A ka ngjashmëri mes rastit të Krimesë dhe pavarësisë së Kosovës?
12 Mars 201478 nga 81 të deputetë të pranishëm në parlamentin pro-rus në Simferopol miratuan „Deklaratën e Pavarësisë së Republikës Autonome të Krimesë dhe të qytetit Sevastopol“ duke iu referuar në vendimin e tyre rastit precendet të Kosovës, e cila u shkëput nga Serbia kundër vullnetit të Beogradit dhe me mbështetjen e OKB-së.
Ministria ruse deklaroi, se vendimi i parlamentit të Krimesë është „absolut legal“ duke iu referuar gjithashtu shembullit të Kosovës. Në këtë deklaratë theksohet, se Federata Ruse do të „respektojë shprehjen e vullnetit të lirë të popullsisë së Krimesë“ në referendumin e së dielës. Parlamenti rus ndërkohë po përgatit një ndryshim ligjor për të mundësuar pranimin e shpejtë të Krimesë.
Deklarata e ish-kancelarit Schröder dhe e drejta ndërkombëtare
Pikërisht heqja e një paralele mes rastit të Kosovës dhe Krimesë komentohet aktualisht në opinionin gjerman. Lidhur me këtë është prononcuar së fundi edhe ish-kancelari i Gjermanisë në vititin 1999, socialdemokrati Gerhard Schröder, i cili në një podium diskutimi u shpreh, se ndërhyrja e NATO-s në 1999 nuk ishte e „pastër“ sa i përket së drejtës ndërkombëtare. Schröder duke u folur për situatën aktuale në Krime thekson, se veprimet ruse në Krime janë shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Por njëkohësisht ai tërheq vëmendjen duke thënë se duhet të kemi kujdes „sepse unë e kam bërë vet këtë“, duke pranuar pjesëmarrjen gjermane në luftën e Kosovës.
Gazeta ‚Süddeutsche Zeitung‘ duke e komentuar këtë deklaratë të ish-kancelarit Schröder nënvizon: „Kush e konsideron të drejtë se pas ndërhyrjes në Kosovë në vitin 1999 qëndronte mendimi humanitar, për një çast mund t'i vlerësoje më simpati fjalët e Schröder-it. Tek e fundit ish-kancelari flet hapur për diçka që shumë ekspertë të së drejtës ndërkombëtare e kanë të vështirë ta zenë në gojë: Karta e OKB-së nuk është bibla, por një marrëveshje që vendos disa rregulla. Kush i shkel ato, mund të ketë ndonjëherë edhe argumenta të forta në favor të tij. Madje mund të shkohet edhe më tej: Për një ndërhyrje humanitare e drejta ndërkombëtare në fuqi nuk lë asnjë hapësirë, edhe nëse është e vështirë të shohësh, se si në një shtet tjetër njerëzve u mohohen të drejtat. Në Kartën e OKB-së të vitit 1948 shtetet reciprokisht kanë siguruar se do të përdorin forcën ushtarake vetëm për t'u vetëmbrojtur. Përjashtimet mund t'i miratojë vetëm Këshilli i Sigurimit – gjë që në koncertin e pesë fuqive me të drejtë vetoje thuajse nuk ndodh asnjëherë. Shpesh kjo nuk është e drejtë. Shpesh është edhe mjaft e vështirë të pranohen situata të caktuara. E kështu ka ndodhur me Kosovën. Asokohe Rusia me veton në Këshillin e Sigurimit mbështeste nacionalistin serb që nxiste luftën e Sllobodan Milosheviçit. Ndaj NATO-s iu desh ta anashkalojë të drejtën ndërkombëtare për t'u dhënë fund dëbimeve etnike në Ballkan.
Po në Krime? Kush i ka ndjekur zhvillimet e ditëve të fundit, veçse mund të habitet, se si Schröder e anashkalon realitetin: Jeta e rusëve në Krime nuk është në rrezik. Ndonëse rusët në Krime duhet të luftojnë për të drejtat e tyre si minoritet në Ukrainë (e atyre u dëshirohet që të kenë sukses në këtë drejtim). Por në gadishullin e Krimesë nuk ka ndonjë katastrofë humanitare, që Putin duhet ta ndalojë“, shkruan ‚Süddeutsche Zeitung‘.
Deklaratën e ish-kancelarit Schröder e komenton edhe gazeta ‚Kölner Stadt-Anzeiger‘ : “Paralelja e hequr edhe nga Vladimir Putin me konfliktin në Kosovë nuk është e rastësishme. Edhe sot e kësaj dite pavarësia e pjesës së dikurshme të Serbisë e banuar me shumicë shqiptare vazhdon të shkaktojë debate të ashpra ndërkombëtare. SHBA-ja dhe shumica e shteteve të BE-së e kuptojnë pavarësinë si shkëputje legjitime nga Serbia, një shtet, i cili shtypte në mënyrë sistematike dhe nuk i respektonte të drejtat e popullsisë kosovare shumicë. Ato i referohen të drejtës së vetëvendosjes së popujve të ankoruar në Kartën e OKB-së duke theksuar specifikën e rastit, që kësisoj nuk ka efekt precedent.
Por Kartës së OKB-së i referohen edhe Rusia e Kina si dhe pesë shtetet e BE-së, që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës: Greqia, Rumania, Sllovakia, Spanja dhe Qiproja. Këto vende njohjen ndërkombëtare të Kosovës e konsiderojnë si shkelje të së drejtës ndërkombëtare për sovranitetin serb, gjë që është në kundërshtim me parimet e OKB-së për mosndërhyrje dhe integritet territorial. Veçanërisht situata e Spanjës si motiv është mëse e qartë: Në këtë rast shteti duhet të mbrohet prej përpjekjeve masive për pavarësi të katalonjasve dhe baskëve. Edhe vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës i vitit 2010, që e vlerësoi si legjitim deklarimin e pavarësisë nga qeveria e Kosovës, nuk ndryshon asgjë në këtë kundërthënie. Gjykimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës nuk janë të detyrueshme, secili shtet ka të drejtë ta njohë ose jo Kosovën. Megjithatë rasti i Kosovës bart edhe një shpresë, që pjesët e armiqësuara të vendit mund të afrohen sërish, Para një viti Serbia dhe Kosova nënshkruan marrëveshjen, e cila ndonëse e përjashton çështjen e statusit, gjithësesi formulon parimet për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre", shkruan ‚Kölner Stadt-Anzeiger‘ .