këtë kuadër, Zyra Federale e Auditimit iu përgjigj: "Qëllimi i ndryshimit të ligjit ishte të sigurohet në mënyrë retroaktive përdorimi i maskave që Ministria e Shëndetësisë ka marrë dhe më pas të kontrollohet cilësia e tyre sipas kritereve të veta”. Ky formulim disi i ndërlikuar në të vërtetë do të thotë se BMG më pas donte të siguronte që maskat të ishin mjaftueshëm të sigurta për t'u shpërndarë te qytetarët.
Lütke e quajti këtë përpjekje për të "korrigjuar" në mënyrë retroaktive rregullimin ligjor "veçanërisht të frikshme". Në atë kohë kishte edhe një skepticizëm në Ministrinë Federale të Shëndetësisë. Në fund, megjithatë, koalicioni i madh i partive të Unionit CDU/CSU dhe SPD arriti të binte dakord që maskat e kontrolluara nga BMG të përfundonin në rezervat kombëtare, në departamentin e kujdesit shëndetësor.
Në fund të ditës, siç pretendon Zyra Federale e Auditimit, ndoshta maskat më të shtrenjta të importuara kryesisht as që u përdorën. Shumica e maskave të importuara që nuk kanë marrë çertifikimin e duhur janë asgjësuar që atëherë.
Ministria i hedh poshtë kritikat
Ministria e Shëndetësisë fillimisht akuzoi Zyrën Federale të Auditimit për keqinterpretim të procesit të blerjes dhe kontrollit të maskave të importuara. Ajo shprehu dyshime në parim nëse kjo Zyrë është madje kompetente për të kontrolluar procesin e blerjes së maskave. Në përgjigjen e saj ndaj pyetjes së ARD-së, Ministria i referohet "procedurës së saj të ekzaminimit" dhe kjo procedurë, siç shtohet, "është aplikuar më shumë se 9000 herë, për të siguruar një nivel të lartë mbrojtjeje kundër infeksionit me maskat e blera. Ministria ia doli me këtë", pretendon kjo Ministri.
Por një ditë më vonë, Ministri Federal i Shëndetësisë Karl Lauterbach (SPD) pranoi se kishte pasur parregullsi dhe i tha ARD: "Në atë kohë, kishte një standard vërtet të ulët. Kanë hyrë në përdorim edhe maskat e këqija, kjo është e padiskutueshme. Por sot nuk është më kështu.” Njëkohësisht Lauterbach nuk pranoi të kritikojë ministrin e atëhershëm të Shëndetësisë, Jens Spahn: "Nuk mund ta vlerësoj punën e paraardhësit tim, mund të them vetëm se ishte kështu."
Landi Schleswig-Holstein, meqë ra fjala, kontrolloi maskat e blera nga vetë Ministria Federale e Shëndetësisë dhe i ktheu shumicën e maskave për shkak të cilësisë së dobët. Nga 3.5 milionë maska të tipit FFP2 të dorëzuara nga Ministria e Shëndetësisë, 3.2 milionë maska të papërdorura iu kthyen përfundimisht dërguesit, të cilat ndërkohë ndoshta janë asgjësuar.